Tomorrica dhe rruga e shekujve
Klervis Bakillari
Lumi i Tomorricës rridhte i qetë, i fshehur midis malit Tomorr dhe Koshnicës. Uji i ftohtë shkonte si një gërshetë e argjendtë përgjatë luginës, duke përshkuar fshatrat me emra që flisnin për njerëzi dhe jetë. Ndër ta, Dobrenji qëndronte i qetë, një vend ku njerëzit ishin, sipas rrëfimeve, “të mirë” – dhe kjo fjalë nuk ishte thjesht një emër, por një trashëgimi shpirtërore.
Një degëzim i Rrugës Egnatia, e ndërtuar prej kohës së Perandorisë Romake, e kalldrëmtë me gurë të skalitur, lidhte Beratin me Vlorën dhe Durrësin – një urë e vjetër mes qytetërimeve, një rrugë që kishte parë kalërimin e princërve dhe tregtarëve, por edhe betejat e kohëve.
Në këtë rrugë të shenjtë kaloi edhe Fan Noli, me kalin e tij të bardhë, me yzengji të punuar me mjeshtëri dhe samar të strukturuar me kujdes. Kuverta e kuqe e mbante ngrohtë trupin e tij, ndërsa sytë e tij kalonin përtej horizonteve, duke vështruar jo vetëm peizazhin, por edhe shpirtin e atdheut.
Ndërsa ecte ngadalë mbi kalin e tij të bardhë, ai ndjeu një lidhje të veçantë me këtë krijesë besnike. Kalin e bardhë me yzengji të punuar me kujdes, samar të fortë dhe kuvertë të kuqe, e konsideronte jo thjesht një mjet udhëtimi, por një shok në rrugën e gjatë të atdheut.
“Ti je më shumë se një kalë, shoku im” – i foli Noli, ndërsa kalëroi përmes lugines së Tomorricës. “Bardhësia jote është si drita që duhet të ndriçojë errësirën e kohëve të vështira.”
Poshtë, disa fshatarë që punonin në fushë e ndalën për të përshëndetur. Njëri prej tyre, një plak i mençur, u afrua dhe me një zë të ngrohtë i foli:
“Zotëri, kalin e bardhë e ke me fat! Më ngjan me Kalin e Skënderbeut që ndoqi me ushtrinë e tij këto male. Ta dish që në këtë vend, jo larg nga këtu, ndodhet fshati Skënderbegas, ku heroi ynë i madh ka ndaluar për të çlodhur dhe organizuar forcat. Ai kalë, për ne, është shenja e pastërtisë dhe shpresës që ka populli ynë nëpër kohëra të errëta.”
Noli buzëqeshi dhe i përgjigjet me ngrohtësi.
“Kur njerëzit e këtij vendi flasin me zërin e malit dhe lumenjve, mësojmë për durimin, forcën dhe dashurinë për tokën. I njohur mirë jam me rrugën që lidh Beratin me Vlorën, dhe çdo gur i kalldrëmit flet për histori të pashlyera.”
Pastaj Noli u ngjit në Dobrenj, ai ndaloi për t’u përshëndetur me fshatarët, burra e gra që mbanin me nder të kaluarën dhe shpresë për të ardhmen.
“Si është gjendja këtu?”, pyeti Noli, duke ndjerë peshën e çdo fjale.
Një plak i mençur iu përgjigj: “Po përpiqemi të mbajmë shpirtin e kombit gjallë, zoti im, me punë dhe nder.”
Noli buzëqeshi dhe i tha: “Në këtë tokë duhet të kemi më shumë besim në veten tonë dhe në rrënjët tona.”
Në mbrëmje, pranë oxhakut, nën dritën e zbehtë të zjarrit, Fan Noli shtrëngoi në dorë gotën me rakinë e Skraparit dhe ngriti copëza të mishit të dashit, duke dëgjuar bisedat e fshatarëve. Ai ndjeu ngrohtësinë e mikpritjes dhe forcën e unitetit që lindte nga këto llogore të thella.
Në mëngjes kalërimi u ndal pranë qilarit të Muzakajve.
Ai vështroji përtej përroin ku thuhej se ishte miniera e arit. Ndjeu tingullin e kohës që përshkonte çdo cep të këtij vendi. Pastaj u ngjit sipër tek “Guri i Prerë” ose ndryshe “Guri i Komnenit”.
“Ky gur mban në vetvete histori dhe betejë,” mendoi me zë të lartë, sikur të fliste me vetveten, “këtu është mbrojtur dinjiteti i një populli që nuk dorëzohet.”
Kur kaloi Qafën e Gjarpërit, ndjeu erën e ftohtë të malit dhe shikoi përtej luginën që po largohej.
Kalërimi i tij heshti për një çast. Hodhi sytë nga Tomorri.
“Ky besim i urtë dhe i thjeshtë,” u tha shoqëruesëve, “është ura që lidh male dhe fusha, besimtarë të ndryshëm në një familje të madhe shqiptare.”
Në këtë atmosferë të ngrohtë ai kujtoi udhëtimin e tij nga Dobrenji në Voskopojë, ku kishte kaluar 25 orë me kalë duke parë katunde të prishura dhe njerëz të lodhur nga lufta dhe koha.
“Patriotizmi dhe sakrifica e këtij populli nuk janë kursyer aspak” , – tha me zë të lartë në Parlamentin shqiptar më 1923.
Ai gjithashtu përmendi Refat Gurrazezin, djalin e fshatit Gurrazezë, një burrë i madh që kishte emigruar në Amerikë dhe kishte mbajtur flamurin e Shqipërisë me nder në diasporë, si sekretar i shoqatës ‘Vatra’ dhe kryeredaktor i gazetës ‘Dielli’.
“Refati, si shumë shqiptarë të tjerë, mbajti frymën e atdheut në zë dhe zemër, edhe kur larg u gjend,” tha Noli, me një ngrohtësi që prekte zemrat e dëgjuesve.
Kështu, rruga e vjetër e Tomorricës, lumi që rridhte i heshtur dhe malet që mbrojnë fshatrat, u bënë dëshmitarë të një vizioni të madh, që do të rrënjoset thellë në historinë e Shqipërisë.
