Teto Ollga në dilemën: Pse “më të mirët”, atyre që “u ngjiste fjala si me zamkë”, mu bënë me PD-në?!…

Teto Ollga në dilemën: Pse “më të mirët”, atyre që “u ngjiste fjala si me zamkë”, mu bënë me PD-në?!…

– Fejton –

 

Thoma Goga

 

 

Teto Ollga, si “person pozitiv në thiatro”, e ka marrë seriozisht detyrën e patronazhistes. Nga Korça u nis drejt e në Marenë. E si mund të ikte pa takuar mikun e saj të vjetër, Bako Këmborën?! Zuri me vrap atë autobusin “e koncerteve”. Vetëm se sazexhinjtë mungonin. Koha i ndaun si zogjtë e korbit. Defaxhiut ja kanë vjedhur daullkën, “zarmonikës” i është çarë kaceku, gajdexhiu nuk e fryn dot, kurse gërnetaxhiut nuk i punon më kallami…

 

Ndalesën e parë e bëri te ish-stallat e kooperativës, që tani janë kthyer në sera. Aty e priste xha Bakua me plakën e tij, që ruajnë serat. Thonë se rriten “patate”, që vetëm në gjethe i ngjan patates…

 

– Po shyqyr që na ardhe, me Ollgë. Na i bëre syçkat ujë, o t’u mbylltë,- foli xha Bakua.- Thashë se na harrove fare, o.

 

– Kam erdhur me një mision të madh. Po përgatis diskutimin tim për në parlament.

 

– Pse ty të kanë çuar në vend të Najadkës, o?

 

– Jo, jo unë jam patronazhiste…

 

– Domethënë e lënkërke kuzhinën e shkuake në ndonjë zyrë? – pyeti plaka e xha Bakos.- Po perdet e Havasë ja solle, apo t’ja pres?

 

 

 

– Havaja të prerë e ka… Ç’do t’i presim tjetër?! Mua po më luan tepeleku i kokës, kjo akoma te perdet. Di Havaja ç’është programi  “i rilindjes”. Do flas edhe për hallet tuaja atje. Kam erdhur që diskutimin t’ma shikojë edhe Sala.

 

– Je munduar kot, zotrote. Salën e kërkuan urgjent në Tiranë. Ka kaluar me PD-në,- ja ktheu xha Bakua.

 

– Me PD-në?! Ç’më thua, bre!

 

– Po, po ka shkuar që të bashkojë opozitën. U ka hyrë “krimbi”; janë bërë kashtë e koqe,- vazhdoi xha Bakua.- Vetëm ai ua mbledh…

 

– O sa mirë ka bërë! Dikur ta hante kokën me të mirë, kurse tani i vë në rresht me pahir. Është usta për këto punë, – ia bëri Ollga.- E kam thënë unë; i ngjit fjala si me zamkë.

 

– Që kur iku Sala kemi mbetur pa timonier në fshatin tonë. Kemi mbetur si jetim,- shfreu xha Bakua.- Moj Ollgë, jemi që jemi, të të them një llafkë?

 

-Thuaje, po i ke një çikë të hidhura këto llafe ti, Bako?

 

– Jo, jo këtë e kam të ëmbël. A nuk rri përgjithmonë në Marenë në vend të Salës? Fshati të do shumë e do të ngrejë monument, dëgjo Bakon ti. Pastaj i themi çunit të Taqkës të të bëj deputete.

 

– Je në vete?! Unë deputete?! Po ju nuk e dini që atje kam dhe Melin? Pastaj thonë se dy deputete nga një derë, sikur nuk vete.

 

– Pse Meli ua bën gjilpërat atyre, me Ollgë?, – foli plaka e Bakos. – Apo nuk ka një dorë të lehtë kur të çpon…

 

– Ooii dhe ti moj Shero. Gjilpërat ua ngul ai “i gjati”…,- ja priti Ollga e pastaj iu drejtua xha Bakos.

 

–  A nuk shkon ti deputet, bre? Se mos janë më të mençur ata të tjerët. Atje kemi Salën, Melin. Kemi dhe inxhiniere Lulkën që na shpëtoi nga tërmeti…Mua më kanë aty si këshilltare. Hë, si thua?

 

– Qenka bërë si parlamenti Marenës, o t’u mbylltë. Pse kaq i trashë jam unë që të vete atje, o- ja preu xha Bakua.-Jo, jo nuk e lë fshatin, se kemi fshat të mirë. Apo nuk e kemi të mbarë dhe këtë “pataten” e re…

 

E me këto debate “hidh e prit” kaluan disa orë. Xha Bakua iu lut të hanin ca kërnacka, po teto Ollga u kthye për në Tiranë. Mori prapë atë autobusin e “koncerteve” pa sazexhinj. “Ishallah i mbledh dhe këta shoku Sali, se duket si autobus funerali”. Vriste mendjen gjatë gjithë rrugës së gjatë; të rrijë me këtë “të gjatin”, apo të hidhet nga Sala, që i ngjit fjala si me zamkë…