Shqipëria dhe Azerbajxhani, të vetmet vende evropiane ku Novruzi është festë zyrtare, publike, që festohet me madhështi dhe bukur

Shqipëria dhe Azerbajxhani, të vetmet vende evropiane ku Novruzi është festë zyrtare, publike, që festohet me madhështi dhe bukur

 

Anar Huseynov, ambasador i Azerbajxhanit në Shqipëri shkruan se Shqipëria dhe Azerbajxhani janë të vetmet vende evropiane ku Novruzi është festë zyrtare, publike dhe që festohet me madhështi dhe bukur.

 

Ai thekson në shkrimin e tij se në disa vende, kjo festë është e lidhur gabimisht me besimin fetar, ndonjëherë edhe quhet pagane nga palët kundërshtare.

 

 

Në Azerbajxhan, Novruzi lidhet vetëm me ardhjen e pranverës, vitit të ri dhe rilindjen e natyrës. Është një nga festat më të dashura në vendin tim për shkak të kohës dhe traditave të festimit. Këtë gjë e kam gjetur edhe në Shqipëri, sidomos nëpër provinca.

 

 

Novruzi (Nevruzi) festohet në shumë vende që shtrihen në gjeografi, nga Azia Qendrore në Ballkan, përfshirë Shqipërinë. Në Azerbajxhan, Novruzi është një nga festat më të vjetra, tradicionale dhe të preferuara, e cila festohet për disa ditë.

 

Shumë nga ritet e festës së Novruzit kanë ngjashmëri, por kanë edhe ndryshime jo esenciale.

 

Më poshtë po japim atë shkruan ambasadori:

 

 

 

Si festohet Novruzi në Azerbajxhan

 

 

Anar Huseynov

Ambasador i Azerbajxhanit në Shqipëri

 

 

Novruzi shënon ardhjen e pranverës dhe festohet në ekuinoksin pranveror, 20-21 mars – fillimi i Vitit të Ri astronomik. Festimet zgjasin disa ditë dhe përgatitjet për to nisin herët në fund të muajit të fundit të dimrit.

 

 

Origjina e Novruzit daton nga zakonet dhe ritualet e lashta të lidhura me kultin e natyrës dhe pjellorisë, si dhe besimet në rënien dhe ngritjen e natyrës. Universi përbëhet nga katër elementë – uji, zjarri, toka dhe ajri (era).

 

 

Në këto elemente bazohen edhe të martat e Novruzit. Të martat festohen çdo vit, një muaj para festës së Novruzit.

 

 

E para quhet e Marta e Ujit. Që do të thotë, duke iu drejtuar pranverës, zonat e maleve të mbuluara me akull shkrijnë dhe derdhen në lumenj dhe toka fillon të laget dalëngadalë.

 

 E dyta është e Marta e Zjarrit. Që nga kjo kohë, dielli gradualisht ngrohë tokën dhe fillon ta zgjojë atë. Në këtë ditë, ndizen zjarre dhe qirinj në emër të çdo anëtari të familjes.

 

E marta e tretë është e Marta e Ajrit (Erës). Era ngroh gradualisht tokën tashmë të zgjuar, përkund degët e pemëve, i zgjon nga gjumi i letargjisë, hap filizat e tyre, largon retë dhe i përplas me njëra-tjetrën, duke shkaktuar pranverën e ngrohtë.

 

E marta e fundit është e Marta e Tokës. Dielli tashmë e ka ngrohur tokën dhe i ka dhënë jetë. Prandaj, mbjellja e parë pranverore fillon këtë të martë.

 

 

Më e rëndësishmja ndër të martat (Charshanbas) është ajo e fundit e quajtur “Akhir Charshanba”. Në këtë planifikim ditor tradicional duhet pasur shumë kujdes; shtëpia duhet të pastrohet dhe të përgatiten ushqimet e festave. Samani (gruri i mbirë jeshil) është simbol i Novruzit dhe kultivohet paraprakisht për ta pasur gati në tryezë deri në natën e festës. Së bashku me samanin, vezët e lyera dhe ëmbëlsirat e pjekura të festës krijojnë një atmosferë festive.

