Tomorr Laze: Buzuqi, meditim për vendlindjen

Tomorr Laze: Buzuqi, meditim për vendlindjen

 

 Buzë ujti (Buzuqi) i Osumit, një perlë e natyrës, vetëm 5-6 km larg qytetit të Çorovodës

 

Tomorr Laze

 

 

Më shumë se bukuria natyrore, është bukuria e shpirtit fisnik  të banorëve të tij. Shtrihet në një pllajë, në anën e majtë të rrjedhjes së lumit,1km larg rrugës nacionale Berat – Skrapar. Për karshi, ka Strorën e këngës e të shenjtin pellazgjik, “Tomorr”.

 

 

Buzuqi  gjatë sistemit komunist ishte një nga nëntë fshatrat e Kooperativës së Bashkuar Vëndreshë. Kishte rreth tridhjetë familje.  Përbëhej nga fiset: Laze, Zeqo, Çonga, Çela dhe Zylyftari. Të gjithë ishin në harmoni e vëllazëri me njëri-tjetrin, si në gëzime ashtu dhe në hidhërime.

 

 

Fise autoktone sipas gojëdhënave janë fiset, Zeqo e Çonga. Dikur, ka qënë edhe një fis i quajtur Ruzaj,  por nuk dihet si e kur është larguar. Është një arë pranë një çezme në fund të fshatit që quhet, “Ruzaj”. Mendohet se aty ka qënë lagja e tyre.

 

 

Fiset Zylyftari dhe Çela e kanë prejardhjen nga fshati  Spatharë. Ndërsa fisi “Laze”,  sipas studiuesit të njohur nga Vëndresha e Skraparit, Hajri Shehu, i ka rrënjët në fshatrat Toshkës ose Kajcë të Përmetit.

Në vitet e fundit të sistemit në Buzuq erdhën e ndërtuan shtëpi edhe familje të tjera nga fiset Myrtezaj, Kushova, Duçellari etj.

 

 

Kufizohet nga fshatrat, Munushtir, Spatharë,  Vëndreshë, Therepel, Kakrukë, Strorë dhe Vërzhezhë. Është një fshat me toka të shtruara, të sistemuara e të shëndosha. Ka disa burime ujore, ku veçohen ai  “Progërit” dhe i “Karbunarit”,  të cilët ndodhen në anën e poshtme  të fshatit.

 

 

Lidhet me rrugë automobilistike të pa asfaltuar me fshatrat Spatharë e Vëndreshë. Me Therepelin lidhet me rrugën e asfaltuar që kalon në fund të fshatit ndërtuar nga kompania e TAP-it.

 

 

Buzuqi mori formën e një qëndre të vogël urbane, nga fundi i viteve 60-të e fillimi i viteve 70-të. Në fillim u ndërtua shkolla fillore. Më 1969-ën u ndërtua ura e Buzuqit (e vjetra) shumë e domosdoshe për lagjen e përtej lumit ngjitur me rrugën nacionale, por edhe për gjithë banorët zonës në përgjithësi.

 

 

Më pas u ndërtuan objektet e tjera, si furra e dyqani i bukës, menxa, çerdhja e kopshti i fëmijëve, abulanca mjekësore, dhoma operative (telefoni), vatra e kulturës, fusha e sportit, ujësjellësi i fshatit etj. Ishte koha, sapo kishte mbaruar elektrifikimi i vëndit.

 

 

Në vatrën e kulturës u vendos televizori  i parë për gjithë fshatin. Ndërsa organizata e rinisë bleu një firzamonikë për mbrëmjet e vallëzimit me lekët që fitoi nga shitja e lëndeve të lisit të mbledhura në pyll me aksion.

U ndërtua dyqani i tregëtisë pas shumë vitesh kërkesash me shkrim e me gojë në emër të popullit të Buzuqit.  Mbaj mënd,  kërkesat që shkruante në shtëpi im atë, Arshin Laze, kryetar i këshillit popullor në atë kohë, i ndihmuar nga mësuesi i fshatit Kadri Merkaj nga Munushtiri. Jo një herë, por disa herë me atë shkrimin “kaligrafik” të mësues Kadriut, do i drejtoheshin qeverrisë në Tiranë. Ishte viti 1980 dhe “Odisea” e banorëve të Buzuqit, që shkonin fshat më fshat për 1 kg kripë, 1litër vaj kikiriku, 1 pako kafe, 1kg sheqer etj. mori fund.

