Skrapari/Një reportazh i vonuar për një trevë të mënjanuar nga koha, por me lavdi të papërsëritshme

Skrapari/Një reportazh i vonuar për një trevë të mënjanuar nga koha, por me lavdi të papërsëritshme

Xhevdet Shehu

 

Kisha më shumë se 30 vjet pa qenë në Skrapar, një nga trevat më të mrekullueshme të Shqipërisë. Nuk kisha arsye që të hyja në atë “xhep” që nuk të nxjerr kurrkund. Por mbase këtu qëndron magjia. Sepse janë ca gjëra që të shtyjnë drejt aventurës. Janë ca instinkte që të shfaqen edhe në ëndrra. Është një Tomorr atje, janë ca vise të papërsëritshme, janë ca kanione unikale…. Por mbi të gjitha janë njerëzit. Janë skraparllinjtë e patjetërsueshëm që, po nuk i ke njohur nga afër, të duken të pabesueshëm në identitetin e tyre.

 

Skrapari ka histori. Kjo është kryesorja.

 

Nuk e teproj aspak, por e them me bindje se jam një nga ata që skraparlinjtë i çmoj si një nga vlerat më identike dhe më të qenësishme kombëtare.

 

E një nga këto vende që mua më është shfaqur shpesh edhe në ëndrra është Skrapari, Çorovoda, Helmësi dhe Lirëza e famshme ku u mbajt Kongresi i Parë i Rinisë Antifashiste.

 

Kam shkuar shpesh në Skrapar para vitit 1990 në përkujtim të ngjarjeve historike që lidhen me atë trevë të lavdishme. Kam shkruar reportazhe me entuziazmin dhe euforinë e një gazetari të ri të asaj kohe. Nuk jam aspak pishman që i kam shkruar ato reportazhe. Ditët e fundit duke shëtitur me miqtë e mi, kujtova Iljaz Kapxhiun një njeri i mirë dhe po aq një shkrimtar i veçantë. Shëtisja mbrëmjeve me Iljazin buzë Osumit, debatonim, grindeshim dhe pastaj shtroheshim te Sorkadhja dhe pajtoheshim…

 

Kthimi pas 30 vjetësh në atë trevë jo vetëm më emocionoi, por edhe më vuri në mendime. Pse jo edhe të vuaja… Pashë masakrimin e plantacioneve të famshme me fiq dhe pemë frutore të Uznovës dhe të Roshnikut dhe… mu mbushën sytë me lotë…

 

Në Bogovë bëmë një ndalesë të shkurtër. Bogova e famshme me atë ujin qelibar. Dhe me pyllin përballë. Aty vinte dikur Mehmet Shehu, ish-Kryeminstri dhe gjuante derra të egër. Pasi u vetëvra Mehmeti, me urdhër nga lart u pre pylli! Një krim më vete. Pylli i famshëm ende nuk e ka marrë veten. Por unë e pashë si përtërihej. Do të përtërihet! Nuk ka rrugë tjetër!

 

***

 

Para disa ditësh, më 22 janar, duke udhëtuar drejt Çorovodës më brohorisnin në mendje një pafundësi kujtimesh dhe pjesëzash historie.

 

E vetmja gjë që më kënaqi dhe që më bëri të hyja si në shtëpinë time ishte Skrapari. Ai mu shfaq i njëjtë si para 30 vjetësh. Tomorri, mali madhështor kishte hedhur një kësulë reje qesëndisëse mbi krye dhe mua më dukej sikur më shkelte syrin e më thoshte: Ç’je ti more vagabond që edhe bën sikur më do, edhe më harron për 30 vjet me radhë?…

 

Më fal, Tomorr!, i thashë në heshtje. Ti je i përjetshëm dhe ke të drejtë. Ne të tjerët jemi të përkohshëm. Lavdi, Tomorri ynë!

 

Çorovoda ishte po ai qytet që kisha në përfytyrimin tim ku mund të ecja thuajse symbyllazi. Nuk ishte tjetërsuar nga ndërtimet kuturu dhe nuk ishte prishur nga deformimet e përbindshme të pas 90-s. Qendra e qytetit ishte zbukuruar. Riza Cerova në qendër të qytetit me vështrim nga malet, ishte sa epik, aq dhe heroik e poetik.

 

***

 

Nejse, sebepi i vajtjes sime në Skrapar këtë radhë ishte Spartak Braho. E bënë Qytetar Nderi të Skraparit. Përmend me respekt në këtë rast kryetarin e Bashkisë, Adriatikun dhe kryetaren e Këshillit bashkiak, Edlirën. Nuk është pak të nderohesh nga ajo krahinë. Sapo përmendet Skrapari, menjëherë të vetëtijnë në mendje figura të tilla emblematike të historisë si kapedanët Lace Backa, Riza Kodheli, Zylyftar Veleshja apo emra të shquar si Riza Cerova, Zylyftar Veleshnja, Kahreman Ylli, Neshat Hysi, i papërsëritshmi Demir Zyko, poeti Xhevahir Spahiu, Dr. Ajli Alushani. Dhe pasi përmenden këta emra, natyrshëm vjen edhe Spartak Braho, politikani dhe njeriu që me fanatizëm ecën në gjurmët e të parëve të tij të ndritur.

 

Kur isha para një jave në Skrapar dëgjova dhe shijova ca këngë të mrekullueshme të skraparllinjve të sotëm. Nga kënaqësia, shkrova emrat e tyre në bllokun tim. Quhen Sokol Memollari, Ferdinand Dabi… e të tjerë. Kur të shkoj herën tjetër jo vetëm do t’u shënoj emrat të gjithëve, por edhe do të dal në fotografi me ta. Kënduan ata burra edhe për Luftën Antifashiste. Edhe për Enver Hoxhën. Sidomos me atë këngën e Tendës së Qypit më mallëngjyen jashtë mase. “Në Tendën e Qypit, lufta seç u ndez/ Komandant Mehmeti sulm po thërret!…”