Sokaku i Gjirokastrës nuk ka më “të marrë”!
– Për Ismail Kadarenë (28 janar 1936 – 01 korrik 2024), – Gjeneralin e Ushtrisë së Shkrimtarëve –
Viktor Bakillari
Iku edhe i Dyti i Sokakut të të Marrëve!
Iku, kurmërisht nga mbitoka!
Tashmë trupi i tij i përket … nëntokës. Disa thonë Plutonit, disa thonë Hadesit, disa Parajsës. Disa besimtarë të thekur thonë se i përket xhehenemit e disa të tjerë (shumica!?), xhenetit.
Sidoqoftë e megjithatë, vepra e tij u përket tokësorëve, gjallëtarëve.
Do të vazhdojë të këndohet, të lexohet, të diskutohet, të anatemohet e të lartësohet.
Deri në datën 30 qershor për të thuhej: “Ai ka lindur më 28 janar 1936 në Gjirokastër”.
Në datën 1 korrik, ndryshoi përgjithnjë edhe koha e foljes.
***
Kushdo që ka sadoqoftë edhe kujtimin më të vogël me të, një fotografi, një takim a një letërkëmbim me të, sigurisht që do ta sjellë në rrjetet sociale, kryesisht në Feisbuk.
Këtë e bëjnë të njohur dhe të panjohur, të cilët duan që me një fotografi me të, të bëhen të njohur.
Unë, anonimi, nuk kam ndër mend të sjell këtu njohjen dhe përshtypjen vetjake që kam pasur me Kadarenë.
Nëse do t’i sillja, do të befasoheshin të gjithë ata që e ngrenë në Baba (mal) Tomorr dhe ata që donin ta shikonin shtatë pashë nën dhѐ.
Këtu unë do të sjell disa mendime e sugjerime për të si Gjeneral të Ushtrisë së Shkrimtarëve.
***
Saktësim gjuhësor:
Për Kadarenë, qysh nga data e ikjes së tij (1 korriku i vitit 2024), nuk duhet të thuhet më “ka lindur”, por “lindi”.
Për ata që nuk njohin me themel gjuhën shqipe, saktësojmë se nuk është aspak e njëjta gjë.
Nëse dikush nuk jeton, atëherë duhet përdorur koha e kryer e thjeshtë (lindi). Kjo është kohë që ndërpret njëherë e mirë marrëdhëniet me të tashmen dhe me të ardhmen.
Pra, nëse do të thoshim: “Ismail Kadareja ka lindur më 28 janar 1936 në Gjirokastër”, kjo realisht, faktikisht dhe gjuhësisht do të ishte e papranueshme, sepse, sipas nuancave kohore- gjuhësore do të thotë që ai vazhdon të jetojë, të frymojë.
Nëse do të thoshim: “Ismail Kadareja lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër”, kjo do të thotë që ai nuk jeton më…
Mjafton koha e foljes për të marrë vesh nëse dikush rron apo nuk jeton më.
Vazhdojmë …
***
Kadareja ishte nga Gjirokastra, nga një emërvend i marrëzishëm që formon një togfjalësh turko-shqiptar tejet kërshëror, nga “Sokaku i të Marrëve”.
Asnjë nuk e di me saktësi historinë e këtij emërtimi vendi duke lënë shteg edhe për abuzime shpeshherë të paskrupullta e dashakeqe.
Disa thonë se ky emër ka mbetur nga zhurma e madhe e njerëzve kur zbrisnin poshtë, dhe ata që banonin aty pranë thoshin: “ Po kalojnë të marrët”.
Ky sokak ishte i shtruar me kalldrëm dhe, për fëmijët e mbathur me nallane, kur luanin ose kur zbrisnin me rropamë, për shkak të zhurmës drraka-drruk e drruka-drrak të nallaneve, banorët aty pranë thoshin: “ … po kalojë të marrët, po shkojnë të marrët”.
