Takimi i përvitshëm që po kthehet në një traditë të bukur
Kanë filluar ta bëjnë traditë që vlushallinjtë të mblidhen nga janë e nga s’janë një herë në vit në vendlindjen e tyre, Vlushë.
U mblodhën edhe këto ditë nga Tirana, Durrësi, Pogradeci: Fatos Mançe, Tomor Mukaj e shumë të tjerë, Dhe, si gjithmonë, “i sëmuri”, i “përvluari” dhe i kudogjenduri nga malli, Ladi Muka, nga Greqia.
Me sfond, malin e bukur, luginën e lumit deri në Qafën e Beçit dhe kënëgën popullore që shpërndahej nga altoparlantët, festa vazhdoi deri në orët e vona të natës.
Këngë e valle, domosdo, por më tepër biseda e kujtime të njëri-tjetrit për periudhën që kishin qenë bashkë aty, kujtime të dhimbshme për humbje njerëzish, por edhe episode gazmore nga jeta në fshat, por edhe atje ku kanë shkuar.
Vëlushallinjtë janë njerëz të dashur, punëtorë, por edhe atdhetarë, me një histori të pasur: të vjetër, po e po, sepse aty është bërë zbulimi arkeologjik më i madh në Shqipëri, si vendbanim i Neolit të hershëm, por edhe të periudhave të mëvonshme.
Në periudhën osmane ka qenë hyqymet, qendër administrative e gjithë Kollit të Sipërm deri në Grabockë e Koblarë, status që e ka patur edhe pas Shpalljes së Pavarësisë, deri në 1950-ën. Nga Vlusha kanë dalë personalitete dhe burra të shquar, si Zalo Sanxhaku, Maliq Vlusha, Petrit Mançe, Neshat Mançe, Iliaz Hajdini, Servet Muka, vëllezërit Haki e Hekuran Sanxhaku etj. që e kanë nderuar fshatin me punën dhe autoritetin e tyre.
Por Vlusha ka patur edhe një nga ngjarjet më të dhimbshme, që ka hyrë në analet e historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore, Masakrën gjermano – balliste të Janarit 1944, ku u vranë pa faj 23 djem dhe burra të fshatit.
Tre muaj pas masakrës aty është krijuar një nga formacionet më të rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacionalçirimtare, Brigada e 7-të Sulmuese partizane si dhe në lagjen Mançe është vendosur spitali partizan.
Edhe historia e re e Vlushë është e bukur. Ka qenë dhe është një fshat me dyer dhe zemra të hapura: Qe Vlusha ajo që zbuti dhimbjet dhe iu gjend pranë në fatkeqësi banorëve të Faqekuqit, kur shtëpitë e tyre u bënë të pabanuesme nga rrëshqitja e dheut.
Ardhja e tyre aty, në banesat e reja, nuk u ndje si një peshë e rëndë për fshatin, përkundrazi fshati u gjallërua më tej. Harmonia dhe shkuarja që atëhere dhe sot mes dy komuniteteve, po t’i quajmë kështu, është për të patur zilì. S’ka asnjë llojë dallimi dhe diference mes tyre.
Me gjithë këtë histori, me gjithë këtë harmoni, me gjithë këto vlera njerëzore, s’kishte pse takimi i sivjetshëm të mos shkonte bukur në Vlushë, shembullin e së cilës duhet ta ndjekin edhe fshatrat e tjerë. (Orakujt e Tomorrit)