Skraparllinjtë

Skraparllinjtë

Që në fillim duhet nënvizuar se  ka qenë e mbetet koha që lypset  të krenohemi me ato të mira të trashguara nga paraardhësit tanë të lashtë, të largët, të shekullit të fundit kur vendi ynë  krijoi shtet, nga e kaluara e pa tharë mire, socialiste dhe nga e sotmja disi e hidhur, por me shpresa për më mirë.

 

Ato janë të bollshme, mjafton që brezave t’ua përcjellim me durim e pandërprerje. E më tej, s’ka pse të mburremi me ato që dëshirojmë t’i kemi apo  me ata emra (edhe pse janë shumë të paktë) që lanë gjurmë jo të mira për ecurinë atdhetare, duke ua mbuluar ato. Më duket më e lirshme që banorët e trevës tonë, në këtë shkrim, t’i quaj skraparllinj (si cilësor më i lashtë, por jo se nuk duhet përdorur fjala “skraparas”).

 

Si burim të hershëm të shkruar shqip ku përmendet emri toponimik Skrapar, gjejmë në librin “Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë”. Duke folur për kryengritjen shqiptare kundër qeveritarit bizantin në Berat, N.Ganzes, në vitin 1335-1336, thuhet sa vijon: “Shqiptarët që banonin rreth Beratit e Kaninës, që janë prej natyre kryengritës, zaptuan qytetet e atjeshme. “Gjithashtu edhe një kështjellë që quhej Skrepar, Këlcyrën si dhe Tomorrin, i cili edhe ai, ishte një kështjellë e banuar, në perëndim, afër Beratit kryengritësit i shtinë në dorë dhe ishin të sigurt për grabitjet e sulmet e shpeshta e të shumta”.

 

Për këtë shkak perandori mendon të sulmojë me ushtri kundër tyre. Dhe burime të mëpastajme ka, ndonëse  jo me shumicë.

Historia i njeh skraparasit si njerëz luftëtarë, energjikë, të shkathët, guximtarë qofshin burra apo gra. Burrat e Skraparit, ashtu si edhe në treva të tjera të Shqipërisë si, bie fjala, në Dibër, Labëri e gjetkë.

 

Në Skrapar edhe luftëtari më i dobët është trimi më i mirë në fushën e betejës. Të kalitur ndër shekuj me rradhë në luftë qafash e pritash, me çeta e grupe nën idealin e madh për të mos iu nënshtruar asnjë të huaji, me një guxim proverbial, për të mbrojtur truallin e lindjes dhe nderin e familjes, për të mbrojtur atë pak pasuri ekonomike, por atë më të madhen pasuri: larine  – trimat e trojeve të Skraparit vetëm kanë luftuar.

 

Në historinë e tyre të shkruar e të legjendizuar, skraparlinjtë janë njerëz  që duan të jetojnë të lirë e sipas zakoneve të tyre tradicionale,t ë jetojnë vetëm por jo vetëm për veten; të mësojnë prej të tjerëve, por pa u bërë shumë merak se ka edhe të tjerë që jetojnë më ndryshe nga ata, natyrshëm duke marrë ato që u duken më të mira tek jetesa e të tjerëve.

 

Ai me anë të dyfekut, në tërësi, shikon shumicën dërrmuese të zgjidhjeve për të arritur realizimin e jetës së lirë. Kur futet në radhë (për luftë, për punë, për këngë e për çdo veprim tjetër që kërkon zgjuarësi e guxim),  pranon plotësisht e i bindet deri në vetmohim njëshit, dmth të parit, udhëheqësit, komandantit, kapedanit.

 

Skrapari si krahinë, historikisht e gjeografikisht, ka qenë i izoluar nga pikëpamja e terrenit: zonë e mbyllur luginash, malore, malesh të larta e pllaja kodrinore, pyje dhe gërxhe, me pak udhëkalime  këmbsore e karvanore e thuajse aspak rrugë për mjete lëvizëse me rrota (veç pjesës së Egnatias). Dhe izolimi është sa i rrezikshëm për zhvillim të mundshëm krahasues aq edhe gjendje më e lehtë për ruajtje të traditës e të mirave të shumta (por edhe të këqijave për aq sa janë të tilla).

 

E analizuar në përgjithësi, si karakteristikë veçuese, skraparliu nuk i trëmbet vdekjes; mjafton që vdekja të jetë e ndershme, të jetë vdekje burrash, në fushë të betejës, në roje apo në krye të një ideali të madh siç është mbrojtja e atdheut, nderit, familjes, pronës së ligjshme, krenarisë e burrërisë. Këtë cilësi e kanë të kultivuar ku më shumë e ku me pak edhe banorë të tërë krahinave të tjera të Shqipërisë.

 

Për ta theksuar një moment duhet thënë: kudo që të jetë skraparlliu që ruan origjinën dhe genin e tij, që i thotë vetes me fuqi shpirtërore “jam skraparlli” pavarësisht se ku jeton, banon apo punon, brenda krahinës, brenda Shqipërisë dhe jashtë saj, në çdo cep të globit, pavarësisht se më kë është martuar apo  me kë ka bërë krushqi e fqinjësi, i ruan,madje me raste edhe i manifeston dukshëm këto tradita të marra në tërësi e në veçanti.  (I. Qazimi)