Skënder Malindi: Xhevahir Spahiu, në ’97- ën, “ilegal” në shtëpinë time

Skënder Malindi: Xhevahir Spahiu, në ’97- ën, “ilegal” në shtëpinë time

 

-Bisedë e vitit 2005, botuar në librin me kujtime të Skënder Malindit –  

 

 

Nuk kam dashur ta publikoj këtë ngjarje, pasi edhe vetë protagonist i saj, poet i mirënjohur, njëkohësisht fshatari dhe milku im familjar, Xhevahir Spahiu, e ka mbajtur sekret sipas një pakti që kemi bërë bashkë që herët.

 

 

Edhe pse kaluan kohë, dhe më pas erdhën situata të tjera, Xhevoja  nuk “ia hoqi petën lakrorit”, gjë që e bëjnë vetëm njerëzit fisnikë si ai.

 

 

Në taë kohë vetëm poeti i madh, Dritero Agolli bëri një poezi që kaloi ashtu pa u ndjerë, që e kuptuan vetëm një rreth i ngushtë krijuesish edhe nëpërmjet bisedave me njëri – tjetrin. Ndaj dhe unë po ta tregoj ty në koenfidencë, pasi e di miqësinë që keni ju të dy.

 

 

Ka qenë viti 1997, kur bie telefoni:

 

“Jam djali i Lalanit nga Malindi, a të vij aty se ashtu është puna”, – vjen zëri matanë telefonit.

 

“Të vish”, – i thashë, – si të mos vish, siç ke ardhur gjithmonë.

 

 

Nuk zgjati shumë dhe erdhi me gjithë djalin, Orgesin. Pasi u qetësuam, më tregoi se si një grup policësh i kishin shkuar në shtëpi dhe i kishin shqyer derën me shqelma pa trokitur. Kishin hyrë brenda dhe donin të merrnin si Xhevon edhe djalin me forcë. Djali, në rrmujë e sipër, i shtyrë nga e ëma, kishte dalë, ndërsa Xhevos i ishin hedhur përsipër tre veta. Pastaj ata e kishin lëshuar dhe i kishin thënë të vishej e të bëhej gati se do të shkonte me ta.

 

 

Ndërsa ata po kontrollonin dhomat e tjera, një polic, që i kishte se ishte nga Skrapari, dhe që tani është mik i familjes së Xhevos, i kishte thënë të ikte se kishin porosi ta çonin në komisariat ku e prisnin xhelatët dhe s’dihet se si përfundonte në duarte atyre shtazëve.

 

 

“Ik tani”, – i kishte thënë ai, dhe e kishte shtyrë drejt derës. Në vrap e sipër, në krye të rrugicës, në erësirë, kishte takuar Orgesin. Pasi ishin menduar, kishin vendosur të vinin të strehohehin te unë. Dhe mirë bënë. Kush e di se çfarë do t’i kishin bërë të shkretit Xhevo.

 

 

Po pse? Sepse ato ditë ai kishte botuar një cikël me poezi dhe dënonte atë katrahurë absurde, ato ditë të zeza që po hiqte vendi nën regjimin e Berishës dhe që po kthehej në një luftë vëllavrasëse.

 

 

Po pse Xhevoja zgjodhi të vinte te unë? Ai e quajti vend të sigurt shtëpinë time, jo vetëm për ato që thashë, që ne ishim tanët, por edhe pse unë, si i goditur nga regjimi i Enver Hoxhës, kisha mbështetje dhe oferta nga Partia Demokratike. Kështu që nuk do t’u vinte mendja te unë.

 

 

Ç’e pyet, tamam si në kohën e Luftës, që ilegalët strehoheshin në familje të mesme apo që kishin lidhje me armikun që të mos zbuloheshin.

 

 

Nuk e di se sa ndenji Xhevoja te ne, por i kaloi mbi dy javë. Lexonte gjithë ditën librët që kisha unë. Mirën, time shoqe, e kishim për lajmet jashtë.

 

 

Para shtëpisë time, që është fare afër Shkollës së Bashkaur dhe që ishte në qendër të vëmendjes së anarkistëve ato ditë, kalonin civilë të armatosur me armë të rrëmbyera në depot e ushtrisë.

 

I shikonim këto skena dhe bisedonim me Xhevon të shqetësuar se si do t’i vinte filli kësaj pune.

 

 

Që Xhevoja ishte te unë e dinin shumë pak veta. Një ditë më mori Elsa Ballauri, që ishte, më duket, në Komitetin e Helsinkit me të Drejtat e Njëriut. Ajo më tha që të mos dilte ca kohë se ishte shumë rrëmujë dhe nuk merrte vesh i pari të dytin.

 

 

Një ditë, nuk e di kush erdhi dhe e mori Xhevon me gjithë Orgesin dhe i çoi në Vlorë. Ai kishte të motrën atje, por edhe ajo survejohej, siç më thoshte Xhevoja, ndaj dhe e strehuan njerëz të tjerë që e donin dhe respektonin poetin.

 

 

Xhevoja ka bërë edhe një poezi që ma ka kushtuar mua në atë kohë  duke më përmendur mua si një partizan të vjetër, por edhe “partizan të ri”, që strehon ilegalë në një kohë dhe në një luftë të pakuptimtë.

 

 

Xhevoja ka ardhur edhe një herë tjetër kur e ndiqnin ata të SHIK – ut, por nuk qëndroi gjatë, vetëm dy ditë.