Tomorri s’është thjesht mal!…

Tomorri s’është thjesht mal!…

 

Ai është kujtesa dhe kuptimi që ne, si popull, ngjitemi lart vetëm kur bëhemi bashkë

 

 

Fatos Muçaj

 

Mali i Tomorri dhe Kulmaku u kthye në tempull dhe panair tregëtie e zallamahie njëkohësisht.

 

Disa erdhën për lutje.

 

Disa për të ndezur një qiri.

 

Disa për të bërë kurban qengjin, kaposhin dhe jo dashin.

 

Disa për muzikën.

 

Disa erdhën ashtu kot, për qejf, për aventurë.

 

Disa për të bërë lesh e li trafikun.

 

Disa për sherr me policët.

 

Disa për të treguar muskujt.

 

Disa për t’u dehur e pë t’u bërë karroqe.

 

Disa vetëm për foton apo videon ‘spirituale’.

 

 

Ironia është dukshëm e qartë:

 

 

Pelegrinazhi duket si panair moderno-tradicional.

 

Por…

 

Përtej tymit dhe muzikës tallava.

 

Përtej çadrave e zhurmës.

 

Përtej trafikut kaos total.

 

Përtej gjullurdisë dhe zallamahisë.

 

Ka diçka që s’mund ta fshehësh:

 

Momenti kur mijëra e mijra njerëz pelegrinë, falen apo ndezin qirinjtë bashkë në Tyrben e Dervish Iljaz Qafokut dhe në Tyrben e Abaz Aliut, Mali i Tomorrit bëhet i gjallë.

 

Aty, ndarjet dhe bindjet e fesë treten, njerëzit ndihen më afër me njëri-tjetrin.

 

Duhet përgëzuar pa fund kush e ka bërë dhe rregulluar aq mirë rrugën nga Kulmaku në Majën e Malit të perëndive, Malin e Tomorrit.

 

 

 

Dhe për një çast mendoj dhe gjykoj:

 

Ky vend ka ende shpirt.

 

Mali i Tomorrit nuk është vetëm mal.

 

 

Ai është kujtesa dhe kuptimi që ne, si popull, ngjitemi lart vetëm kur bëhemi së bashku.