 

 

Një ditë përpara festës, njerëzit takohen për të uruar njëri-tjetrin. Në tavolinat festive ndizen qirinj dhe bëhen urime. Numri i qirinjve korrespondon me numrin e anëtarëve të familjes.

 

 

Në mbrëmje, fëmijët vendosin kapele nën dyert e fqinjëve dhe fshihen, duke pritur që fqinjët t’i mbushin kapelat me dhurata festash. Pas perëndimit të diellit, njerëzit mblidhen në rrugë për të ndezur zjarre, kërcyer rreth tyre dhe kapërcyer mbi to për të pastruar shpirtrat e tyre dhe për të larguar shpirtrat e këqij.

 

 

Në ditën e dytë të Novruzit, njerëzit vizitojnë varret e të afërmve dhe miqve për të nderuar kujtimin e tyre.

 

Novruzi është gjithashtu koha për grumbullime masive dhe festime. Në këtë ditë mbahen koncerte të muzikës popullore dhe të Ashiqit në mbarë vendin. Litaristët demonstrojnë aftësitë e tyre, pehlevanët (mundësit) garojnë kundër njëri-tjetrit, në rrugë zhvillohen shfaqje komedi me pjesëmarrjen e dy personazheve, Kos-Kosa (mjekër dhie) dhe Kechal (qerosi) mbahen në rrugë. Kos-Kosa përfaqëson dimrin, Kechal – pranverën. Në garën verbale Kechal del gjithmonë fitues.

 

 

 

Që nga viti 2009 festa e Novruzit, është regjistruar në Listën Përfaqësuese të UNESCO-s të Trashëgimisë Kulturore të Paprekshme të Njerëzimit. Në sesionin e 64-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, 21 marsi u shpall si Dita Ndërkombëtare e Novruzit.

 

 

 

Si festohet Novruzi në Shqipëri

 

Duke falenderuar ambasadorin e Azerbajxhanit në Shqipëri, zotin Anar Huseynov, për këtë informacion të gjerë, të saktë dhe interesant për Ditën e Novruzit, “Orakujt e Tomorrit” paraqet më poshtë, mënyrën se si Novruzi, kjo ditë e shënuar në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë në Skrapar, në një nga krahinat më tipike shqiptare, që këtë festë e ka më të dashurën dhe më kryesore të tij.

 

 

Dita e Nevruzit apo e quajtur ndryshe edhe dita e Sulltan Nevruzit është një festë zyrtare fetare e festuar në Shqipëri më 22 mars të çdo viti.

 

 

Festa e Sulltan Novruzit sipas sektit bektashian përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe.

 

 

“Nevruzi” vjen nga persishtja dhe do të thotë “Dita e re” (New Ruz), ndërsa “Sulltan” është titulli i lartë që tregon rëndësinë e kësaj dite.

 

 

Festa e Sulltan Nevruzit ka mbërritur në viset shqiptare së bashku me besimin bektashian, në shekujt XV-XVI.

 

 

Kjo festë festohej 10 ditë pas Ditës së Verës, më 22-23 mars allafrënga. Këtë ditë,  çdo familje sipas mundësive therrte ndonjë pulë, e cila ishte lidhur e ushqyer një javë më parë.

 

Festohet katër ditë rresht. Rregullisht nuk duhet të punohej për katë ditë, të prisje pemë ose bar. Nuk duhej të qepje, se “ishte gjynah”!

 

 

Nëkëtë ditë thereshin kurbanë, shelegë, por duhej patjetër të therej një pulë.

 

Me gjakun e kokës së pulës lyeheshin pemët për mbarësi dhe prodhim të bollshëm. Lyeheshin edhe fëmijët; djemtë në ballë, ndersa vajza, në ballë dhe në të dy faqet. Gjaku nuk duhet të lahej derisa të zhdukej vetë.

 

 

Në këtë ditë bëhej pushim i plotë dhe njerëzit nuk duhet të prishnin qejf, të ziheshin, por duhet të kishin dashuri dhe harmoni, në mënyrë që t’u shkonte mbarë i gjithë viti.

 

 

Edhe këtë ditë dyert zbukuroheshin me lule thane dhe shpëndre dhe ndizeshin tyme (dumanë) “për të larguar ligësitë e dimrit”.