Skënder Malindi, një emër i përveçm i Ushtrisë Shqiptare
Zylyftar HOXHA
U bënë tetë vjet nga ndarja nga jeta e një emri të njohur të ushtrisë shqiptare, si ishte Skëndër Malindi.
Skënderi lindi në Malind të Skraparit më 5 qershor 1920 në një familje me emër të Skraparit. Shkollën fillore e kreu ne Konviktin Krahinor të Vërzhezhës, mësimet e mesme i mori në gjimnazin e Tiranës (1931- 1937). Më pas shkoi për studime në shkollën ushtarake të Milanos, ltali.
Kur po përgatitej për të dhëne provimet e të titullohej oficer, në vitin 1940 ai nuk pranon të marre pjesë në një ceremoni të ngritjes së flamurit italian, duke deklaruar se ky nuk është flamuri i kombit tim. Ky qe shkaku që u përjashtua nga shkolla.
Kur u kthye në Atdhe, fshatii Skënderit ishte bërë arenë e luftës mes italianëve e grekëve. Skënderi, duke patur urrejtje për okupatorin italian, së bashku me moshatarë të tij i godasin italianët, por ata hakmerren ndaj fshatarëve duke bombarduar fshatin.
Me pushtimi e fshatit, komandanti – një gjeneral grek, i informuar se Skënderi kish mbaruar studimet ushtarake dhe kishte ndjenja patriotike, i thotë: “Ti që veprove sot kundër italianeve, nesër mund të veprosh kundër nesh!”, pasi grekët si shovinistë kishin qëllime pushtuese ndaj vendit tonë, që do t’i shprehnin po të fitonin luftën. Prandaj e arrestojnë Skënderin dhe e internojnë në ishullin (Lesbo) në afërsi të Turqisë.
Me pushtimin gjerman të Greqisë, gjithë robërit shqiptarë u liruan, bashkë me ta edhe Skënderi. Pasi kthehet në Atdhe, me fillimin e Lëvizjes Antifashiste merr kontakt me udhëheqësit e luftës si me Mestan Ujanikun, Gjin Markun, Kahreman Yllin e të tjerë, duke u aktivizuar me organizimin e luftës në rrethin e Skraparit.
Në fillim të vitit 1943 komanda e Qarkut Berat e cakton komandant çete në komunën e Çepanit. Çeta nën drejtimin e tij merr pjese aktive në të gjitha veprimet luftarake në qarkun e Beratit kundër fashisteve italianë.
Më 20 shtator 1943 emërohet komandant i batalionit të rinisë “Margarita Tutulani”. Në krye të këtij batalioni ka marrë pjesë në të gjitha luftimet kryesore të zhvilluara, si në Tendën e Qypit, Qafën e Kiçokut, Bubës, Qafës së Shkozës, Paraspuar, luftime të ashpra këto që përballuan operacionin armik të dimrit 1943-1944.
Në një luftim në Paraspuar të Beratit Skënderi plagose rëndë. I mjekuar në spitalet partizane nuk gjeti shërim.
Me krijimin e Brigadës së 7-të Sulmuese, ashtu siç ishte i plagosur caktohet komandant i batalionit të parë të kësaj brigade, por në gjendjen që ishte nuk mund ta ndiqte e drejtonte batalionin.
Në shtator 1944 dërgohet për mjekim në Itali në spitalet aleate. Aty u nënshtrohet dy operacioneve që i shpëtuan krahun, por mbeti invalid i Luftës.
Plagosja ia ndërpreu karrierën ushtarake në lufte, por Skënderi me aftësitë e tij i arriti shokët. Ai u dërgua me grupin e parë te komandantëve të brigadave e divizioneve për studime në Akademinë “Frunze”, ish Bashkimi Sovjetik. Aty u dallua duke i mbaruar studimet me rezultate të shkëlqyera.
Me kthimin në atdhe Skënderi emërohet në Drejtorinë Operative të Shtabit të Përgjithshëm dhe merr pjesë në grupin operativ që drejtoi luftimet kundër provokacione greke në gusht 1949.
Skënderi ka shërbyer në detyra të larta në ushtri, komandant i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, komandant brigade në Shkodër e komandant divizioni në Korçë. Me pastaj zëvendësdrejtor i Përgatitjes Luftarake të Ushtrisë. Ai drejtoi edhe stërvitjen ushtarake para marshallit Zhukov. Ka shërbyer shef shtabi i dy komandave më të mëdha të ushtrisë, atë të Forcave Ushtarako-Detare dhe të Mbrojtjes Kundërajrore të Shtetit.
Në vitin 1974, si dhe shumë kolegë të tij madhorë të ushtrisë, merr goditje të rëndë si pjesëtar i “grupit puçist”. E nxjerrin në pension të detyruar, e heqin nga banesa në qendër dhe e çojnë në një banesë tjetër në periferi të Tiranës nën survejimin e vazhdueshëm të Sigurimit të Shtetit, ku i arrestojnë djalin, Ilirin, për agjitacion e propagandë.
Pas viteve ’90, riaktivizohet duke u bërë një nga themeluesit e parë të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës.
Ka marrë pjesë në disa veprimtari ndërkombëtare. Me propozim të Komitetit të Veteranëve të LANÇ të Skraparit, një strukturë oponente dhe e kundërt me atë që aderonte Skënder Malindi, këshilli i bashkiak i qytetit i dha atij titullin Qytetar Nderi i Çorovodës.
Veç urdhrave dhe medaljeve të vendit tonë, ai mban tri medalje ndërkombëtare si luftëtar dhe komandues në Luftën e Dytë Botërore.
