Tenda e Qypit, 79-vjetori i betejës legjendë, ku u luftua vërtet me bajoneta
Kujtime të Skënder Malindit, pjesëmarrës në këtë luftë
Lufta e Tendës së Qypit orë pas ore
Më 19 janar 1944 rreth orës 15:00, kolona gjermane e përbërë nga batalioni i parë i regjimentit 54, kompania e tetë e regjimentit 227 dhe bateria e tetë e regjimentit të artilerisë së divizionit 100-të, mbasi përshkruan Oparin dhe Tomorricën dhe pushkatuan në fshatrat e Skraparit 114 njerëz si, në Vëlushë, Turbëhovë, Kapinovë, Krushovë e gjetkë, mbërritën në Çorovodë.
Kolona e trupave gjermane në mëngjesin e datës 20 janar u nis nga Çorovoda në drejtim të Tendës Qypit, kaloi Sharovën, u ngjit përpjetë, hyri në Veleshnje dhe rreth orës 12:00 sulmoi pozicionet e batalionit dytë. Beteja u zhvillua e rreptë dhe në volum të madh zjarri nga të dy anët.
Në kurrizin e kodrave të Veleshnjës dhe të Kodrës së Karakollit e deri në afërsi të Tendës Qypit u zhvilluan luftime shumë të ashpra dhe këmbëngulëse. Gjermanët megjithëse përsëritën disa herë sulmet e tyre të fuqishme nuk mundën të përparojnë me lehtësi përpara.
Vetëm pas tre orë luftimesh të ashpra, trupat gjermane mundën të përparojnë në drejtim të Tendës Qypit dhe të rrezikojnë pushtimin e saj; mbasi në këtë drejtim luftonin vetëm forcat e batalionit të dytë, kurse forcat e batalionit të parë nuk ishin angazhuar në luftë në drejtimin Vëndreshë-Spatharë. Kështu që gjithë barra e luftimeve kundra gjermanëve binte vetëm mbi batalionin e dytë, i cili i mbrojti pozicionet e tij me guxim të pa treguar dhe me këmbëngulje të fuqishme.
Në çastet më kritike, mbërrin Mehmet Shehu
Në këtë kohë nga fshatrat e krahinës së Dëshnicës po marshonin në drejtim të Tendës Qypit, batalioni tretë, batalioni i parë dhe një kompani e batalionit “Antonio Gramshi” së bashku me komandantin e Brigadës së parë. Mehmet Shehu, i cili sa dëgjoi krismat e armëve, matanë Tendës Qypit, erdhi me shpejtësi, përpara se të vinin batalionet e tij.
Tablo e Piktorit të Popullit Fatmir Haxhiu, kushtuar kësaj lufte
Mehmeti pasi u takua me komandën e Grupit të 3-të dhe u njoh me situatën, përpiloi shpejt e shpejt planin kundërsulmit dhe lajmëroi që batalionet e tij të afroheshin sa më parë në majën e Tendës së Qypit.
Batalioni i tretë i Brigadës së Parë, i komanduar nga Gjeli Argjiri, sapo mbërriti mori urdhër për kundërsulm dhe u hap menjëherë në formacion luftimi. Së bashku me ta do vepronin dhe partizanët e batalionit të dytë të Grupit të 3-të.
U dha urdhri që para se të hidheshin në kundërsulm, partizanët të hidhnin dy granatat e dorës një nga një me komandën “Granata hidh”, sepse në këtë mënyrë bënin më shumë efekt dhe zëvendësonin si të thuash një farë përgatitje artilerie para sulmit.
Borizani legjendar, Haki Kapaj
Mbasi u hodhën granatat, gjithë partizanët u ngritën për kundërsulm nga lart-poshtë gjatë kurrizit të kodrave nga Nishica në Veleshnjë, nën tingujt e borisë së Haki Kapajt nga Gjerbësi i Mallakastrës.
