“Tri Qafa”, emri i njëjtë, por edhe fati i njëjtë!…
Zylyftar Hoxha
Para pesë vjetësh, me një grup miqsh, ishim në Kërçovë të Maqedonisë së Veriut. Duke u ngjitur për në Jagoll, nga makina, drejtori shkollës “Naim Frashëri” të këtij fshati, Ismet Selimi më tregon fshtrat me radhë në shpat të malit të Ujëmirit.
Përmend dhe një fshat me emrin Qafë, njësoj si fshati im në Skrapar.

Qafa e Skraparit
“Si, si – e pyeta, ka fshat me emrin Qafë edhe këtu”?. E dija se një tjetër fshat Qafë, është edhe sot në krahinën e Sulit, në Greqi E kam gjetur në librin e shkrimtarit grek, Dhimitër Fotiadhit, ku ai flet për luftëtarët e Ali Pashë Tepelenës, që luftuan edhe katër vjet pas vrasjes së Pashait.
Këtë radhë me grekët, që në Revolucionin e tyre pushtuan territore shqiptare të Sulit dhe Mesollongjit.
Një nga këta kapedanë ka qenë Banush Sevrani, i cili kishte “bërë vend dislokimi” në fshatin Qafë të Sulit.
Pas çdo beteje, – shkruan shkrimtari grek Fotiadhi, ai rikthehej përsëri në Qafë të Sulit, të cilin e kishte bërë si fshatin e tij.
Pas shumë luftimesh, më shkurt të vitit 1826, katër vjet pas Ali Pashë Tepelenës, Banushi, së bashku me Ligorin, pushtuan ishullin e vogël Dollma.

Qafa e Sulit, Greqi
Luftimet qenë të ashpra dhe, sipas Fotjadhit, u vranë 350 veta të Banush Sevranit. Aty, katë vjet pas Ali Pashë Tepelenë, u vra edhe vet Banushi.
Hyra në internet të dija diçka më tepër për këtë fshat. Gjeta se ai ekziston akoma. Ka nëntëdhjetë familje të ndarë në katër fise: Foto, Nika, Pandazi dhe Zerva.
Por le të kthehemi te Qafa që më doli përpara në trevën e Kërçovës.
I them edhe një herë Ismetit për t’u siguruar:
“Qafë, më the”?!
“Qafë, më thotë, pse”?
“Po dhe fshati im quhet Qafë”! – i them.
Zbrita nga makina për ta kundruar më mirë:
Çudi, i ngjante shumë fshatit tim, Qafës time, nga lartësia mbi nivelin e detit, nga ekspozicioni në drejtim të jugut, nga livadhet dhe gjelbërimi.
Më thanë se Qafa është fshati më i bukur dhe më turistik i tërë zonës së Gostivarit dhe Kërçovës, ashtu si dhe Qafa ime, që është me resurse më të shumta turistike se të gjitha fshatrat e zonës së Potomit në Skrapar.

Qafa e Kërçovës
Por Qafa e Kërçovës, siç mësova më vonë nga bashkëbiseduesi, kishte ngashmëri edhe nga historia. Veçse historia e Qafës së Kërçovës ishte më e dhimbshme:
Qafa e Kërçovës ishte djegur nga serbët në 1913-ën; ndërsa Qafa ime nga greku një vit më vonë, në 1914-ën.
Ndërsa banorët e fshatit tim braktisën fshatin dhe shkuan në Ullishtet e Beratit dhe të Vlorës dhe u kthyen më vonë përsëri në fshat kur iku greku; atyre të Qafës së Kërçovës sërbi iu bë “rrësk” te dera tërë jetën.
Ndërsa nga Qafa ime atë vit u vranë nga armiku apo vdiqën nga sëmundjet mbi 12 shpirt; në Qafën e Kërçovës është bërë batërdia, është vrarë tërë fshati, burra, gra dhe fëmijë.
Ndërsa Qafa ime episodet e heroike të luftës ndaj grekut i ka “me torbë”, Qafa e Kërçovës këto episode i ka “me thasë”, i ka më heroike, më të dhimbshme dhe më proverbiale.
Mjafton të përmendësh vetëm njërën prej tyre, atë të Sulltanës së Qafës.
Ndërsa serbët nxirrnin nga shtëpia-burg banorët e fshatit dhe i thernin si shqerrat, Sulltana merr gërshërët e dhenve, del në oborr dhe vret të parin, komandantin, pastaj dy shokët e tij. U merr pushkën nga dora, por nuk di ta përdorë.
Ushtarët ikin të lemerisur, ndërsa njëri nga ata, nga distanca e godet me një plumb dhe e vret. Në këtë rrëmujë, hapet dera-burg dhe njerëzit shkojnë në pyll për t’u fshehur, por ushtria sërbe i zbuloi më vonë dhe i vranë të gjithë.
Kanë shpëtuar vetëm ata që nuk kanë ndodhur për momentin aty.
Tani në Qafë lartësohet një përmendore që përjetëson aktin heroik të Sulltana Qafës, por që shërbën edhe si dëshmi historike, jo i jetesës së shqiptarëve, por i mbijetesës së tyre, edhe pse në trojet e veta amtare.
***
Sidoqoftë, të “Trija Qafa-t” janë atje ku janë. Ato nuk i lidh vetëm emri, por edhe historia.
Të trija sot janë pothuajse të shkreta.
Me më shumë të vdekur në varre se sa të gjallë në arat, krojet dhe korijet e tyre.
Ato janë atje, por dhe në mendjen dhe zemrën e pinjojve të dalë nga gjiri i tyre, që, si dhe unë, ëndrrat i shohin vetëm me Qafa-t e tyre.
