Syti bej Vëndresha, kush ishte dhe pse është lënë në harresë!?…

Syti bej Vëndresha, kush ishte dhe pse është lënë në harresë!?…

Zylyftar Hoxha

 

Para se të vazhdoj më poshtë duhet të them se, megjithëse jam marrë shumë me historinë dhe figurat patriotike të Skraparit, emrin e Syti Vëndreshës e kisha ndeshur rrallë dhe tagent. Titulli “bej” që e kishte trashguar që me kohë me ferman Sulltani dhe ideologjia e kohës e kishin lënë atë, jo në hije, por në errësirë!…

 

Shumë vonë për të më ka folur mësuesi dhe miku im i vjetër, Qani Zaimi, me dokumentet dhe të dhënat e të cilit unë kam bërë këtë shkrim.

 

Mendoj se në arkiva duhet të ketë dokumente të tjera që mund të ndriçojnë figurën e këtij patrioti të spikatur, por të lënë në harresë.

Studiuesit dhe historianët, sidomos ata skraparllanj, duhet të thellohen më tej.

 

 

***

 

 

Patrioti Syti Vëndresha rrjedh nga një fis me një histori të gjatë, nga një derë e madhe nga më të dëgjuarat në Skrapar. Origjina e hershme e kësaj familje është nga Kudhësi i Kurveleshit. I pari i tyre është marrë me administrimin e një prone të madhe dhe të shpërndarë, që quhej ziamet, ndaj dhe kanë marrë mbiemrin Zaimi.

 

Origjina e kësaj prone mund të zërë fill që nga periudha e spahillëkut. Thuhej se një pjesëtar i kësaj familjeje kish qenë oficer i lartë në ushtrinë e perandorisë turke dhe ishte u vrarë në një fushatë osmane. Familja për shkak të tij mori shpërblimin, por edhe titullin bej me ferman nga Sulltani.

 

Ndoshta ndonjë konflikt ose ndonjë arsye tjetër madhore e ka detyruar këtë familje të vendoset në Vëndreshë. Por një gjë është e qartë, dhe që del edhe nga historiku i kësaj familje, se pjesëtarët e saj gëzonin një një respekt e simpati e veçantë nga e gjithë zona, veç të tjerash për arsimin dhe edukatën që ata kishin marrë në shkolla të ndryshme të Turqisë, por edhe angazhimit në administratën shtetërore dhe formacionet ushtarake të atëhershme.

 

Megjithatë punët e kësaj familje me qeverinë turke nuk kanë shkuar vaj. Lidhjet me Ali Pashë Tepelenën dhe më pas me figurat më në zë si Çelo Picari, Rrapo Hekali etj. në kryengritjet kundër reformave të Tanzimatit, e armiqësoi derën e Zaimajve me Turqinë, e cila u kufizoi atyre shumë privilegje që gëzonin më parë.

 

Pikërisht në këtë periudhë, në vitin 1855, lindi Sytiu. Ashtu siç e kishte traditë, që fëmijët i bënte më shkollë, familja e dërgoi në Stamboll në një shkollë ekonomike. Pasi mbaroi studimet aty, Sytiu vjen përsëri në Skrapar. Punon për një kohë të gjatë në administratën shtetërore si financier, në fillim në Vlushë, pastaj në Vërzhezhë e në Çorovodë.

 

Natyrisht, duke qenë gjithmonë në lëvizje dhe në kontakt me shumë figura të njohura historike të krahinës dhe më gjerë, ai u aktivizua në të gjitha ngjarjet historike të kohës.

 

Si qeveritar, përkrahu reformat e Xhonturqve, pasi ato sillnin një frymë të re më të përparuar në krahasim me drejtimin despotik të Sulltanit, por si i gjithë populli, u zhgënjye nga ato, pasi qe vetëm një mashtrim. Në këto kushte ai u lidh me patriotët më në zë të asaj kohe, veçanërisht me familjen e bejlerëve të Koprënckës, me të cilën kishte miqësi, dhe mori pjesë në klubin patriotik “Pellazg”, duke u bërë një anëtarët më aktiv të këtij klubi.

 

Shpallja e Pavarësisë në vitin 1912 e gjeti Sytiun në anën e atyre njerëzve që kishin kohë që luftonin për një ditë të tillë. Bashkë me patriot të tjerë ai luftoi për vendosjen e administratës së re të Qeverisë së Vlorës dhe qe një nga njerëzit më aktiv jo vetëm deri në rënien e saj, por edhe më pas kundër Esat Pashë Toptanit.

 

Janë disa mitingje dhe dhjetëra telegrame që populli i Skraparit iu drejton Fuqive të Mëdha kundër tradhtarit Esat Pashë Toptani. Në këto dokumente është edhe firma e Syti Vëndreshës si përfaqësues i parisë së Skraparit të zgjedhur nga populli.

 

Në vitin 1919, së bashku me Refat Vëndreshën, firmosin në emër të popullit një peticion drejtuar Lidhjes së Kombeve për lëshimin e ishullit të Sazanit, të cilin e kishin pushtuar italianët.

Më 1921, Syti Vëndresha themelon shoqatën patriotike atdhetare “Tomorri” dhe vihet në krye të saj.

 

Në vitin 1920 bashkë edhe me patriotë të tjerë më në zë, merret me organizimin e forcave të Skraparit për në Luftën e Vlorës, ku dërgon edhe djalin e tij, Zalon. Po kështu Sytiun do ta gjejmë në Kongresin e Lushnjës në vendimmarrjet e këtij Kongresi si dhe në të gjitha ngjarjet e ngjeshura të mëvonshme si, në Qeverinë e Nolit në vitin 1924, në Lëvizjen e Fierit më 1935-ën me Riza Cerovën etj.

 

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e gjeti Sytiun plak, por jo të lodhur. Vërtet që s’kishte fuqi të merrte malin, por ai e ktheu shtëpinë e tij në një bazë të rëndësishme edhe strehë për partizanët.

 

Të gjithë djemtë Sytiu i dërgoi në Luftë, në formacionet  të ndryshme partizane. Zeneli, djali i madh, ra dëshmor që në fillimet e lëvizjes. Zalua ishte kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar të zonës, që me ngritjen e tij në tetor të vitit 1942 e deri në përfundimin e Luftës. Bariu ishte oficer madhor në Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Ai njihet edhe si një ndër themeluesit e Armës së Artilerisë Shqiptare.

 

Syti Vëndresha vdiq në vitin 1948.

Megjithëse kishte një aktivitet të dendur në shërbim të Atdheut dhe i dha aq shumë Luftës, pas çlirimit familja e tij u pa vëngër, thjesht dhe vetëm nga pozita ekonomike, një peshë të pa merituar që e mbajtën mbi supe gjithë pasardhësit e kësaj familjeje të nderuar e patriote.

 

Janë bërë shkrime, artikuj, është bërë historiku i rrethit, por, fatkeqësisht, emri i Syti Beut nuk përmendet ose përmendet si një figurë dytësore, në një kohë që ai ka qenë protagonist në shumë ngjarje me disa të tjerë, për të cilët nuk lihet rast pa folur e shkruar.

 

Lënia në harresë e veprimtarisë atdhetare të Sytiut beut pa ndonjë shkak madhor, mund të ketë qenë e qëllimshme, por mundet edhe të jetë ideologjizuar në mënyrë ekstreme.

 

Sido që të jetë, kjo është një padrejtësi historike që duhet të ndreqet, të vihet në vend nderi dhe dinjiteti i këtij luftëtari të paepur dhe i familjes së tij.