“Skrapari, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë”, me konferencën shkencore: “Veçori të Luftës Antifashiste në krahinën e Skraparit, 1942-1944”

“Skrapari, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë”, me konferencën shkencore: “Veçori të Luftës Antifashiste në krahinën e Skraparit, 1942-1944”

Siç ishte njoftuar edhe më parë, sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë është zhvilluar  konferenca shkencore “Veçori të Luftës Antifashiste në krahinën e Skraparit 1942-1944”, ku merrnin pjesë akademikë, historianë dhe personalitete të tjera shkencore me origjinë nga Skrapari dhe jo vetëm.

Fjalën e mirëseardhjes e mbajti akademik Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave. Më pas pjesëmarrësit i përshëndeti Adriatik Mema, kryetar i bashkisë Skrapar.

 

Në këtë konferencë u mbajtën këto kumtesa:

 

“Roli dhe vendi i Skraparit gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri”, nga Akademik Paskal Milo;

“Marrëveshja e Beratit shtator-tetor 1943 nën dritën e dokumenteve arkivore gjermane”, nga akademik Marenglen Kasmi ;

 

“Dilemat tragjike të një nacionalisti të majtë. Rasti i Xhelal Staraveckës”, nga Akademik Pëllumb Xhufi;

“Çeta e parë antifashiste e Skraparit dhe komandanti i saj, Mestan Ujaniku”, nga Ajet Shahu, Zylyftar Bregu;

 

“Organizimi ushtarak i Ballit Kombëtar në zonënën e Skraparit në Luftën e Dytë Botërore”, nga prof. Asllan Zemani;

“Kontributi i Skraparit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare: ngjare, data, vende”, nga Anila Basho, Sadik Xhaferri.

 

Ndësa me përmbajtjen e materialeve që u kumtuan në konferencë , “Orakujt e Tomorrit” do t’u njohë në një kohë tjetër, sot do të mjaftohemi me  fjalën përshëndetëse të kryetarit të Bashkisë  së Skraparit, Adriatik Mema të cilën po e paraqesim të plotë më posht”

 

 

Fjala përshëndetëse e kryetarit të Bashkisë  së Skraparit, Adriatik Mema në konferencën shkencore “Veçori të Luftës Antifashiste në krahinën e Skraparit 1942-1944”

 

 

I nderuar Kryetar i Akademise se Shkencave Akademik Gjinushi,

 

Të nderuar Akademikë, profesorë, studiues,

 

I nderuari deputet Naço,

 

Të nderuar pjesëmarrës në këtë konferencë,

 

Detyra e kryetarit të Bashkisë më jep  privilegjin të flas nga tribuna më e lartë shkencore që kemi. Ndjehem shumë i nderuar të jem përpara kësaj audience , e cila, si rrallë herë, krijon një sinkron midis studiuesve, referuesve elitarë të historisë sonë, të ftuarve dhe sidomos publikut të gjerë të interesuar për atë çka do të kuvendohet.

Më lejoni, së pari, të shpreh falënderimet më të përzemërta për kryetarin e Akademisë së Shkencave, prof. dr. Skënder Gjinushin, dhe stafin e Akademisë për gatishmërinë e treguar në organizimin dhe mbështetjen e kësaj konference, si dhe për secilin studiues që do të kemi kënaqësinë t’i dëgjojmë pak më pas.

 

Në rrugëtimin e vet shumëshekullor, populli i Skraparit, sikundër i gjithë Shqipërisë, është përballur me sfida të panumërta, të cilat janë fiksuar fort në kujtesën historike. Këto sfida kanë prodhuar vlera kulturore specifike që reflektojnë identitetin e tij kulturor, në raport me krahinat e tjera, dhe formojnë atë që quhet ndërgjegje qytetare krahinore. Midis tyre, një vend të posaçëm nderi, zë rezistenca, përkrahja dhe lufta kundër fashizmit për çlirim.

