Teqeja e Kuçit, vatër patriotike, bazë e çetës së Mestan Ujanikut
Teqeja e Kuçit ndodhet në verilindje të fshatit Kuç të Tomorricës, Njësia Administrative Gjerbës, Bashkia e Skraparit.
Ajo rrethohet nga fshatrat Barçë, Flloq- Rehovë, Grëmsh. Teqeja është themeluar në vititn 1880, nga baba Barjami me origjinë nga fshati Radësh i Skraparit. Baba Barjami është bashkohës i baba Fetahut, të cilët ishin shokë të ngushtë dhe bashkëpunonin me njeri-tjetrin.
Më pas drejtoi baba Islami deri në vitin 1925 kur kaloi nga jeta. Më pas e drejtoi teqenë baba Tahiri nga Zogasi. Shumë shpejt ai u bë i njohur jo vetëm në krahinën e Tomorricës por edhe të krahinave të tjera Gorë-Opar të Korçës.
Baba Tahiri kishte njohuri edhe si mjek popullor. Shëronte disa sëmundje me barna popullore e në veçanti ato sëmundje me karakter mendor, duke u bërë i njohur për popullin e Skraparit, si edhe të Beratit, Mallakastrës, Korçës. Bashkëpunonte me teqetë e Kulmakut, Brerimës, Çërricës, Backës, Prishtë dhe ato të Korçës.
Ndihmoi çetën e parë të Skraparit me komandant Mestan Ujanikun në ushqime, strehim gjatë viteve (1942-1943) dhe brigadat sulmuese që kaluan në Tomorricë.
Kanë shërbyer këta klerikë:
Baba Barjami, (1880-1904), baba Islami (1905-1925), dervish Hajro Koçaj, nga fshati Strorë 1920, baba Myslimi, baba Zeneli, baba Tahiri (1925-1953), me baba Tahirin shërbente në vitin 1940 dervish Ramadan Jajhja, dervish Hasan Hysollari (1941-1948), dervish Muharrem Idriz Celami (1946-1956), dervish Hajrulla Koçi,1956, baba Riza Gllaniku (Qato) (1953-1967).
U mbyll në vitin 1967. Teqeja u ribë jo me ato përmasa që ka patur, sidoqoft u bë, qoftë edhe për vlerën historike që ka patur.