Simon Vrusho, një jetë si fletë e bardhë

Simon Vrusho, një jetë si fletë e bardhë

Si sot katër vite më parë, Simon Vrusho u largua në amëshim, duke lënë pas gjurmë njeriu. Në kujtim të tij, kjo skicë e frymëzuar nga jeta e tij e përkorë

 

Yzedin Hima

Flokët e hirtë i kreshpëroheshin duke ia zvogëluar edhe më fytyrën e tij imcake dhe të mprehtë brisk. Sa herë që e takoja më kujtoheshin vargjet e Naimit për Kamanin, burrin trim, që s’kish mish në faqe. Sytë i lëshonin xixa kur binte fjala për kohën që lamë pas. Kisha përshtypjen se revoltohej sikur ditët, javët, muajt apo vitet e jetës, dikush ia kishte vjedhur duke shpërdorur besimin e tij.

 

Dy javë pas daljes në pension u takuam për një kafe. E pyes: tani që e le pas jetën aktive, besoj se e ke bërë një farë bilanci për jetën e jetuar, i ke hedhur një sy vetes, siç thoshte Don Kishoti. Ai më drejtoi një vështrim shpues dhe pas një hezitimi u përgjigj: po, natyrisht, që në krye të këtij viti e kam kundruar me vëmëndje jetën time. Netë të tëra pas marrjes së fletës, ku më kërkohej të ndëprisja punën sepse kisha mbushur 65 vjeç, i kam gdhirë pa vënë gjumë në sy. Përfundimi?! Jeta ime, e gjitha … ka ikur për dhjam qeni!

Mënyra se si e shqiptoi fjalinë e fundit më futi drithmën. Sytë i shkrepëtinë në një dritë gri, që iu shua aty për aty në pellgjet e syve.

 

Ishte ndër mësuesit më të talentuar që kisha njohur. Kishte një ndjeshmëri njerëzore të pazakonte në të dy kohët e jetuara. Lexonte mjaft dhe kujtesa e tij kishte bërë të skuqeshin edhe profesorë të njohur në kohën kur studionte në universitet dhe më pas. Shijet e tij për artin qenë të holla dhe të paqortueshme.

 

Kujdesi i tij për t’u ruajtur nga çdo pikëlz ndotje në një mjedis ku është e vështirë të gjesh një strehëz të pastër për të ruajtur kryet, qe bërë proverbiale në qytet. Qe bërë ikona e ndershmërisë dhe e jetës së përkorë. Mjaft të njohur, shokë e miq të tij të dikurshëm, i qenë larguar, sikurse i largohen pasqyrës së kristaltë fytyrat e bëra pis. Dikush, kur ra fjala për të, u shpreh: Ai e ka më lehtë të kapë korrentin se sa gjënë e tjetrit.

 

Me një fanatizëm të hatashëm e kishte ruajtur kaq të dlirë jetën e tij. Po pse tani nuk e çmonte si një thesar të fituar me sakrificë e stoicizëm, por e quante … “të ikur për dhjam qeni”?!

 

Ai që kishte përballuar tërë tundimet e kësaj botë dhe kishte triumfuar mbi to, si nuk ndihej krenar me jetën e tij kristal të pastër?!

U ndjeva sikur para fytyrës m’u shemb gjithë qytetërimi, që nga zanafilla. Ku t’i gjeja fjalët për ta kundërshtuar apo ngushëlluar?!

 

M’u kujtua një episod me një nxënësin tim çamarrok në orën e gjuhës. Pasi i lashë mbi bangë një fletë formati, e porosita disa herë të punonte me kujdes dhe të mos e bënte pis fletën e bardhë si bora. Këtë porosi ia përsërita disa herë dhe ai m’u përgjigj që të mos bëhesha fare merak. Në fund të orës së mësimit, sapo ra zilja, ai vrapoi drejt meje dhe ma dorëzoi fletën të bardhe, pa shkruar asnjë shkronjë në të. “A e deshe të bardhë profesor? Të bardhë e ke… Nga frika se mos e bëja pis nuk shkrova asgjë në letër.”

 

Pas pak u mbusha thellë me frymë dhe nisa t’i flisja: ndoshta këto ditë ta kanë lodhur ca arsyen dhe gjithçka të duket e errët. Jeta jote është për t’u patur zili. Ti ke ditur që të vjelësh nga ajo nektarin e çdo dite, të bukurën.Ti ke ditur ta jetosh estetikisht çdo sekondë, çdo minute të kësaj jete, ndërsa të tjerët kanë jetuar dhe jetojnë thjesht biologjikisht.

 

Kur të tjerët u bënë robër të sendeve, ti me lirinë e një shpendi e ke kundruar botën nga lart. Vërtetë të tjerët e privatizuan Beratin e bukur, kombinatin, fabrikat, ullinjtë, fushat, kodrat e deri tek Mali i Tomorit, por ata nuk e dallojnë të bukurën e qytetit dhe mjedisit përreth, siç e përjeton ti.

 

E bukura, kudo ku ekziston nuk është as pronë e as privilegj i horrave dhe të fortëve kudo që ndodhen, sado pasuri të kenë, por privilegj i njerëzve si ti. Ti ke marrë gjithçka ka të bukur kjo jetë falë aftësisë tënde kërkuese, zbuluese, përjetuese dhe krijuese. Të tjerët do të jepnin gjithçka për të patur atë shqisë plus për të parë atë që ti ke parë dhe atë që ti sheh, atë që ti ke përjtuar, për atë që ti përjeton, ndërsa për të tjerët janë tabu.

 

Sërish sytë e tij shkrepën xixat e zakonshme për një çast, ndërsa dora e tij u zgjat drejt meje si degë e këputur. U ngrit dhe iku anash shëtitores, me kujdesin e zakonshëm për të mos u tretur në turmë.