
Trevë poetësh
Sefedin Çela
Qershor i vitit 1974, në inaugurimin e ringritjes së shtëpisë muze të Vëllezërve Frashëri, në Frashër.
Ishim ngjitur përmes pyllit me bredha e pisha të Hotovës, kishim folur për Naimin e për të tre vëllezërit me radhë e, sa mbritem në Frashër, Xhevoja tha:
“E di, nga ana tjetër e Frashërit është Malindi im”.
Sot e mendoj: trevë poetësh njerezish të mëdhenj!
Atë ditë ishim thjeshtë dy shokë, rastësisht bashkëpatriotë, të ardhur me shërbim për reportazhin e ngjarjes. Xhevoja edhe atëherë ishte poet,po jo me emrin që ka sot.
Ajo shprehja ” nga ana tjetër e Frashërit është Malindi im” sot nuk ka kuptim thjesht gjeografik, si themi Frashëri i Vëllezërve Frashëri themi dhe Malindi i Xhevahir Spahiut!
Xhevoja u vë emër gjërave.
Duket si në përrallë: ai e gjen fjalën, e bën varg, e kthen në gjerdan xhevahiresh. Tek gjithçka që prek e që bën vë diçka nga zemra e vet e nga emri i vet: Xhevahiri i poezisë, xhevahir në tavolinë, mik xhevahir!
Ndihem mirë që jam në krah të tij në këtë foto. Jam krenar që e kam mik e që e ndjej përditë në krah.
Jetë të gjatë,Xhevo i dashur, me poezitë e tua ke kapërcyer kohën, ke mbritur në shekullin e ardhshëm!