Tri nëna për një fëmijëri

Tri nëna për një fëmijëri

 

Dashnor Dosti

 

Kur isha fare i vogël, nuk e dija se kush ishte nëna ime. Më saktë, nuk e kuptoja pse një njeri duhej të kishte vetëm një nënë. Mund të kishte edhe dy. Madje edhe më shumë. Ashtu si unë, që kisha tre.

 

 

Njëra ishte nëna ime biologjike, sigurisht. Pastaj ishte gjyshja, me atë prekje të ngrohtë e të papërsëritshme që nuk ta falte askush tjetër. E treta ishte emta ime, Fatikua.

 

 

Sot shumëkush përdor fjalën “hallo”, por për mua emta ka qenë gjithmonë diçka tjetër, një fjalë më e afërt, më e dashur, më e mbushur me përkëdheli.

 

Për mua ishte krejt e natyrshme që një fëmijë të kishte më shumë se një nënë. Dy, tre, aq sa të mjaftonin për ta rrethuar me dashuri. Dhe mua më mjaftonin këto të tria.

 

 

Në shtëpinë tonë jetonin dy kurora. Xhaxhai me pesë fëmijët e tij dhe im atë me katër. Bashkë me gjyshërit bëheshim pesëmbëdhjetë frymë.

 

 

Nuk kishte ndarje të prerë detyrash. Secili bënte çfarë mundej dhe të gjithë kujdeseshin për ne, fëmijët. Pasi na lanin, na vishte ajo grua e shtëpisë që gjendej më pranë. Dy nuset nuk i ndanin fëmijët në “të mitë” e “të tutë”. Secila përpiqej të bënte më të mirën për të gjithë.

 

 

Kur erdhi dita e ndarjes së familjeve – unë isha në klasën e pestë atëherë – të rriturit e përjetuan si një traumë. Ne fëmijët, jo.

 

 

Thjesht fituam edhe nga një shtëpi tjetër. Drekën apo darkën e hanim aty ku na zinte koha, ndërsa unë nisa edhe “poshtërsitë” e mia të vogla. Shpesh haja dy darka, një në secilën shtëpi. Të dyja nënat e kuptonin fare mirë djallëzinë time, por bënin sikur nuk e vinin re.

 

 

Kjo vazhdoi edhe kur u rritëm. Darkat shpesh i kalonim së bashku, pa folur pastaj për festat familjare, që ishin gjithmonë të përbashkëta. Ajo harmoni la gjurmë aq të thella, sa edhe sot, në prag të pleqërisë, ne kushërinjtë mblidhemi shpesh të shtunave për të drekuar bashkë, duke sjellë ndër mend me mall ato vite të bukura.

 

 

Mes gjithë asaj dashurie të derdhur pa kursim mbi ne, nuk kam si të mos veçoj emtën time të paharruar, Fatikon. Gjatë gjithë jetës së saj ajo na priti e na përcolli me të njëjtën ngrohtësi, me të njëjtin përkushtim dhe me atë buzëqeshje që nuk iu shua kurrë.

 

 

Ashtu siç duket edhe në këtë fotografi të mrekullueshme, në ballkonin e shtëpisë së saj në Tiranë, ku kaloi vitet e pleqërisë.

 

 

Kanë kaluar disa vjet që kur Fatikua jonë u nda nga jeta. Megjithatë, shpesh më duket sikur vazhdon të na shohë nga diku, me të njëjtin vështrim të ëmbël e plot dashuri që ka mbetur i ngrirë në këtë fotografi.

 

 

Ka njerëz që largohen fizikisht, por mbeten përgjithmonë pranë nesh, sepse dashuria e tyre nuk njeh fund.