Duke vazhduar sulmin përpara boria nuk po binte vazhdimisht si më parë, sepse borizan Hakiu ishte goditur nga një plumb në fyt, komandanti i batalionit duke mos dëgjuar tingujt e borisë, sepse nuk e dinte se borizani ishte plagosur dhe gjaku nuk e lejonte t’i binte borisë, i dha urdhër atij të vazhdonte t’i binte borisë, për të entuziazmuar partizanët në sulm. Haki Kapaj për të zbatuar urdhrin e komandantit, me një gisht zuri plagën në fyt që të mos i rridhte gjaku dhe filloi t’i binte prapë borisë, por kjo nuk vazhdonte shumë se boria u mbush me gjak përsëri dhe nuk jepte më tinguj. Beteja e Tendës së Qypit është përjetësuar në një pikturë shumë të bukur nga Piktori i Popullit Fatmir Haxhiu, ku duket e dhe burizani Haki Kapaj.
Plagoset Zylyftar Veleshnja dhe Iljaz Sevrani
Gjermanët organizuan zjarr të dendur kundër partizanëve me gjithë llojet e armëve, Mitralozat “Sharrës” me zjarrin e tyre të dendur prisnin gjithë degët e drurëve si kosa që pret barin. Kjo bëri që sulmi i vrullshëm i partizanëve të ngandalësohej. Komandanti i kompanisë së batalionit të tretë, Mefail Rozani nga Podgoria e Korçës, u ndesh ballë për ballë e trup me trup me nazistët dhe duke luftuar me bajoneta vranë njëri-tjetrin.
Në këtë kohë një togë gjermane, pa u diktuar nga ne lëvizi gjatë përroit të Veleshnjës, me qëllim që të zinte qafën e Murrizit në krahun verior të Tendës Qypit, për t’u dalë në shpinë forcave partizanëve që kundërsulmonin. Aty pranë ndodhej vend-vrojtimi i komandës së grupit.
Zylyftar Velëshnja, duke vrojtuar luftimet që zhvilloheshin te kodrat e Karakollit u godit pa pritur dhe në befasi nga një zbulues gjerman në këmbën e djathtë dhe u rrëzua menjëherë në tokë. Iliaz Sevrani duke parë Zylyftarin e shtrirë, u ngrit në këmbë të shihte çfarë ka ndodhur, se nuk mendonte që gjermanët të jenë kaq afër, kur lufta bëhej larg përpara, por dhe ky u godit në nofull nga zbuluesi gjerman.
Partizani Ali Zaimi nga Dobrusha, korrier i komandës së grupit shkoi të ndihmonte të plagosurit, por dhe ky u godit për vdekje nga zbuluesit gjermanë, të cilët, mbasi kryen aksionin, u larguan me fshehtësi pa u dëmtuar nga ne.
Kthesa e luftës, tani situatën në dorë e kemi ne
Situata luftarake prapë u vështirësua. Forcat e batalionit të 3-të të Brigadës Parë dhe ato të batalionit të 2-të Gr.3-të me gjithë sulmet e tyre nuk mundën t’i shkulnin nga pozicionet trupat gjermane.
Në këtë situatë vetëm futja në luftim e forcave të tjera mund të ndryshonte situatën në favorin tonë. Prandaj Mehmet Shehu vendosi të fusë në luftim me shpejtësi batalionin e parë të Brigadës së Parë, të komanduar nga Xheladin Beqiri (Karadaku).
Me hedhjen në kundërsulm të batalionit parë, u hodhën edhe partizanët e batalionit tretë dhe të dytë të Gupit të 3-të. Kodrat në drejtim të majës Karakollit u ndezën flakë nga bombat, luftimet u bënë të ashpra dhe të përgjakshme, duke arritur pikën kulminante trup me trup. Nuk kaloi shumë dhe situata kaloi në favorin tonë.
Gjermanët u shkulën nga pozicionet dhe filluan të tërhiqeshin në drejtim të Çorovodës, duke lënë një sasi materiale që kishin me vete. Partizanët kapën një top, një mortajë, pesë mitraloza të rëndë, disa mitraloza të lehtë, pushkë, automatike dhe 50 kafshë me materiale të ndryshme.