Më 31 korrik 2016 ndahet nga jeta ish komandanti partizan, ish ushtaraku i lartë i ushtrisë shqiptare, Skënder Malindi
Kënaqësitë e jetës sime
– Pjesë nga intervista e fundit që unë i kam marrë Skënder Malindit në maj të vitit 2016 –
I keni kaluar të 90-at dhe çuditërisht mbaheni shumë mirë: çfarë kënaqësie i keni ndjerë kësaj jete dhe çfarë pengjesh iu ka mbetur?
Të jetosh mbi 90 është një privilegj, mbasi jo të gjithë e arrijnë këtë moshë, prandaj ju uroj të gjithë juve, jo vetëm ta arrini, por dhe ta kaloni këtë moshë të gëzuar dhe me shëndet të plotë.
Gjatë kësaj jete të gjatë, kam patur kënaqësi dhe pakënaqësitë e mia. Kënaqësia e madhe ka qenë se kam marrë pjesë në luftë për çlirimin e atdheut dhe kam luftuar njëlloj si partizanët e tjerë, gjithashtu mbas çlirimit kam punuar me funksione të ndryshme në ushtri dhe kam dhënë kontributin tim si gjithë kolegët e mi. Kënaqësi tjetër ka qenë kur Kosova fitoi pavarësinë. Ndërsa pakënaqësitë, edhe ato kanë qenë të shumta, por më mirë të mos i zëmë në gojë. Siç thotë populli, të shkuara, të harruara…Ndërsa pengje kam: që, për të më vrarë mua, më “vranë” djalin, Ilirin, ma futën kot në burg në avenirin e rinisë duke i ndërprerë ëndrrat dhe udhët e jetës, pavarësisht se ai i çau më pas ato, por jo ashtu siç dëshironim si unë dhe ai. Kam peng Mirën, time shoqe, që iku para meje, të kishim jetuar edhe disa vjet bashkë…
Sido me një karrierë të ndërprerë në mes, ju keni qenë në rangjet e larta në ushtrisë shqiptare. Si i keni patur marrëdhëniet me kolegët?
Gjatë gjithë jetës jam munduar të jem korrekt me njerëzit, të kem me ta mirëkuptim dhe shoqëri sa më të sinqertë. Po këto raporte jam përpjekur të kem me superiorët duke zbatuar urdhrat dhe udhëzimet e tyre në mënyrë sa më korrekte, por pa u përkulur.
Pse u goditët në të ashtuquajtur puç të viteve ’70?
Gjatë jetës, sidomos pas 1954, më ka qëndruar mbi kokë Shpata e Demokliut, peri i së cilës u këput dhe më ra në kokë në dhjetor 1974. Në të ashtuquajturin grupi puçist i Beqir Ballukut, ku u eliminuan kuadrot kryesore të ushtrisë, mora edhe unë racionin tim.
Enver Hoxha më 19 dhjetor 1974 në plenumin e zgjeruar të KQ, midis akuzave të shumta që bëri për kuadrot e ushtrisë tha: “Skënder Malindi, njeri me biografi të dyshimtë, thotë lart e poshtë se sa të jetë Petrit Dume nuk më gjen gjë mua”. Unë asnjë herë nuk i kisha thënë këto fjalë. Sepse nuk kam qenë oficer i paaftë dhe i prapambetur që të kërkoja ndihmën e Petrit Dumes. Kështu që të dy akuzat që më bëri Enver Hoxha ishin vetëm shpifje.
Si e përjetuat kohën pas goditjes?
Të gjithë shokët dhe miqtë, kur e morën vesh këtë akuzë, erdhën në shtëpi për të më dhënë lamtumirën e fundit, duke më thënë se tani e tutje nuk do kemi më vajtje-ardhje dhe takim me njëri- tjetrin, këto do të fillojnë kur ti të rehabilitohesh. Iliaz Sevrani sapo hyri në derë, më tha: “Kadiu, Kadiu, Kadiu”. Me këtë donte të thoshte se ty të ka dënuar diktatori dhe ti nuk ke ku të ankohesh më lartë. Këto qenë fjalë kuptimplote dhe filozofike.
Mbas këtyre ngjarjeve, u mënjanova nga gjithë njerëzit. Vetëm kolektivi i punës në Mbrojtjen Kundërajrore qëndroi korrekt, nuk më sulmoi, bile pati oficerë si Nezir Murati nga Mati, Simon Leskaj nga Vunoi i Himarës dhe Nasip Brahimi nga Drizara e Mallakastrës, të cilët më ndihmuan me fjalët e tyre.
Më vonë në 1978, më arrestuan djalin, Ilirin, kjo goditje qe akoma më e rëndë dhe mbeta fare vetëm. Në këtë situatë i vetmi njeri që më ndenji pranë besnike qe gruaja ime, Mira, e cila më shoqëronte kudo, nuk më linte vetëm, sidomos kur ndokush tentonte të futesh në shoqëri me mua. Gjithashtu nuk më braktisën për asnjë çast motra ime Behija me burrin e saj Zenelin dhe vjehrri e vjehrra Avni e Shima Zajmi.
Skënder Malindi sot, i realizuar apo i ligështuar?
Unë ta thashë që në fillim, kam jetuar gjatë, kam parë shumë, por edhe kam mbajtur shumë brenda dhe në kurriz. Kam ndjerë gëzim me ardhjen e demokracisë, sepse e ndjeva veten se nuk do të isha më nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit dhe do të isha krejtësisht njeri i lirë.
Jam befasuar dhe gëzuar kur, me propozim të Komitetit të Veteranëve të LANÇ të Skraparit, një strukturë oponente dhe e kundërt me atë që aderoja unë, këshilli i bashkiak i qytetit më dha titullin Qytetar Nderi i Çorovodës.
Intervistoi: Z. Hoxha