“Tomorrica, fustanella e Tomorrit”, skenari i dokumentarit që do të shfaqet nesër në teatrin “Aleksandër Moisiu”, Durrës 

“Tomorrica, fustanella e Tomorrit”, skenari i dokumentarit që do të shfaqet nesër në teatrin “Aleksandër Moisiu”, Durrës 

Hajri Nuhu

Sapo kalon Grykën e Dervisë të shfaqet Tomorrica. Një nga krahinat e brendshme malore jugore të Shqipërisë. Një zonë interesante për nga pozicioni gjeografik. Vendoset mes vargmaleve Ostrovicë – Koshnicë në lindje dhe në perëndim ka vargmalin e Tomorr – Kulmak.

 

Mes për mes gjarpëron një lumë që formësohet nga pellgu ujëmbledhës i Tomorricës. Në pjesën lindore janë vendosur 25 fshatra që nisin nga Gjogovica deri në Nartë dhe në pjesën përëndimore nga Prrenjasi e Mëlova deri në  Kërpicë e Sotirë me 14 fshatra.

Sot Tomorrica ka vetëm 39 fshatra. Në planin administrativ ajo është ndarë e rindarë  mes Skraparit dhe Gramshit. Gjithësesi ajo është një krahinë unitare, historike e kulturore që, përveç mjedisit gjeografik dallon nga etnokultura, traditat e zakonet, nga gjuha e pasur dhe folkori i bukur.

 

Tomorrica është aty nën Tomorr, nën malin Baba. Me një natyrë mahnitëse, me reliev të thyer, me brezat pyjorë që nisin nga shkurret përgjatë lumit e deri tek kullotat alpine në lartësitë 2000-2400 m të Tomorrit.

 

Me një verë të freskët dhe me një dimër të ashpër. Qarkohet me male dhe duket si një krahinë e mbyllur dh e e izoluar. Në fakt ajo ka patur e ka dyert e komunikimit. Qafa e Dervisë, Qafa e Kulmakut,Qafa e Dardhës, Qafa e Gjarpërit.

 

Në 376 km2 të Tomorricës i gjen të gjitha. Bukurinë e ujëvarave si ajo e Sotirës dhe e Brerimës, burimet të rralla si ai i Kërpicës e Ujanikut, madhështinë  e Tomorrit, të Koshnicës e Gurit të Prerë.

 

Pozicioni i jep krahinës imazhin e një varke. Një varkë në ekulibër që e mbajnë  këto fshatra vendosur  nëpër mote në të dy anët e luginës. Një varke në udhëtim. Një udhëtim i pandërprerë.  Se jeta në këtë zonë ka zënë fill qëkur mbi dhe u shfaq hijerëndë ky mal që i jep zë dhe jetë Tomorricës dhe jo vetëm.

 

Se jeta në këtë zonë ka rrjedhur si uji i burimeve …Se Tomorri e Tomorrica janë lidhur ngushtësisht. Mali Baba dhe bijëza Tomorricë. Tomorricarët ishin aty që në antikitetin e hershëm. Ata i janë ngjitur të parët këtij mali…Tomorrica qarkohet me male, por kryemali është Tomorri, Olimpi ynë. Dëshmitë për vazhdimësinë e jetës janë mes të tjerash pasuria arkeologjike, kalatë që qarkojnë Tomorrin e Tomorricën, toponimia e pasur.

Sinkron: Intervista e historianit Nuri Çuni, që flet për lidhjet e Tomorricës me Korçën…

Sinkron: Intervitë më stuiuesin dhe publicistin Ylli Polovina: Tomorrica ka jetë dhe histori mbijetese nëpër shekuj. Por dokumente ka në veçanti për Mesjetën…Ajo vjen më me dritë këtë periudhë falë historisë së njërës prej familjeve më të mëdha feudale të kohës, asaj të Muzakajve…

 

Sinkron: Akademiku Pëllumb Xhufi: Testamenti i Gjon Muzakës që vlerësohet si një perlë e studimeve historike për Mesjetën  tregon se kjo zonë ishte e madhe,mjaft e rëndësishme Muzakajt…

…Rrallë mund të gjesh një krahinë në Mesjetë me një kryeqëndër si Grëmshi,fshati  qytezë me mbi 400 shtëpi  e 18 dyqane artizanati.Bejlerët e tij zotëronin prona që nga Berati e Lushnja deri në Maqedoni, Greqi e Thesali. Fshati nga kanë  origjinën vëllezërit  Frashëri .Fshati që i dha Perandorisë Osmane kryearkitektin, Mimar Kasëmin. Grëmshi luajti një rol të madh në rrjedhën e ngjarjeve në  kazanë e Tomorricës e më gjerë. Nëpër shekujt që pasuan tomorricarët bënë histori se ishin në ballë të përpjekjeve kundër perandorsë osmane dhe pushtuesve të tjerë.

….Tomorricarët nëpër shekuj  luftuan . Ata ishin pjestarë në kryengritjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. U takuan e kuvenduan me Abdyl Frashërin i dhanë fjalën e besën. Më pas ishin pjesë e kryengritjeve që cuan në Shpalljen e Pavarësisë. Vërshuan edhe në Vlorë atë nëntor të vitit 1912,ndërkohë  që paria e kësaj zone zgjodhi që në Kuvendin Historik ti përfaqësonte vetë kryeburri  Ismail Bej Vlora. Bektashianët e  kësaj treve i kthyen Teqetë  e zonës në vatra të patriotizmit ku mësohej e flitej shqip,ku lidhej besa për fatet e vendit. Personalitete  nxori dera e madhe e Dostëve të Zaloshnjës. Servet, Mahmut e Hysen  Zaloshnja i bëjnë nder kësaj krahine. Familje të tjera të mëdha  dhe  emra si Xhile Lici apo baba Meleq Shëmbërdhenji  janë pjesë e kontributeve kombëtare.