 

Është tashmë fakt i gjithë pranuar që Skrapari i ka dhënë shumë Luftës Nacionalçlirimtare. Dihet që agresioni fashist e vuri popullin shqiptar para një sprove të re historike. Ashtu si shumë treva të tjera edhe populli i Skraparit u rreshtua në anën e duhur të historisë.  Ai u mobilizua masivisht në Luftën Antifashiste duke dhënë një kontribut të spikatur qytetar, që në raport me kushtet i tejkalonte kapacitetet njerëzore lokale dhe  mundësitë ekonomike e sociale të tij. Krahina e Skraparit ka, ndër të tjera, meritën se gjatë gjithë luftës manifestoi një mbështetje dhe solidaritet mbarë popullor, duke provuar kësisoj se e drejta e lirisë  nuk mund të mposhtet nga çdo lloj armiku sado  i sofistikuar në mjete e armë luftarake.

I gjithë territori i tij mbart shumë ngjarje dhe data historike të shënuara të LANÇ. Skrapari i dha luftës 404 dëshmorë të cilët sakrifikuan për një të ardhme më të mirë të brezave të mëvonshëm. Kjo na bën të gjithëve të ndihemi krenar për atë brez që bëri histori, duke e lartësuar emrin e Skraparit në historinë e luftës për çlirim kombëtar, duke u bërë, po ashtu, pjesë e memories sonë kombëtare. Kjo konferencë përveç të tjerash është edhe një nderim për të gjithë ata që luftuan apo dhanë edhe jetën për çlirim kombëtar.

 

Dëshiroj të citoj një shkrimtar të njohur, i cili thotë se “të gjitha luftërat luftohen dy herë: një herë në fushën e betejës dhe një herë në atë të memories”. Besoj se kam edhe mirëkuptimin tuaj se sa e vërtetë dhe aktuale është kjo frazë edhe për ne shqiptarët. Në kushtet e lirisë së fjalës, të besimit dhe organizimit politik, pra, në kushtet e bashkëjetesës së ideve politike do të ishte mëkat të mos tregonim të vërtetën historike, të vërtetën e heronjve siç ishin, me zigzaget dhe mëdyshjet që ka qenia njerëzore, pra, pa retushe; jo si do të donte të ishin njëra apo tjetra palë. Historia nuk mund të jetë monopol dhe portofol i pushtetit të radhës. Personalisht mendoj se e vërteta historike mund të mos përkojë me të drejtën historike, por ky është një problem tjetër dhe për këtë fjalën e fundit e thonë historianët. Unë jam këtu për të dëgjuar dhe mësuar.

 

Një i ftuar tjetër i veçantë, djali i luftëtarit legjendar, Mestan Ujanikut, Nuri Musabelliu

 

Dhe ndërsa ai brez skraparllinjsh trima dhe patriotë e bëri detyrën e vet, duke u bërë bashkautorë të një nga faqeve më të ndritura të historisë sonë kombëtare, është detyra e të gjithë ne, më së pari e studiuesve, historianëve, elitave politike dhe civile që “beteja e memories” të jetë një pasqyrim real, objektiv dhe gjithë përfshirës i asaj çfarë ka ndodhur shumë vite më parë.

 

Në një farë mënyrë, ky është edhe qëllimi i konferencës së sotme, e cila bën bashkë historianë dhe studiues elitarë të fushës. U jam shumë mirënjohës atyre, jo vetëm pse pranuan të ndajnë me ne punën e tyre shkencore, por edhe për një ndjenjë të dukshme simpatie dhe respekti që ushqejnë për Skraparin.

 

Së fundmi, dua të ndaj me të gjithë ju një detaj special për organizimin e kësaj konference. Ka qenë inkurajimi dhe këmbëngulja e një miku të të gjithë neve sa jemi në këtë sallë, pa përjashtim, që të vinim në këtë ditë. Unë dhe panelistët e nderuar, kemi harxhuar shumë kohë së bashku, duke diskutuar deri në detaje zhvillimin e kësaj konference. Nuk mund ta imagjinoni se me çfarë meraku ka përcjellë çdo hap të organizimit të saj. Ky është prof. dr. Ajli Alushani, i cili po e ndjek këtë konferencë nga larg. Faleminderit, doktor! Ju i bëni nder jo vetëm Skraparit, kudo ku ndodheni.

 

Duke përfunduar, dëshiroj të falënderoj të gjithë të ftuarit për pjesëmarrjen në këtë konferencë. Prania juaj e bën edhe më të plotë atë. Një falënderim i veçantë edhe për stafin e Bashkisë Skrapar dhe atë të Akademisë së Shkencave për përkushtimin profesional për mbarëvajtje të konferencës.

 

Punime të mbara!

Ju faleminderit!