 

 

Lufta për bukën e gojës, ishte lufta për socializmin edhe për Buzuqin e vogël në atë kohë. Do fillonte hapja e tokave të reja bujqësore, sistemimi i tyre, hapja e taracave etj. Do të përdoreshin të gjitha kapacitetet e burimeve ujore në fshat për vaditje. Ujë për vaditjen e tokave do të vinte edhe nga rezervuari i Vëndreshës.

 

Për fushën e perimeve u instalua anës lumit një elektropompë e vogël. Në vitet e mëpasshme në Orizaj u ndërtua një elektropompë e fuqishme, që nëpërmjet tubacionit e një kanali të gjerë dërgonte ujin në krye të fshatit, i cili më pas shpërndahej për vaditje…

 

 

Në fund të fshatit u ndërtua  stalla e lopëve për furnizimin me qumësht kryesisht për  qytetin e Çorovodës.

 

 

Pranë urës së Buzuqit u ndërtua magazina e kooperativës së bashkuar Vëndreshë, për grumbullimin dhe shpërndarjen e plehrave kimike sipas një plani të detajuar për të gjitha brigadat e fshatrave të kooperativës.

 

 

Në Buzuq tokën mund ta mbjellësh dy herë në vit. Në periudhën më të “artë” të bujqësisë, në parcela të veçanta rendimenti i prodhimit të grurit ka arritur deri në 60 kv/ha. E megjithatë, banorët e fshatit në vit hanin 10 muaj  bukë misri të verdhë e dy muaj bukë gruri të zezë, ndryshe nga fshatrat e tjerë të kooperativës.

 

Për shumë vite,  buka merrej në furrën e Vëndreshës e transportohej me mushka e “amballazhuar” në kofina, si në shi, në borë në vapë etj. Gjatë një periudhë krize ishte me racion, 200 gr. për frymë.

 

 

Reformat shtërnguese që po ndërmerrte qeverria komuniste për fshatin, filluan t’ia vështirësonin së tepërmi jetën banorëve. Pasi iu mori të gjithë tokën (edhe një  dylymshin që iu kishte lënë më parë)  iu mori edhe bagëtinë.

 

 

Kolektivizimi i bagëtive të imta është bërë në qershor të vitit  1977 e më 1980-ën i lopëve vetëm për fshatrat Buzuq e Valë, i çoi banorët në pikë të hallit.  Nuk bëhej fjalë më për gjalp, gjizë apo djath.Tashmë mish  mund të haje një herë në muaj, me përjashtim në raste vdekjesh a dasmash. Edhe pula nuk lejohej të mbaje më shumë se 9-të,  + 1 kaposh.

 

 

Në vitin 1987 u krijua Stacioni Zooteknik Buzuq. Ishte një “ëndërr” e bukur e këtyre banorëve punëtor e fisnik, të diskriminuar nga regjimi i Vëndreshës e më lart, por do dështonte si vetë sistemi.

 

 

 

Sot, si në çdo fshat tjetër të Skraparit, edhe këtu ndjehet braktisja në masë. Në lagjen e Lazellarëve nuk banon asnjë njeri. Megjithatë, në vëndlindjen time  punohet. Buzuqallinjtë janë mjeshtëra të vreshtarisë e të prodhimit të rakisë.

 

 

Një pjesë e të larguarëve në qytetet e tjera, përkujdesenen për tokat e tyre të mbjella me rrushë, ullinj, arrë, etj.

 

 

Në vjeshtë kërcasin kazanët  dhe rakia të çanë hundën.

 

 

Banorët i bëjnë apel pushtetit vendor për më shumë mbështetje. Rruga automobilistike 1 km larg nga ura e Buzuqit për në fshat, është ende e pa asfaltuar. Ujësjellësi i fshatit është i lënë pas dore dhe nuk ka ujë. Fushën e madhe që gjelbëron në foto, po e mer lumi pak e nga pak, ndërsa institucionet e shtetit vetëm heshtin.