U kremtua 20-vjetori i shoqatës atdhetare kulturore “Dëshnica”
Gëzim Voda
Më 24 nëntor të këtij viti, u kremtua 20-vjetori i krijimit të Shoqatës Atdhetare e Kulturore “Dëshnica”, që përkonte me prag përvjetorin e 110 të Shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare. Atë kohë një dëshnicar i quajur Veli bej Këlcyra, ishte i vetmi nga gjithë treva e Përmetit i mandatuar prej përmetarëve për të marrë pjesë në atë Kuvend historik, duke u zgjedhur edhe anëtar i Senatit që doli prej atij Kuvendi.
Shoqata “Dëshnica” u krijua më 24 nëntor 2002 në Tiranë nga 29 dëshnicarë që përfaqësonin 19 fshatra të krahinës, shumica dërmuese e tyre me arsim të lartë. Shoqata Dëshnica” ndër vite kreu me sukses misionin e saj në evidentimin , promovimin dhe propagandimin e vlerave krahinore, duke lënë gjurmë pozitive, krahas gjithë shoqatave simotra në shkallë vendi.
Veprimtaritë e organizuara ndër vite, roli që luajti gazeta që përfaqësonte atë me 80 numërat e saj, si dhe opinionet e shfaqura nga shumë intelektualë dëshnicarë dhe personalitete të tjetra nga bota akademike shqiptare, si Dritëro Agolli, Ylli Popa, Mentor Përmeti, Ali Muka, Farudin Hoxha, Moikom Zeqo, Xhevahir Spahiu, Ahmet Osja, Sherif Bundo, Agron Xhagolli, Nexhip Mërkuri, Luan Nikollari, Lufter Xhuveli, Beg Musta, Neritan Ceka, Bardhyl Londo,etj. lartësuan shoqatën Dëshnica” në nivele të pa imagjinuara kurrë më parë.
Ndërkaq, atë ditë u promovua edhe libri “Shoqata “Dëshnica” e mirëpritura në krahinë, një përshkrim historik i 20 vjetëve të saj”, i autorit Gëzim Voda, me rreth 350 faqe dhe po aq fotografi , i cili i bën jehonë rrugës së saj në këto vite. Botimi u vlerësua edhe nga ata që morën fjalën më këtë rast.
Më tej, Kryesia e Shoqatës nderoi me “Çertifikatën e Mirënjohjes” disa prej kontribuesve më të spikatur, shumica e të cilëve ishin ndarë nga jeta. Më konkrtetisht siç ishin: Nuri Dragoj, Prof. Dr. Ali Muka, Prof. Asoc. Dr. Luan Nikollari, Sabah Duçkollari, Tomor Çaushi, Nuredin Nuredin Nurçe si dhe për miq e dashamirës të Shoqatës sonë si Niko Tyto nga Malëshova, Abdulla Bregu e Ilmi Qazimi nga Skrapari, Muharrem Neziri nga Puka dhe Fazli Behlulaj nga Suhareka e Kosovës që banon në Gjermani (akorduar që më parë si “Mik i nderuar i Shoqatës “Dëshnica”).
Më pas u bënë zgjedhjet, ku pjesa më e mëdhe e të zgjedhurve ishin të rinj. Kryetare e shoqatës dhe drejtore e gazetës u zgjodh Yllka Mërkuri, ndërsa kryeredaktor i gazetës u emërua Flamur Dalipaj.