Shqipëria e parë, ajo para 120 vjetësh?… (Pjesa e dytë)

Shqipëria e parë, ajo para 120 vjetësh?… (Pjesa e dytë)

 Njerëzia (popullsia) e Shqipërisë

Shqipëria kështu siç thamë që nga Greqia te Mali i Zi e në Sërbi; nga Adriatiku e në mëngët të Selanikut e gjer në Istip, ka më tepër se 800.000 qillometra të katërçipta dhe më shumë se 2.500.000 njerës. Ky vend, që s’ka të drejtë njeri të thotë se s’është Shqipëri, me 80.000 qillometra të katërçipta të saj, bëhet pothua dy sa Sërbia. Po ç’është ky vend përpara ati që kishin mbuluar Pellazgët d.m.th. Shqiptarët e njëzet shekulla më parë?

 

 

Veç shqiptarëve të Shqipërisë, janë edhe 300.000 Shqiptarë në Greqi; në Atik, Beoti, në nisurat Eube, Andra, Idra, Speca, Salamina e në Moret. Janë nja 200.000 Shqiptarë n’Itali, në Kalabri e në nisitë të Siqelisë. Shqiptarët Italisë po e mbajnë gjuhën e tyre më mirë se ata të Greqisë. Shqiptarët e Italisë kanë vajtur nga Shqipëria si erdhë Turqit në vendin tënë e pastaj. Të Greqisë ca më parë dhe ca më pastaj.

 

 

Veç këtyre, Shqiptarë kemi edhe në Mal të Zi, në Bosnje, në Dalmaci, dhe më tepër në Sërbi, e cila mori pa nonjë të drejtë: Nishnë, Vranjën dhe Leskovaçnë, që ja dha Kongresi i Berlinit më 1878. Duke vështruar sa shqiptarë janë në vendit të tyre, Sërbija dhe Greqia mos hapin gojën e të thonë, që në Shqipëri ka shumë Sllava a Grekër: ç’janë nja 30.000 Grekër n’anët e Janinës e më pak se kaq Shqeh në Metohi e në Ysqyp ca të pakë bullgarë afër Manastirit? Nonjë Stat mbi dhet nuk është fjesht një komb. Vallë pa njerës që s’janë Shqeh ka Sërbia dhe Greqia? (Sërbia ka më tepër se 250.000 Vllehë, Shqiptarë, Bullgarë, Tyrq; dhe Greqia, thamë që vetëm Shqiptarë ka 300.000). Andaj dhe Shqipëria pse ka nja dhjet Grekër në jugët, disa Vllehë e Turq afër mëngës së Selanikut, dhe ca të pak Bullgarë e Serbër nga lindj dhe veri-lindja, njeri nuk na ndalon të themi, ky vend është fjesht Shqipëri; dhe ky vend ka qenë kurdoherë i Shqiptarëvet; të huajt kanë ardhur më pastaj, tani afër.

 

 

Serbët vetëm më 640 pas Krishtit dhe Bullgarët në shekullët të nëntë kaptuan Tunën, më parë ishin në anët të veriut të këtij lumi.

 

 

Thamë që lumi Shkumbi ndan Shqipërinë në mes dhe njerëzit e anës së veriut quhen Gegë e të jugës Toskë. Toskët ndahen në disa farësh, si: Çamër, Labër, Toskë fjesht etj; dhe Gegët me më shumë farësh, po më të mëdhatë janë: Mirditasit, Matjanët, Dukagjinasit, Klementët, Gjoshi, Shala, Kastrati.

 

 

Shqiptarët pa ardhur Tyrqit e të marrin vendin tënë qenë të tërë të Krishterë: Katolikë në veri, Ortodoksë në jugët. Pasdaj ca me hirë, ca me pahirë zunë e u bënë myslimanë dhe sot dy të tretat e Shqiptarëvet janë në Besët të Muhametit. Sado që Toskërinë e ka shkelur shumë Tyrku, Gegëria është fare otonomi dhe guverna vetëm një pagesë të prerë për njeri mer.

