Tiranë, të dua!…Por, fatkeqësisht, te ti nuk gjej dot atë që dua!

Tiranë, të dua!…Por, fatkeqësisht, te ti nuk gjej dot atë që dua!

Petrit F. Zeneli

 

Kur them “Tiranë, të dua, por te ti nuk gjej dot atë që dua”, duket sikur është një lojë fjalësh.

 

Por jo, se…

 

…tek ti nuk gjej dot as imazhin e gjyshërve të urtë apo të rreptë që më fërkonin kokën me duart e rreshkura ose më hiqnin veshin kur s’u dëgjonim ndonjë këshillë, as të përkujdesjes e sakrificave të pamata prindërore, lodhjen e të cilëve vetëm një perëndi e dinte;

 

 

as çapkënllëqet e prapësitë e vegjëlisë, që jo rrallë herë na rrezikonin jetën; as rrëzimet, ngritjet e cfarritjet ferrave e pemishteve kur shkonim të vidhnim ndonjë mollë a dardhë të pabërë tek komshiu, në gardhet e të cilëve grisnim pantallona e kanatiere dhe hanim dru gjithë mbrëmjet, nga mamatë që s’na i dilnin dot me të qepur;

 

 

as jehonën e shkëmbinjve dhe honeve që i përgjigjeshin zërit tonë si të kishim dikë që na imitonte përballë; as të ngrënët e të pangrënët kur në vend të bukës hanim koçanë, thana e gorica sa na dhimbte barku; as të veshurit e të paveshurit me andre gunjëve e brrylave që na dukeshin si kostume kur na lanin mamatë me finjë të fortë sa na digjte surrati dy ditë;

 

 

as vrapimet lëndinave e rripave kush t’ia kalonte shokut e të shpallej kampiom; as ujin e burimeve dhe pellgjet e brektosave, që i trembnim para se të pinim ujë ose fusnim paguret e dhallit të na ftohej, as cilipuqet, potkat, cinglat e kolovajzat në çatajet e pemëve, që shpesh thyheshin dhe na pëlcisnin poshtë si thes;

 

 

as netët kur shkonim të flinim jashtë me kuaj, të dehur nga aroma e lëkurës së samarëve, zilkat në qafën e tyre dhe kënga e bilbilve të natës; as drethkat që mblidhnim arave me misër për viçat dhe gjethin e shkozës a mëllëzës që bënim për kecat e qingjat njomëzakë;

 

 

as plevicat e mbuluara me kashtë thekri (si të qëndisura) dhe shtëpitë e ulëta përdhese që na dukeshin si pallate; as lulet shumëngjyrëshe plot aromë ledheve e arave, lëngun e të cilave e thithnim si të uritur në gypat poshtë gonxheve, bashkë me ndonjë mizë që derisa e nxirrnim nga gryka na shkonin lotët curkë prej kollitjes;

 

 

as shokët e shoqet e vegjëlisë me të cilët duheshim, këndonim, recitonim, mundeshim, mburreshim, ziheshim e pajtoheshim njëqind herë në ditët;

 

 

as fëmijët bukuroshë, të zgjuar e çamarrokë të qytetit, që vinin gjithë verës tek ne dhe nuk u bëhej të ktheheshin më në qytet, edhe pse buka e misrit, çorba e thartë, fasulja, dhalli e gjiza i ndiqte mengjes, drekë e darkë; as dasmat, gostitë, festivalet dhe festat që na linin pa mend kur dëgjonim të kërcenin e këndonin më të mëdhenjtë;

 

 

as kujet e plakave dhe grave që zgjasnin me javë të tëra në vorreza, sa herë ndërronte jetë dikush dhe ne rrënqetheshim e dridheshim nën jorgan nga fantazma e vdekjes;

 

 

as bangat e shtrembëra të shkollës ku zhgaravisnim e gdhendnim fshehurazi emrat tanë ose të shokëve, dhe mësuesit jabanxhinj, sa të dashur aq dhe të rreptë, që na fusnin shpesh në bodrum ose detyronin të mbanim në krah me një këmbë numuratoren;

 

 

as gëzimet kur ktheheshin bagëtitë në pranverë nga Myzeqeja dhe oshëtinte vendi nga blegërimat e qingjave e kecave, nga zilet e këmborët dhe lehjet e qenëve me allka në qafë, që të kallnin tmerrë;

 

 

as përrenjtë e lumi ku fshehurazi shkonim laheshim dhe nga mushkonjt s’gjenim derman; as veroret, dallëndyshet, kulloshtra dhe degët e thanëve, që na i mbushnin shpirtin gjithë shënd e verë…

 

 

 

Ja, këto e të tjera, më mungojnë këtu, ndaj shpirti e zemra më qan vetëm për atje, në vendlindje, le të jetojë e punojë edhe në qytetin më të bukur e më të begatë të botës!

 

Kjo i ndodh brezit tonë kudo që ndodhet, emigrant nëpër botë, por edhe në Shqipëri, ku larg vendlindjes ndihet emigrant në vendin e vet. Kështu do t’u ndodhi edhe fëmijëve, nipërve e mbesave tona nesër, ku dhimbja për vendlindjen e tyre, me kujtime jo si tonat, do i ndjekë pas përherë.

 

 

Githësesi, të dua Tiranë, të dua Shqipëri, por ama me dhimbjen e Grabockës në gji!

 

Ndaj dhe jam gati të nisem më këmbë e pranë teje me vrap të vij!

Gjurmët e fëmijërisë nuk ka para, lumturi a sëmundje që t’i fshijë!