 

 Sinkron: Elmas Guga

…Tomorricarët ishin aktivë në tërë lëvizjet për liri e përparim shoqëror. Lufta e Vlorës,pjesëmarrja dhe mbrojtja e Kongresit të Lushnjës dhe lëvizja ,fanoliste  janë dëshmi të gjalla të  kësaj teze. Tre here ata pritën dhe përcollën Fan Nolin .Ashtu sic pritën dhe siguruan kalimin e Riza Cerovës pas dështimit të Lëvizjes se Fierit. Në gjysmën e parë të shekullit të  njëzetë Tomorrica ishte e varfër. Vetëm katër shkolla fillore kishte gjithë kjo zone në prag të viteve ’40. Për shërbim shëndetësor nuk bëhej fjalë. Ndaj ishte rrebele me qeveritë e kohës. Ndaj dhe u lidh fort me lëvizjen   Nacional-Clirimtare. Tomorrica ishte shtëpia e madhe e luftëtarëve të lirisë,një bazë  e fuqishme e saj . Në fillimet e saj kishte edhe një lëvizje nacionaliste që përkrah të parëve luftonin nën një flamur,për Shqipërinë.

 

Sinkron: Prof. Paskal Milo

Tomorrica i dha luftës një nga cetat e para partizane në Europë kundër fashizmit. Roli i Cetëss Plakë vendi i Mestan Ujanikut ka qënë i madh.Ishte një nacionalist që mbi gjithcka kishte Shqipërinë .Djemtë e Tomorricës luftuan anë e mbanë vendit.Qindra luftëtarë dhe 49 dëshmorë i dha zona kësaj lufte. Populli i kësaj zone bëri  histori që nga beteja e Mëlovës,Shëmbërdhenjit e deri tek epopeja  e Qafës së Gjarpërit dhe Gurit të Prerë.

 Moderatorja e talentaur e veprimtarive të shoqatës “Tomorri”, dega Durrës, Elitjona Doko  

 

 

Njerëzit e kësaj zonë  donin dijen si dritën dhe  kishin bërë përpjekje për  shkolla e mësues, e donin jetën.

 

Sinkron: Prof. dr. asoc Hysen Binjaku: Tomorrica pas çlirimit të vendit njohu zhvillim. Në këto vite u realizuan reformat e para që nga Reforma Agrare,Kolektivizimi e Bujqësisë. Fillimet ishin shpresë,por vetëm fillimet…Një zhvillim që  u bë  i prekshëm sidomos në arsim dhe në shëndetësi. Tomorricarët  kishin ëndrra, shpresë  dëshirë dhe dashuri për jetën…Tomorrica që merrte “borxh” mësues e mjekë në fillimet e saj deri në vitet ’90 numeronte 800 vajza e djem me arsim te larte. Në këtë truall kanë rrënjët edhe poetë e krijues, gazetarë, inxhinierë e mjekë një pjesë e tyre me tituj e grada shkencore …

 

Sinkron: Prof. Dr. Ajli Alushani

Pasuria më e madhe  e një kombi është gjuha. Tomorricarët flasin gjuhën e perëndive dhe e folura e tyre është e kulluar si uji i krojeve që gurgullon. Pasuria gjuhësore shpreh qartë kulturën e kësaj treve ,dëshirën  e tyre për arsim e culture.

Tomorrica pas viteve ’90 u “rrudh”, u zvogëlua. Një pjesë e banorëve  emigruan jashtë vendit,të tjerë zgjodhën të jetonin  pranë qyteteve të mëdha. Janë 6 fshatra që  u  ka mbetur  vetëm emri se banorë nuk ka. Nëse në vitet ’90 zona kishte  12960 banorë, në vitin 2015  ky numur ra në afro 3400  banorë. .  Mungesa e një rruge,largimi e mësuesve ,i mjekëve ,mugesa e strategjisë dhe investimeve për ti mbajtur në jetë zona të tilla si Tomorrica e dhanë efektin. Liria e lëvizjes ,por edhe politika që u ndoq në  30 vjet ndryshuan demografinë.  .Por vetëm kaq .Se tomorricarët  kudo ku jetojnë , janë integruar me dinjitet e punë .Ata  ndihen tomorricarë,nuk harrojnë rrënjët e të parëve,ruajnë dashurinë për vendlindjen.

Sinkron: Prof. Dr. Idriz Metani

Tomorricarët kanë të shenjtë fjalën. Kanë bujarinë e mikpritjen, kanë një karakter të paepur për të përballur me  vështirësitë e një zonë të ashpër. Duket që kanë marrë nga krenaria e maleve qëndresën përballë vëshirësive. Ata kanë këngën pasuri. Nuk është rastësi që mbreti i polifonisë toske, Artisti i Popullit Demir Zyko ishte tomorricar…

 

Sinkrone të tjerë:

Eqerem Gaxholli

Dr. Prof. Merita Alushani

Veprimtar politik dhe shoqëror Emiliano Biraku

 

Fundi i filmit

Tomorrica është aty. Në kërkim të shpresës për t’u ringritur. Me ide, me punë e besim. Me krenarinë për vlerat e se shkuarës, me sytë e shpresës tek e ardhmja.