Shteti Bektashi i Tiranës dhe principata e Tomorrit si pjesë integrale e tij
Kur dëgjoi lajmin në televizor se Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve do të bëhej shtet, Administratorit të objekteve fetare të Tomorrit iu duk vetja si në ëndërr. I ra aq fort ballit, sa të nesërmen e pa që i kishin ngelur tri shenja gishti. Shpejtoi te çezama për t’iu hedhur ujë syve që të merrte veten, por as uji brisk i Bogovës nuk e solli në vete. Ndërroi stacion, se të gjitha televizionet të njëjtin lajm japin, kur mori vesh se këtë e paska thënë vetë Kryeministri dhe ku, në Amerikë!…
Megjithëse sa ishte ngritur nga darka, kërkoi t’i sillnin raki dhe nja dy-tri fije brinjë qengji të pjekur. Ia vlente të pije, dhe jo vetëm të pije, por të dëndeshe e të bëheshe xurxull pas këtij lajmi që as vetë Abas Aliu të brofte nga varri, atje lart në çukë, nuk do ta besonte!…
“Ustabashi” i këtu e tridhjet e ca vjetëve i Tomorrit, pa humbur kohë, filloi të zbërthejë mendërisht këtë ëndërr të bukur:
“Derisa Kryegjyshata bëhet shtet, i bje që edhe Tomorri, si pjesë e Kryegyshatës, të bëhet pjesë e shtetit të ri dhe, meqenëse është larg, duhet të bëhet principatë e varur prej tij.
Kushtet si principatë i plotëson të gjitha, thoshte me vete, gati me zë të lartë Administratori , aty është ai i madhi fare, Abas Aliu, që mban në këmbë jo vetëm Kryegjyshatën, por tërë botën bektashiane;
aty mblidhen mbi 100 mijë pelegrinë çdo vit, veç atyre ditorëve që bëjnë poshtë e lartë çdo ditë; tjetër, Kryegjyshata ka vetëm 27 hektarë tokë, Tomorri ka një dynja të tërë”…
Si bëri me mënd të mbaruar këtë punë, ai filloi të mendojë dhe të bëjë plane për principatën, për kufijt e saj.
“Ka dy variante , thoshte me veten e tij, varianti i parë ideal do të ishte nëse merrej i gjithë shkëmbi i malit me të dyja çukat dhe Qafën e Pelës në mes.
Në këtë rast, kufiri ndarës me Shqipërinë i bje: Në jug, Qafa e Kulmakës me Selanin dhe Dobrushën; më tej, në juglindje me Brerimën e Gjerbësit, në lindje me Qafën e Qershisë së Luadhit; në verilindje vazhdon me Treblën, Rromasin dhe Tërrovën; në veri me Qafë Dardhën, Dy Tomorrët e Beratit; në perëndim me Kapinovën, Bargullasin, Novajn dhe Nishovën;
varianti i dytë, nëse shteti shqiptar tregohet zemërgur, do të jenë vetëm objektet fetare dhe tokat për rrëth tyre. Këtu kufiri me Shqipërinë ngushtohet. Megjithatë, duhet të jemi të kënaqur, pasi kemi marrë pavarësinë, mbylli pjesën e parë të projekt – ëndrrës, Administratori, që ishin kufijt.
Por kishte edhe shumë e shumë gjëra të tjera për të menduar dhe parashikuar. Rrëkëlleu edhe një herë gotën dhe solli ndërmend administrimin e principatës (kontѐsë). Deri tani ai kishte qenë veqil i financave tëTomorrit. Me krijimin e shtetit të ri, me siguri ai do të ngrihej në një post tjetër më të lartë, të paktën zëvendësministër i Ekonomisë në shtetin e Kryegjyshatës, ndërsa në principatë të rrinte aty ku ishte, se ia dinte “zëtin” punës.
Kishte edhe një dëshirë tjetër, që aty të merrte edhe një post tjetër, si fjal avjen, të merrte në administrim hyrjet e daljet e njerëzve që do të vijnë nga dy pika kontrolli, një në Qafë të Qershisë dhe tjetrën mbi Çezmën e Hasanit. Kuptohet, kontrolli do të jetë elektronik, njerëzit, për të mos u penguar, do të vendosin gishtin në një ekran që do t’u vërë përpara polici që në makinë si në hyrje ashtu edhe në dalje.
E donte këtë këtë detyrë, jo për gjë, por për dukje. Po, ore, po, për dukje, për pordhë!… Ta shihnin dhe t’i shihte njerëzit kur hynin e dilnin si dele.
Kishte kaq vjet aty vet zot, vet shkop, dhe i takonte të ishte një Abas Ali i vogël në shtetin dhe principatën e re.
Duke menduar kështu, i dha karar që për gjera të tjera të kontѐsë, të mendonte të nesërmen, se edhe koka i qe rënduar shumë dhe po ia ngatërronte mendimet.
Info – blog