Udhëtim nëpër Skrapar: Pranverë e vonë në Faqekuq
Sot është 10-ditëshi i parë i muajit maj, kur ka ikur pothuajse gjysma e stinës së bukur të pranverës, ndërsa në Faqekuq, në lartësinë gati 1000 m mbi nivelin e detit, pranvera tani sa ka filluar, kumbullat e malit sa kanë çelur dhe qepët nëpër bahçe sa kanë filluar spikun e tyre.
Këto pamje pranverore janë marrë në lagjen Koromanë në të këtij fshati, një lagje e shkëputur nga qendra e fshatit, afër luginës së famshme kullosore mes Ostrovicës dhe Çukës së Frëngut.
Faqekuqi, Krasta dhe Bërsaka kanë qenë fshatrat me historinë më të re në Skrapar. Historia e tyre e vjetër është në Backë prej dhe nga kanë ardhur, në fillim në stane dhe më pas ndërtuan shtëpitë e tyre, themelet e të cilave janë edhe sot.
Në vitet 1990 të shekullit të kaluar, si të gjithë fshatrat e Skraparit, edhe këta, ca më tepër për kushtet e vështira, lëvizën drejt qyteteve Tiranë, Durrës dhe Çorovodë, ku kishin njerëzit e tyre.
Në fshat nuk ngeli asnjë familje. Shtëpitë po ktheheshin në gërmadha dhe po i mbulonte ferra, hithra dhe shpendra. Ish-banorët e tyre, tashmë të sistemuar me punë e shtëpi nëpër qytete, as u shkonte në mend se çfarë kishin lënë prapa. Si mall u vinte keq, por që të ktheheshin, kurrë!…
Po ç’ndodhi? Veprimtaritë e reja ekonomike, në fillim shfrytëzimi i lumit dhe i gurit dhe më pas ndërtimi i një centrali elektik çuan rrugën automobilistike. Dalëngadalë zona u bë atraktive. Filluan të vijnë banorët e dikurshëm dhe të rregullojnë shtëpitë. Fillojnë të mbjellin selishtat dhe kopshtet për t’i patur zahire për dimër. Fillojnë të shfrytëzojnë malin, që është “minierë floriri” me bimët medicinale.
Janë mbi 10 familje që vijnë çdo verë. Lagjja ka marrë formë, është rigjallëruar si dikur.
Nuk do të jetë e largët dita kur në shpatet e Ostrovicës dhe të Çukës së Frëngut do të shikojmë bujtinat e para malore.