
Tomorrica, një thesar kombëtar që po zhduket në heshtje
Nesim Alushani
Nga mali i shenjtë i Tomorrit deri në thellësi të fshatrave të saj, Tomorrica është një ndër trevat më të lashta të Shqipërisë, një krahinë me histori të jashtëzakonshme, që sot po rrezikon të humbasë, jo nga luftërat apo tërmetet, por nga harresa.
Kjo tokë ka qenë gjithmonë vatër e burrave të mëdhenj, të dijes, të pushkës e të penës.
Historia e Tomorricës është tepër e lashtë e banuar nga fiset ilire të Desaretëve, por lulëzimin ajo e ka patur në periudhën bizantine dhe në mesjetë. Asaj i shkonte mes për mes një ndër degët më të fuqishme të Egnatias romake (Vromi, “Rruga e Kripës”) çka e bënte një zonë të zhvilluar dhe të lakmuar. E tregon këtë regjistri Osman i vitit 1431.
Në kohën e Bizantit dhe në mesjetën e hershme e sundonin atë baronë e arhondë të lindur e jo të bërë, përfshi këtu dhe Muzakajt e njohur, që e cilësonin Tomorricën si qilarin e tyre, pasi aty kishin edhe minierën e arit (“Memorja” e Gjon Muzakës).
Ndoshta është kjo një nga arsyet që Skëndërbeu në krushqi me Muzakajt u kërkoi atyre Tomorricën sipas marrëveshjeve kanunore qëkishin bërë që më parë.
Sipas analeve dhe shënimeve të Gjon Muzakës, Tomorrica në shekullin e 15-të përbëhej nga 80 fshatra. Nëpërmjet Tomorricës në rrugën e vjetër, Venediku transportonte mallrat e saj në Voskopojë, Grebena dhe Selanik.
Pas vdekjes së Skënderbeut, shumë familje ikën në Greqi ose në Itali dhe kontribuan në shfaqjen e popullsive arvanite dhe arbëreshe në ato troje. Brenda Kalabrisë, Arbëreshë me emrat Gjerba, Jerba, Barç, Zhupa dhe Zhepa mbahen nga Eqrem Çabej me prejardhje nga Tomorricë.
Nga Mehmet Qyprilli te Frashërllinjtë
Historiani dhe dijetari i madh Sami Frashëri, në enciklopedinë e tij monumentale “Kamus al-Alam”, na tregon se Tomorrica është vendlindja e Mehmet Pashë Qyprillit, themeluesit të njërës prej familjeve më të fuqishme të Perandorisë Osmane. Një shqiptar nga zemra e Tomorricës, që ndikoi historinë e gjithë Lindjes së Mesme dhe Ballkanit.
Më pas, në vitin 1941, Mit’hat Frashëri, figura emblematike e nacionalizmit shqiptar, në një studim për Naim Frashërin, të shkruar nën pseudonimin “Mali Kokojka”, deklaroi publikisht se vëllezërit Frashëri janë pasardhës të Hamza Bej Grëmshit, një prijës nga Tomorrica.
Pra, rrënjët e familjes që themeloi Rilindjen Kombëtare Shqiptare lidhen ngushtë me këtë krahinë të harruar sot nga shteti.
Mimar Kasëmi – Arkitekti i Perandorisë nga Grëmshi i Tomorricës
Por Tomorrica nuk dha vetëm burra politike e ideologjike. Nga fshati Grëmsh, u ngjit në majat e artit osman edhe Mimar Kasëmi, i njohur ndryshe si Arkitekt Kasëmi, kryearkitekt i Perandorisë Osmane pas Mimar Sinanit.
Kasëmi nga Tomorrica ishte udhëheqësi i ndërtimit të disa prej veprave më të mëdha të arkitekturës osmane në fund të shekullit XVI dhe fillim të XVII, duke qenë një nga ndërtuesit e qytetërimit osman në Stamboll.
Emri i tij është i lidhur me postin zyrtar të Kryearkitektit të Oborrit Perandorak (Mimarbaşhı), duke vijuar trashëgiminë e Mimar Sinanit. Ky shqiptar nga zemra e Tomorricës ndërtoi Perandorinë Osmane me gurë e mermer.
Kontribut historik që meriton të dihet dhe të njihet
Tomorrica ka dhënë një kontributtë rëndësishëm në lëvizjen kombëtare shqiptare, në Shpalljen e Pavarësisë, në ndërtimin e shtetit dhe në mbrojtjen e territoreve shqiptare.
Ajo ka heronjtë dhe historinë e saj që meriton të njihet, të vlerësohet dhe të jetë pjesë e ndërgjegjes kombetare.
Një krahinë që po harrohet padrejtësisht
E megjithatë, sot Tomorrica është kthyer në një fjalë bosh në hartën e politikave kombëtare. Nuk ka rrugë, nuk ka shkolla funksionale, nuk ka plane për zhvillim rural, nuk ka investime në trashëgimi kulturore. Po flasim për një zonë që mund të ishte zemër e turizmit historik, kulturor dhe malor, e në vend të kësaj, është kthyer në simbol të braktisjes.
Politikat qeverisëse, lokale dhe qendrore, kanë detyrim moral dhe kombëtar ndaj Tomorricës. Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë nëse lejojmë zona të tëra të vendit të zhduken nga harta sociale e kombit.
Sot, Shqipëria ka nevojë për më shumë se fjalë:
- Duhet një plan kombëtar për rigjallërimin e zonave malore dhe historike si Tomorrica.
- Duhet të përfshihet në axhendën e zhvillimit turistik të vendit.
- Duhet të mbështeten projektet e infrastrukturës që lidhin këto fshatra me qendrat urbane.
- Duhet të ruhet trashëgimia gojore dhe kulturore, që është pasuria më e madhe e kësaj krahine.
Të shpëtojmë Tomorricën nga harresa, do të thotë të shpëtojmë vetë historinë tonë si komb. Sepse një komb që harron rrënjët e tij, nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme.
Ky është jo vetëm një apel, por një detyrim.
Për shtetin, për politikën, për ne të gjithë.