Takim mbresëlënës me punonjësit dhe ish-punonjësit e Pyjores së Skraparit
Ing. Sabri Metani
Data 24 qershor ka qenë një nga ditët më të bukura, më mbresëlënëse, më emocionantet dhe më nostalgjiket për punonjësit aktualë të Ndërmarrjes Pyjore të Skraparit, por më tepër për ata që kanë punuar aty me vite dhe që kanë dalë në pension apo janë larguar në rrethe të tjerë.
Duhet thënë që në fillim se falenderimi i parë për këtë takim dhe mundësi të krijuar shkon për iniciatorin, pjesëmarrësin special të takimit, inxhinier Hysen Shkreli, ish-specialist prej disa vitesh, por edhe dhëndërr në Skrapar.
Më shumë se sa na bëri nder neve që na mblodhi, i bëri nder vetes.
Të kthehemi tani te takimi:
Kishim aty “dekanin” e drejtorëve, veteranin e veteranëve, Myfit Zaimi; punonjësit e vjetër, Agron Caka dhe Fejzi Allajbeu; kishim Bashkim Liçollarin si kryeinxhinier dhe drejtor; kishim Gramoz Sheshin, Hajredin Bakiasin, Muhamet Bendon, Avdulla Shimin Nazmi Shallarin, Guri Ismailin, Hamza Metën, Ahmet Hajdarin, Bilbil Abazin, Shaqo Hysenbelliun, Kastriot Dervishin, Demir Cakën, Brahim Braçe, Sokol Memollarin dhe Guri Koromanin.
Sipas “programit” takimi nisi në “odën e pritjes” së Çorovodës, te “Verori”.
Më pas vizituam zyrat, ku kishim punuar vite me radhë. U shpërndamë grupe – grupe duke kujtuar vitet e bukura, por edhe hallet e problemet që kishim pasur dhe si i kishim zgjidhur, gjithmonë me unitet, me shoqëri dhe njerëzillëk, si atëhere.
Kujtuam me mall, dhimbje dhe veneracion shokët që janë larguar nga jeta, si:
Eqerem Sollaku, Dhimitër Jançe, Hetem Dosti, Hysen Korçari, Zalo Zyko, Maliq Gjoni, Qazim Çeço, Hekuran Laze, Behar Dosti, Ali Biraku, Bashkim Qafoku, Maksim Braçe, Bardhul Hysenllari, Haxhi Bega, Arben Lika, Dule Saliasi etj.
I përjetshëm kujtimi i tyre!
Domosdo, fundi ishte një drekë e pasur dhe e këndshme, me muhabet e lezet, “me pak raki dhe shumë dashuri”, siç thonë skraparllinjtë, te një lokal buzë kanioneve të Osumit.