E megjithatë, dy mendje jashtënormale, dy mendje “të krisura”, dy mendje “të çartura”, dy mendje “të marra” nga “Sokaku i të Marrëve”, dy mendje për disa gjeni e për disa djaj, sidoqoftë me herës të epërm zgjuarsie e mençurie kanë qenë pikërisht nga ky Sokak. Bëhet fjalë për komunistin shqiptar, shokun / tovarish-in, druzhen, tongzhin (në kinez.) Enver Hoxha dhe për shkrimtarin (romancierin e madh) me famë ndërkombëtare shukun (para viteve 1990)/ zotin /zotërinë (Mësjënë (Monsieur), Mister, Sir Ismail Kadare.
Dy mendje që ia dolën të tërhiqnin vëmendjen e shqiptarëve dhe, përse jo, edhe të botës.
Njëri në politikë, tjetri në letërsi.
***
Kadareja … vdiq.
Vdiq më 1 korrik 2024. Arkëmortin ia mbuluan me flamurin kombëtar. E varrosën më 03 korrik 2024.
Vdiq në Tiranë. Vdiq në Tiranën e tij të dashur, në Tiranën që e deshi dhe që e deshën apo edhe që nuk e honepsën. Vdiq në Tiranën e mbushur me lloj-lloj qeniesh e krijesash të ndryshme: që nga engjëj / melaqe e deri në djaj, ezhdërha e përbindësha, në Tiranën me të urtë e trima dhe në atë me intriga, në Tiranën e mbushur me tiranë e me të marrë, me të krisur e me të zgjuar e me urtarë, me të shkurtër e me të gjatë, me fshatarë e me qytetarë, me shqiptarë dhe joshqiptarë.
Tirana zjeu këto tri ditë nga kjo ngjarje. (Dihet, çuditë më të mëdha nuk zgjasin më shumë se tri ditë).
Është kryelajm.
Zien edhe bota e kulturës dhe e botimtarisë. Është normale. Kadareja, ky letrar i madh dhe lëvronjës elitar i gjuhës shqipe, është përkthyer në të gjitha gjuhët kryesore të globit (thonë në mbi 50 gjuhë). Ikjes së tij i kushtoi vëmendje Franca, Gjermania, Italia, fqinjëria, Amerika, Arabistani, Australia dhe Japonia.
Bota pas 1990, për cilindo shqiptar që ndesh, bën lidhje me dy personalitete të rëndësishme: Nënë Terezën dhe me Ismail Kadarenë.
Kontribuues në dy shtylla qendrore të pashembshme të njerëzimit: Nënë Tereza në Fe dhe, në Kulturë e në letërsi, shkrimtari Ismail Kadare.
Shumë u fol, shumë u shkrua, shumë herë u caktua, shumë herë u lakua që Kadareja, mëtues (pretendent) i vitpërvitshëm pas 1990, të fitonte çmimin “Nobel” në letërsi, por nuk e arriti dot. Besoj se ky mund të ketë qenë kryepengu i tij për kurorëzimin e tij dhe të letërsisë shqiptare. E keqja është se ky çmim nuk jepet pas vdekjes.
Kështu që s`qe e thënë që ta vendoste atë diademë! I mbeti peng.
I mbeti “ëndërr në sirtar”.
Nëse “Sokaku i të Marrëve” është thjesht toponim-fjalë, bota ka me të vërtetë ndjellakëqinj, shpirtzinj, bërryla të hekurt e të marrë!
***
Debatet për njerëzit e mëdhenj nuk sosin ndonjëherë. Madje ato duket sikur marrin flakë pas largimit të tyre nga kjo botë.
Një debat të madh pati edhe për vendprehjen e Kadaresë.
Kadareja qe shqiptar.
Kadareja qe frëng (“i birësuar” nga ai vend.)
Kadareja qe kozmopolit, qytetar i botës.
Një gazetar shqiptar (B.F.), i cili drejton një emision shumë të ndjekur, emision në të cilin jepen çdo javë opinione pa fund, hodhi një ide interesante që Kadareja të mos varrosej në varrezat e qytetit të Tiranës, por të prehej në kodrat e liqenit të Tiranës, pranë disa korifenjve të kombit shqiptar, pranë vëllezërve Frashëri, Mithatit dhe Faik bej Konicës. Ç`është e vërteta, ai është një vend i mirë prehjeje. Aty janë këta korifenj, aty pranë gjenden memorialët dhe emrat e të rënëve anglo-amerikanë dhe të atyre gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Po aty pranë, në krahun tjetër të rrugës, mbanë amfiteatrit, ndodhet edhe “Pylli i Dritëroit” (Agollit).
