Skrapari në vigjilje të Pavarësisë: Nga gazetat e kohës, “Liria e Selanikut” dhe “Lajmëtari”

Skrapari në vigjilje të Pavarësisë: Nga gazetat e kohës, “Liria e Selanikut” dhe “Lajmëtari”

 

 

Viti 1911 dhe 1912, deri sa erdhi dita e shumëpritur, si gjithë vendi ynë edhe Skrapari u bë për turqit një vatër përvëluese.

 

Dy nga organet e shtypit, që kanë ndjekur zhvillimet në atë kohë në Skrapar, kanë qenë gazeta “Liria e Selanikut” dhe “Lajmëtari”, të cilat japin informacion të bollshëm mbi situatën, por edhe lëvizjet e çetave për liri.

 

Nga ato mëson mbi përpjekjet e Çetës së Ali Farmaqit nga Çepani në Pagri të Përmetit ku mbetën të vrarë 12 xhandarë, për betejën e Orman Çifligut në Korçë ku morën pjesë çetat e Lace Backës, Qamil Panaritit dhe Bajazit Rehovës.

 

 

Krijimi i çetave nxori në pah edhe nevojën e koordinimit të veprimeve, të bashkimit dhe të bashkëveprimit midis tyre. Ndaj në verën e vitit 1911 u krijua një komitet që u quajt Komiteti i Skraparit.

 

Në të merrnin pjesë Hasan Koprëncka, Selim Qulli, Asllan Guda (Vëseshta), Sinan Leshnja, Shemsi Hajro, Sabro Kallajxhiu, Jaçe Gjergjova dhe Dule Koprëncka.

 

 

Nga ana tjetër e Tomorrit, siç shkruan “Lajmëtari”, me 1500 shpirt vepronte Neshat Vrioni, Ferit Lumani dhe Ali Dobrenji.

 

 

Disa numra më vonë, në qershor të vitit 1912, veç çetave të njohura të Sali Butkës, Ali Farmaqit, Riza Kodhelit, Lace Backës, Servet Zaloshnjës, Muharrem Rushitit, Alo Mollasit, gazeta e mësipërme shkruan se çeta të tjera vepronin në Kapinovë, Vëndreshë, Spatharë, Radësh, Prishtë etj. Në mbledhjen e Komitetit ku merrnin pjesë edhe udhëheqësit e çetave, në Çorovodë, u vendos bashkimi i veprimeve me çetat që vepronin në krahinat e tjera, u vendos që çdo derë të kishte një burrë të gatshëm për në çetë, si dhe u zgjodhën ata që do të merrnin pjesë në mbledhjen e  Cakranit të Mallakastrës, me përfaqësues të krahinave të Vlorës, Beratit, Skraparit etj.

 

 

Nuk zgjati shumë dhe më 23 korrik të vitit 1912 u zhvillua Kuvendi i Sinjës, ku u hartua një memorandum, të cilin në emër të popullsisë së Skraparit e firmosën Muço Kapinova, Mahmud Zaloshnja, Sejfulla Staravecka, Ali Bargullasi, Riza Shahini si dhe krerët e tjerë të çetave.

 

 

Siç del edhe nga dokumentet e kohës, Skrapari ishte i gjithi nën kontrollin e forcave kryengritëse dhe s’pritej gjë tjetër, vetëm të zyrtarizohej Pavarësia.

 

 

Sinjali i parë, që gëzoi parinë e Komitetit të Skraparit dhe udhëheqësit e çetave, ishte telegrami i Ismail Qemalit, i hequr më 18 tetor 1912 nga jashtë vendit, ku kërkohej që të zgjidheshin përfaqësuesit për në Kuvendin e Vlorës.