Si po shkretohet Shqipëria nga dita në ditë mu përpara syve tanë!?…
Muajt e fundit, për shkak të një detyrimi ku jam angazhuar, më është dashur të lëviz në disa qytete e fshatra të Shqipërisë. Ajo që kam parë dhe ndjerë është braktisje dhe trishtim!
Dy tre vitet e fundit lajmet se shqiptarët po largohen masivisht janë bërë të zakonshme, por kur këtë gjë e shikon nga afër ndjesia nuk është asgjë më shumë se sa trishtuese.
Tashmë nuk ka dallim, jug-veri, fshat, qytet! Gjithandej situata e largimit është njëlloj.
Të rinjtë, pavarësisht gjendjes ekonomike ku ndodhen, mundësinë e parë për të ndryshuar jetën e tyre zgjedhin largimin.
Çiftet e reja që martohen, preferojnë të emigrojnë për t’i lindur dhe rritur fëmijët jashtë vendit.
Ata që i kanë të vegjël ikin, për t’i shkolluar dhe edukuar në një vend ku ka pretendojnë se ka shkolla më cilësore, shëndetësi, siguri, argëtim, parqe…
Duket si një lloj epidemie që ka mbërthyer vendin. Ne qytetet e vogla, pa përfshirë këtu Tiranën, pasi për shkak të numrit të lartë të popullsisë, ende ka gjallëri, jeta sociale është e “vdekur”.
Ka fshatra ku lindin 3-4 fëmijë në vit. Ka fshatra ku nuk dëgjon më të qara fëmijësh. Nuk dëgjon zhurmën e topit, zilen e manarit. Nuk dëgjon zëra fëminor.
Për gjyshërit e tyre, të cilët janë duke u çmallur me nipërit dhe mbesat vetëm nëpërmjet kamerës së telefonit, kjo është një ndër periudhat më pak të bukura në jetë. Duhet të ishte ndryshe! Por largimi i fëmijëve ka bërë që moshën e pensionit ta kalojnë në heshtje, pa patur pranë fëmijët e fëmijëve.
Moshat që kanë ngelur në Shqipëri janë kryesisht mbi 60 vjeç. Dhe këta kanë preferuar të qëndrojnë në vendin e tyre, duke mos iu bashkuar fëmijëve. Ajo që thonë njëzëri është se po i vret vetmia, por kanë zgjedhur të mos largohen.
Lidhja e ngushtë me shtëpinë, tokën i ka bërë që një fije kënaqësie ta marrin vetëm këtu dhe askund tjetër.
Presin me padurim dy periudha kryesore në vit:
pushimet e verës dhe festat e fundvitit, që mund të takojnë fëmijët e tyre.
Ndërsa ajo që i ngushëllon është fakti se: të gjithë kështu janë! (Orakujt e Tomorrit)