Nuk e di se si do të përjetohej në publik, nëse Kadareja do të vendosej aty pranë dhe një qiparis i lartë i pyllit të Dritëroit t`i bënte hije Kadaresë …
Në fund të fundit e sidoqoftë, për Dritëroin u vendos një toponim në atë vend të komentuar e të lakmuar për prehje në amshim…
Megjithatë, Kadaresë, për kontributin që dha dhe për zulmën që arriti, dy metra vend mund t`i siguronte çdo vend i botës: Gjinokastra, Skrapari, Tirana, Durrësi, Lezha, Qyteti i Bekuar (Kruja), Thethi i malësorëve dhe i albanologut Robert Elsie, çdo vend i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar: Presheva, Prizreni, Prishtina, Ulqini, Shkupi; Filati, Kalabria, madje edhe Franca, Mançuristani e … filifistuni.
U vendos që ai të varroset (përkohësisht) në varrezat e qytetit të Tiranës, në Tufinë.
U premtua nga Lart se do të gjendet një vend tjetër (pa u saktësuar) që të jetë “vetëm i tij”.
Rasti i Kadaresë përbën rrallësi…
Pavarësisht protokollit qeveritar dhe politikës, e mira do të jetë që vendprehja e tij të diskutohet edhe pak më gjerë e më gjatë. Nuk po them në popull. Nuk është fjala për referendum…
Mendoj se duhet të krijohet një komision edhe më i gjerë ku të merren në konsideratë edhe mendime personalitetesh, studiuesish e miqsh të tij. Të merren parasysh mendimet dhe sugjerimet, fjala vjen, të Bujar Hudhrit, Xhevat Lloshit, Skënder Gjinushit, Valter Memishës, Shaban Sinanit, Shaban Muratit, Arian Lekës, Zyhdi Dervishit, Shefkije Islamajt, Qemal Muratit, Bashkim Kuçukut, Mark Markut, Agim Vincës, Visar Zhitit, Sadik Bejkos, Fatmir Toçit, Bashkim Shehut, Mira Meksit, Piro Mishës, Aurel Plasarit, Fahri Balliut, Namik Dokles, Tedi Papavramit, Ali Ahmetit etj., etj.
Të shqyrtohen të gjitha mundësitë e pastaj, me një konsensus, pasi të motivojnë mendimin dhe qëndrimin e tyre, të vendoset.
Mendimi im:
Gjasat e mëdha janë që Kadareja do të prehet në kryeqytetin e shqiptarëve, në Tiranë, dhe nuk është aspak gjë e qortueshme (harrojeni se mund ta lërë Tirana Kadarenë!), por ai duhej të prehej (duhet të flejë amshueshëm!) në vendlindje, në … Gjirokastër, – qytetin e tij të lindjes, në qytetin e tij të gurtë, për të cilin bëri aq shumë dhe i dha letrarisht përjetësinë.
***
Kombi ynë ka nxjerrë e do të nxjerrë njerëz të shquar.
Mos vallë ka ardhur koha që shteti shqiptar të ngrejë një PANTEON për personalitetet e ndjera më të ndiera të kombit, për më zulmëmëdhenjtë e kombit shqiptar, të cilët me jetën dhe me veprën e tyre shembullore meritojnë mirënjohjen e brezpasbrezshme të shqiptarëve dhe të dashamirësve të tyre?
Them se po!
Shteti ynë duhet të ngrejë një panteon të dinjitetshëm dhe mbresëlënës për njerëzit e mëdhenj që ka nxjerrë ky komb, ky dhé burrash që nga hershmëria deri në mësëvonshmëri.
Shteti ynë duhet që këta njerëz-(gjysmë)perëndi t`i bashkojë nën një kupolë rreth flamurit të përbashkët kuqezi, i cili t`u valëvitet përjetësisht përsipër dhe flaka ditënatë e pishtarëve të pashueshëm të ndriçojë dhomëzat ku do të flenë e do të prehen përjetësisht.
U bëftë!