Tafil Kurti (Zabërzani) / Shpresa jete në çantën e një infermieri

Tafil Kurti (Zabërzani) / Shpresa jete në çantën e një infermieri

Zylyftar Hoxha

 

Ai s’pati kurrë një shtëpi të tijën, por u end fshat më fshat një jetë të tërë me shtëpi të improvizuara në ndonjë qoshe magazine a depo të kooperativave bujqësore, në shtëpi të braktisura ose duke i vendosur fëmijët dhe plaçkat e shtëpisë në ambulancën mjekësore ku punonte.

Kështu shkoi jeta e infermierit Tafil Kurti apo Tafil Zabërzanit, siç e thërrisnin ndryshe. “I harruar” në punë, ai e kuptoi në fund, kur doli në pension, se jeta paska edhe gjëra të tjera veç ndërgjegjes dhe idealizmit.

 

Në moshën e thyer mbeti në fshatrat e botës. Iu desh djalit të tij, Fatmirit dhe vajzës, Donikës t’i merrnin të dy prindërit, Tafilin dhe Elmazen në Poliçan, të kalonin ditët e pleqërisë, që, fatkeqësisht, për Tafilin qenë të shkurtra.

 

Po kush ishte Tafil Kurti?…

 

Lindur dhe rritur në Zabërzan, deri sa një ditë, në moshë fare të re, hodhi pushkën në krah dhe doli partizan, në fillim në Grupin e Skraparit e më pas në Brigadën e 7 –të Sulmuese.

Pas çlirimit ai bën një kurs infermierie në Shkodër kur qe ushtar. Vjen në Skrapar dhe punon për mbi 10 vjet në Gjerbës dhe në fshatra të tjerë të Tomorricës. Pastaj transferohet në zonën e Potomit, në Qafë, Malind, Çepan etj. Nuk ka fshat të Skraparit të mos ketë shkelur Tafili me çantën e tij të ilaçeve në kurriz. Kushedi sa njerëzve u ka shpëtuar jetën nga sëmundjet apo nga aksidentet.

 

Përvoja e gjatë në shëndetësi e kishte bërë mjeshtër në përballimin e urgjencave dhe mjeshtër të mikrokirurgjisë. Ndaj dhe shpesh atë e thërrisnin “Doktor Tafili”, titull jo zyrtar, por që ai e meritonte për punën që bënte.

Me të motrën

 

Për të s’kishte pushim, për të s’kishte natë të qetë. Gjithmonë ai ishte te i sëmuri. Edhe kur doli në pension, nuk e hoqi çantën nga dora, e mbante me vete dhe shkonte në lagjet periferike si në Mbrakull, Plirëz dhe Pronovik dhe u bënte gjilpëra të sëmurëve.

 

Tafili ishte nga ata njerëz që i përkushtohej si rrallë gjëje tjetër punës, ndaj kudo që ai punoi la shembullin dhe gjurmët i një njeriu të urtë e tepër të palodhur e të papërtuar. Nga të gjithë ata që e kanë njohur të të gjithë fshatrave të Skraparit, ai kujtohet si një njeri që ka bërë brenda dhe jashtë mundësive përpjekje për të shpëtuar jetë njerëzish.

Ishte koha kur ndesheshe me shumë vështirësi, por Tafili dinte t’i kalonte ato.Çanta që mbante në krah nuk ishte vetëm mjet pune për të, por ishte edhe simbol jete, ku buronte shpresa dhe besim për t’u shëruar. Ajo ishte simbol se aty ishte edhe jeta dhe buka e fëmijëve, por ishte edhe nderi dhe dinjiteti i tij profesional dhe njerëzor.

 

Ajo çantë e thjeshtë infermieri ishte për të gjithçka dhe ai ishte i lidhur aq shumë pas saj. Ajo çantë i dha emër dhe kuptim jetës së tij, që edhe pse me plot sakrifica, qe një jetë e mbushur.  Ajo çantë e bëri atë që edhe sot, pas disa vjetësh nga ndarja me njerëzit, të kujtohet me nderim dhe respekt të veçantë.