Skraparlliu

Skraparlliu

 

 Luman Caka

 

Veshur me shajak,

Opingat me tela,

Gunën përmbi supe,

Grykëholla te dera.

 

 

Bukën nëpër vite,

Në samar të mushkës,

Lindur dhe rritur,

Nën krismat e pushkës.

 

 

I lidhur me tokën,

Viteve në shekuj,

Si trupi me kokën,

I gjallë dhe i vdekur.

 

 

Bijtë e tu të vrarë,

Nëpër shkretëtëtirë,

Kurban për sulltanët,

Trimat më të mirë.

 

 

Mbretërit’ e botës,

Pa gjuhë ç’të lanë,

Shtatë vrima fyelli,

Ç’të qanin më parë.

 

 

Mbete në çdo kohë,

Dyfek i Shqipërisë,

Gjak e djersë ujite,

Rrënjët e lirisë.

 

 

Kënga ulërimë,

Si gjithë jeta jote,

Ky bilbil Demiri,

Qante a këndonte?!

 

 

Gratë lule-shkëmbi,

Si sorkadhe mali,

Fjalën mjalt’, të ëmbël,

Vallë, kush ta fali?

 

 

Perëndia jote,

Ishte e mbeti miku,

Derë e zemër hapur,

Dhe në kohë rreziku.

 

 

Kokulur në punë.

Plot besim te shteti,

Po kur ngrite kokën,

Kazma lart ç’të mbeti!

 

 

Gurr’ e Qafës së Martës,

Kjo rakia jote,

Me gjizë e me qepë,

Zemra të këndonte.

 

 

O vise të ashpra,

O njerëz të mirë,

O male të larta,

Vallë si qenkam pirë?!