Si e kam njohur Sejfulla Malëshovën…

Si e kam njohur Sejfulla Malëshovën…

 

 

Ilmi Bejko, me origjinë nga Sevrani i Skraparit, ka qenë një ndër ekonomistët e njohur në vend gjatë viteve të socializmit.

Ka punuar në Komisionin e Planit të Shtetit, pedagog në Institutin e Lartë të Kamzës, drejtor i Bankës Bujqësore dhe më pas, si i persekutuar, pasi ishte martuar me një të huaj, gjermano- lindoren, shkrimtaren dhe përkthyesen e njohur Waltraud Tunger Bejko.

 

Fatkeqësisht kanë vdekur të dy, Waltraud ka lënë pas disa vepra shqip, “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri”, “Bashkudhëtarë”, “Vjehrra ime Kolja” si dhe një sërë veprash të autorëve shqiptarë të përkthyer në gjermanisht.

 

Rrëfimi më poshtë i Ilmiut është shkëputur nga libri i tij, “Bashkudhëtarë”:

 

 

Ilmi BEJKO

 

Tani, pas kaq vitesh, në një farë mënyre mallkoj veten time, pavarësisht pasojave, që nuk mora guximin për më tej. Si fjala vjen, në një rast kur unë punoja mësues në Teknikumin Bujqësor, pas mbarimit të mësimit unë shkova për të ngrënë drekë në një restorant të vogël në qytet.

 

Në restorant ishin të zëna të gjithë tavolinat, dhe unë u ula në tavolinën ku drekohesh një njeri i moshuar me kapele me strehë në kokë. Me të nuk shkëmbeva asnjë bisedë, dhe ai heshti gjatë gjithë kohës së ngrënies.

 

Kur dola nga restoranti, Rakoja, punonjës i Sigurimit, me të cilin më kishte njohur Arshi Ganai, më pyeti:

-E njeh ti njeriun që hëngre bashkë me të në tavolinë?

-Jo, i thashë

-Fole gjë me të.

-Jo, pse?

-Se ai ishte Sejfulla Malëshova.

– Me të vërtet? – thirra i habitur.

Nga njëra anë u bëra pishman që nuk fola atij njeriu, t’i kisha dëgjuar të paktën zërin, se që në shkollën fillore ne i kishim mësuar dhe recituar me pasion vjershat e Sejfullait, vargjet e disave i mbaj mend edhe sot për shfrytëzimin e egër që u bëhej punëtorëve të portit para çlirimit:

 

Këmbë zbathur, bythë çjerrë

 

Punon vetëm për të tjerë

 

por, nga ana tjetër, mendova se bëra mirë. Një bisedë me të mund të kishte pasoja për mua. Kështu që edhe më pas, pasi unë ndenja shumë vjet në Fier, megjithëse më digjte dëshira të shkëmbeja dy fjalë me këtë njeri, nuk u takova asnjë herë.

 

 

Një ditë në ndërmarrjen e grumbullimit, ku kisha vajtur për një kontroll, pasi këtë radhë punoja në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, e pyeta Brahon, drejtorin e ndërmarrjes për Sejfullanë, që punonte aty si magazinier. Brahoja nuk e zgjati, por tregoi ç’i kish ndodhur ato ditë me të.

 

“Erdhi Sejfullai në zyrë, filloi të tregonte Brahua, dhe më kërkoi ta shikoja punën e orarit të punës së grave që punonin në manipulimin e duhanit. Ngeli ky të mendojë për gratë, i ardhka gjynah, thashë me vete.

 

Dhe nga inati i thashë: “Ik, more Pufte,  të ardhka keq për gratë tona ty e dashke të na vendosësh rregulla të reja”! Ai doli nga zyra, duke folur me vete:

 

“Pufte”! “Pufte”! “Pufte”!…

 

Pas ca ditësh, vazhdoi të më tregonte Brahoja, më takoi Sejfullai në oborr të ndërmarrjes dhe më tha:

 

“E di ti, drejtor, kuptimin e fjalës “Pufte”?

“Jo, i thashë”.

“E di unë, hapa fjalorë dhe e gjeta kuptimin e kësaj fjale në një fjalor persisht, më tha.

“Pa hë, na i shpjego”, i kishte thënë Brahoja.

“Pufte” quajnë burrat që u shërbejnë grave të haremit, pasi u kanë kastruar testikujt”. “Ç’janë këta testikujt”? -i kishte thënë Brahoja.

“E do shqip ti’?- i kishte thënë Sejfullai: “Pufte quhen burrat që u kanë tredhur koqet”.

 

“Ik, more Pufte”! – i kishte thënë përsëri Brahoja. “Jo, i kishte thënë Sejfullai, unë nuk jam Pufte, unë i kam koqet, por më duket se nuk i kini ju!”.

 

Kjo kishte qenë një protestë në formë shakaje e Sejfullait për gjendjen e mjerueshme të grave, por më tepër të burrave të tyre.

 

Vonë-vonë e kishte blerë Brahoja ku rrihte Sejfullai. Dmth, ju ini burra të tredhur, pa shpirt e pa koqe, që s’mendoni as për gratë tuaja.