Shtëpia Monument Kulture e Zaloshnjes, drejt një rrënimi të plotë

Shtëpia Monument Kulture e Zaloshnjes, drejt një rrënimi të plotë

Megjithëse një shtëpi me vlera të spikatura historike kombëtare, Monument Kulture i mbrojtur nga ligji, është rrënuar keqas. Në vitet e socializmit kjo shtëpi ishte” shtëpi muze” me sende dhe objekte të rëndësishme, fotografi nga historia e saj. Në vitet e demokracisë fati i keq i kësaj shtëpie është si i fati i shumë objekteve të tjera muzeale të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Askush, si pushteti qendror ashtu edhe ai lokal, nuk është kujdesur për ta rikonstruktuar.

 

Vlerat historike të kësaj shtëpie

 

Ka qenë një nga shtëpitë historike më të njohura në Skrapar. Kjo shtëpi ka qenë një nga çerdhet më të rëndësishme të luftërave  të popullit tonë për liri e pavarësi. Ajo ka qenë një vatër e rëndësishme për për përhapjen në kushte të vështira të gjuhës dhe të shkronjave shqipe. Pjesëtarë të kësaj shtëpie, Servet, Mahmut dhe Hysen Zaloshnja kanë qenë patriotë të shquar, që nuk e kanë kursyer veten dhe shtëpinë në dobi të interesave të atdheut.

 

Këtu në vitin 1919 krijohet Komiteti i Shpëtimit Kombëtar të Skraparit për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut nga shtetet fqinjë shovinistë. Kryetar  i këtij komiteti u zgjodh Hysen Zaloshnja (Dosti).

 

Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, kjo shtëpi u kthye në një çerdhe të rëndësishme partizane. Më 9 deri 13 qershor 1943 në këtë shtëpi u mbajt aktivi i parë i Rinisë Komuniste Shqiptare. Më pas aty janë strehuar kuadro të rëndësishëm të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçirimtare, midis tyre edhe Enver Hoxha.

 

Vlerat etno-kulturore të kësaj shtëpie

 

Sipas të dhënave të pleqve të moshuar, kjo shtëpi mund të jetë ndërtuar 250  vjet më parë. Është një godinë me vlerë të veçantë për arkitekturën e saj dhe për dekoracionet e brendshëm. Nga jashtë është veshur me gurë gëlqerorë, kryesisht të papërpunuar. Dritaret dhe dyert janë në formë harku të bërë me gurë të bardhë të skalitur bukur. Shtyllat e njërës prej portave të jashtme janë prej guri gëlqeror të skalitura me finesë dhe shije.

Në këtë ndërtesë vërehen tentativat e artit të gdhëndjes ornamentale të veshjeve të drunjta të brendëshme si dollapë, musëndra, penxhere e tavanë.

 

Ndërsa flasim për turizëm, për atraksione turistike, objekti më i rëndësishëm historik dhe arkitekturor në Tomorricë, që do të ishte më i vizitueshëm, lihet në mëshirë të fatit.