 

 

Tregëri

 

Nga të mos pasurit ndë dhe siguri, tregëria në Shqipëri është shumë pas. Qendrat në të cilat bëhet tregëria janë: Shkodra, Durrësi, Vlora, Saranda, Preveza dhe Manastiri.

 

 

Nga Shkodra del në mot 170.000 qillogram, qillogrami është (ok e re domethënë 312 dërhem) lesh; 100.000 qillogram sumak; 200.000 copë lëkurë dhije, deleje, lepuri etj. disa mijë ok li, vaj dhe pak mëndafsh dyllë mjalti.

 

 

Nga Durrësi del: lëkurë 25.000 copë; vaj, misër, tërshërë, farë liri, duhan, dru për të djegur dhe për të bërë anije, dhe nja 50.000 okë lesh.

 

 

Nga Vlora nja 50.000 ok lesh, 18.000 lëkurë; misër dhe fasule, vaj ulliri: 10.000 shekuj, 150.000 ok valanidh (lënde dushku për lëkurët); kripë, 500.000 litra verë; pishq të kripur, breshka dhe shushunja.

 

 

Nga Qimara del bushk (dru zbukurimi) fort shumë. Nga Saranda del cërmëdela (dru i verdhë), vaj lesh dhe lëkurë. Nga Preveza pak lëkurë, lesh, duhan, tabako, lënde dushku etj. Nga Manastiri drithë, verë dhe raki, mollë të Ohrisë dhe kumbulla.

 

 

Këto plaçka më të shumat venë në Trieste, ca në Brindis; drutë venë në Maltë; dritha në Korfus e në të tjera nisi të Greqisë.

 

 

Shqipëria nga Preveza gjer në Shkodër është anë detit, por veç Qimariotëve shumë pak të tjerë kanë anije, prandaj tregëri e vendit tënë bënet me anijet e të huajve dhe ne, humbasim një fitim të madh dhe të lehtë.

 

 

Mjeshtëritë

 

Në Gegëri  bota janë më punëtorë dhe ç’do gjë që kanë nevojë e bëjnë vetë: punojnë leshnjë, linë, mëndafshin; në Prizren dhe në Jakovë punojnë armët dhe bëjnë shumë gjëra me fill argjendi: ashtu edhe lëkurët.

 

 

Në Shqipërinë e Jugës bota sa venë e po bëhen shumë përtasës dhe u pëlqen më mirë të rrinë me duar në gji e të varfërë, se sa të punojnë. Andaj dhe në më të voglin fshat, njerëzia vishet me plaçkë të huaj. Veç ca velenxa dhe guna, s’bëjënë gjë tjatër, por ç’do plaçkë e sjellin së jashtmi. Është keq dhe turp i madh që të rrimë kështu si jemi sot. E thamë sa është i bukur e i mirë dheu ynë: të duamë me një çikë  punë mund të bëhemi të pasur e të lumtur. Fajin e kemi vetë.

 

 

Metale

Shqipëria, si mirret vesh, është plot metale; por asnjë s’punohet. Afër Korçës ka huj (thëngjill guri), si dhe afër Durrësit, dhe në malet mbi Sarandë, po s’punohen. Në Selenicë afër Vlorës del një serë fortë e mirë. Në malet e Qimarës gjendet squfur, afër Konicës kristal shkëmbi (dyr); në malet afër Vlorës gjendet kripë (si kripë e Pirevit). Në Konicë, në Përmet, në Lesh, ka banja squfuri të ngrohta; afër Dibrës dhe Ysqypit banja squfuri. Afër Manastirit, në Eqshi-Su është një ujë i thartë, fort i mirë për të pirë.

 

 

Si nga të tjerat gjëra në Shqipëri, as nga metalet s’del ndo një fitim.

 

(Vazhdon pjesa e tretë)