Tatjana Bregu dhe Dhimitrulla Kote: “Mall e dashuri për Skraparin, vendin ku kaluam pjesën më të bukur të jetës tonë”
Janë dy zonja, dy “nuse Skrapari”, të dyja shumë të njohura, shumë të nderuara dhe shumë të respektuara në atë krahinë; të dyja veç e veç, por edhe të dyja bashkë me të njëtën ndjenjë, ide dhe zemër, që dashurinë e tyre të jetës personale e familjare e kanë shtrirë gjeografisht më tej, për vendin ku “u ra në pjesë” dhe ku kaluan jetën më të bukur të tyre, Skraparin.
Të prek dhe të impresionon ndjeshmëria e tyre për këtë vend, që as ata që “u ka rënë koka aty” nuk bëjnë më shumë se ato, që ndjekin si askush tjetër përditshmërinë e çdo zhvillimi, e çdo lëvizjeje, e çdo lindjeje, e çdo vdekje, duke “marrë pjesë shpirtërisht në to”.
Komunikojnë me ish-nxënësit, me bashkëfshatarët me të cilët ndanë bukën, me kolegët me të cilët bënin rrugët e vështira në këmbë për të shkuar në seminare e mbledhje, komunikojnë me të njohur dhe të panjohur, nipër dhe mbesa të tyre.
I ndihmojnë për këtë arritjet e komunikimit të sotëm modern, rrjetet sociale.
Po kush janë këto dy “nuse Skrapari”, që sot po i bëjmë personazhe të këtij shkrimi?
E para është Tatjana Bregu, mësuese në pension, nga Gjançi i Korçës, martuar me Teki Bregun nga Rogu i Skraparit; dhe, e dyta, Dhimitrulla Kote nga Vlora, edhe kjo mësuese në pension, martuar me Bajram Myrtollarin nga Qafa (këtë të dytën e kam edhe më të afërt, se e kam “nuse fshati”).
Siç u tha edhe më sipër, jeta i solli në Skrapar, kur Skrapari kishte më shumë së kurrë nevojë për to, kur Skrapari kishte më shumë se kurrë nevojë për dritë e dije.
Aty gjetën gëzimin e jetës, lindën fëmijë, krijuan familje, mbi të gjitha gjetën gëzimin në punë me fëmijët. Çorovoda ishte për to një realitet i patjetërsueshëm, ndërsa vendlindjet e tyre ngelën një mall i pashuar.
Dhe nuk qenë të vetmet që zgjodhën këtë mënyrë jetese në një rreth të largët, të thyer dhe të vështirë në shumë pikpamje.
Kishte edhe të tjera “nuse Skrapari”, të ardhura nga rrethe të tjerë si Lejlaja, Vangjelia, Franceskina, Vushja, Lutfia, Margarita, Vojsava, Shpresa, Eli, Jorgulla, Enrieta, Drania e të tjera.
Ndjesë, nëse kam harruar ndonjë tjetër!…
Ja se si shprehet Tatjana për “Orakujt e Tomomorrit”:
Jetova pjesën me vitale të jetës, u rrita në profesion, mësova shumë nga mirësia, karakteri, traditat e Skraparit dhe mora dashuri si bijë e motër. Profesioni më bëri ta njihja mirë historinë e atij vendi të bekuar dhe ta transmetoja në breza.
Ndjek me dashuri nëne arritjet dhe sukseset e ish-nxenësve dhe them “kam edhe unë pjesë në formimin dhe arritjet e gjithsecilit”! Krenohem me karakterin dhe fisnikërinë e trevës, bukurinë natyrore dhe sidomos kur dëgjoj e shikoj transmetimin e këtyre vlerave tek brezat e rinj, brenda e jashtë vendit, dhe kur një pjesë prej tyre janë ish-nxënësit mi.
“Ju dua dhe ju falenderoj nga zemra për gjithçka që më dhatë: familjen, punën, fëmijët, jetën time!…
Ndërsa Dhimitrulla, “kumbulla vlonjate që na ka xbukuruar fshanë”, siç e quante, ndjesë pastë, nëna ime, sot e ka ndarë jetën e saj mes Vlorës dhe Italisë, ku ka një pjesë të folezave të familjes, është më e heshtur, më e pashfaqur, por edhe më e ndjeshme…
Komunikon me miqtë në rrjetet sociale, gëzohet e lumturohet me gëzimet e tyre, hidhërohet dhe qan fshehurazi për humbjet e njerëzve që ka njohur, pavarësisht se pas kaq shumë vitesh, këto humbje janë pjesë natyrore e jetës njerëzore”!
Ndanë gërmadhave të shkollës 8 – vjeçare të Qafës, sot lartësohet një përmendore e thjeshtë, në pllakën e së cilës janë zgëdhendur emrat e 50 mësuesve të fshatit, mes të cilëve edhe ai i Dhimitrullës, në këtë rasat jo si “nuse”, por si “bijë fshati”.
“Por emri dhe figura e Dhimitrullës, më shumë se në atë pllakë memoriale, ndrin dhe shkëlqen në mendjet dhe në zemrat e të gjithë atyre që e kanë njohur, thotë ish-nxënësja dhe më pas kolegia e saj, Ferruze Gjoka, në statusin e saj të Facebook. Diell dhe shëndet ia bëftë kudo që të jetë”, – uron ajo, urim me të cilin bashkohemi edhe ne!
(Z. Hoxha)