U nda nga jeta Faik Biraku, një nga veteranët e fundit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Skrapar

U nda nga jeta Faik Biraku, një nga veteranët e fundit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Skrapar

Ishte, ndoshta, “i fundit i Mohikanëve” që jetonte ende, një nga veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Skrapar, nga ata burra që e dinin mirë se ç’do të thoshte plumbi që të vinte përballë e mu në ballë, që sot, në moshën 98-vjeçare, është ndarë nga jeta.

 

 

Faik Biraku ishte një nga përfaqësuesit e brezit që përjetoi luftën dhe ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës shërbimit ushtarak.

 

 

Faik Biraku lindi në Barç të Skraparit, më 22 tetor 1927, në një familje me tradita patriotike. I ati kishte marrë pjesë në Luftën e Vlorës të vitit 1920.

 

 

Ende adoleshent, në moshën 16-vjeçare, Faiku u inkuadrua në Brigadën e 10-të Sulmuese Partizane, duke u bërë pjesë e luftës për çlirimin e vendit.

 

 

Edhe pas Çlirimit, ai mbeti në radhët e ushtrisë. Në këtë periudhë, mori pjesë edhe në përballjen me provokacionin grek të 2 gushtit 1949.

 

 

Në vitin 1950, ishte kursant në Shkollën Ushtarake të Oficerëve në Tiranë. Pas përfundimit të kursit trevjeçar, u caktua me shërbim në Kukës, ku qëndroi rreth katër vjet. Më pas u transferua në Shkodër, ku shërbeu për afro katër vjet, dhe më vonë në Brigadën Sulmuese të Përmetit, ku qëndroi për gjashtë vjet.

 

 

 

Për rezultatet e mira në shërbim, u ngrit në përgjegjësi dhe u transferua në Gjirokastër, ku u emërua komandant batalioni artileri-mitralier. Për rreth tre vjet shërbeu në zonën e Poliçanit dhe të Dropullit. Gjatë kësaj periudhe iu dha edhe grada major.

 

 

Më pas, Faik Biraku u kthye në vendlindjen e tij të dashur, në Skrapar, ku mori detyrën e komandantit të grupit të Forcave Vullnetare. Këtë detyrë e kreu me përkushtim për rreth 15 vjet rresht, deri në daljen në pension.

 

 

Por edhe pas daljes në pension, ai nuk u shkëput nga jeta shoqërore. Si veteran, mbeti ndër njerëzit më aktivë të Skraparit, duke ruajtur lidhjet me bashkëluftëtarët, bashkëqytetarët dhe institucionet e zonës.

 

 

Për veprimtarinë dhe kontributin e tij, Organizata e Veteranëve dhe Bashkia e Çorovodës e nderuan me titullin “Qytetar Nderi i Çorovodës”.

 

 

Përveç këtij titulli, Faik Biraku u nderua edhe me dekorata dhe vlerësime të tjera nga institucionet e larta të shtetit shqiptar, ndër të cilat Medalja e Trimërisë dhe e Kujtimit, si dhe Urdhri “Naim Frashëri”, akorduar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë.

 

 

Me ndarjen nga jeta të Faik Birakut, Skrapari humbet një nga përfaqësuesit e brezit të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, një dëshmitar të një kohe të vështirë të historisë dhe një njeri që i kushtoi shumë vite shërbimit ushtarak dhe jetës shoqërore.

 

 

Emri dhe kujtimi i tij do të mbeten të lidhur me Barçin, me Skraparin dhe me njerëzit që e njohën, e vlerësuan dhe ndanë me të pjesë të jetës.

 

 

Ngushëllime familjes, të afërmve, miqve dhe bashkëluftëtarëve!

 

#Orakujt…#