Udhëtim nëpër Skrapar…: Çerrica, para se të mos jetë më(!)

Udhëtim nëpër Skrapar…: Çerrica, para se të mos jetë më(!)

Prof. asoc. dr. Hysen Binjaku, Qytetar Nderi i Poliçanit, është një nga bijtë më të mirëarsimuar, më të kultivuar dhe më të devotshëm të fshatit të Çerricës, me një karrierë dhe rrugëtim të suksesshëm si mësimdhënës: në Skrapar, në shkollën e mesme të Poliçanit, më pas si pedagog i Matematikës në Universitetin e Tiranës, Instituti i Ndërtimit dhe në fund, pensioni e zuri në Universitetin Evropian të Tiranës.

 

 

Është një nga djemtë e fshatit, si rrallë tjetër, që megjithëse i larguar herët, mban lidhje të përhershme me bashkëfshatarët e vet në fshat, por edhe me ata që janë larguar dhe jetojnë jasht apo nëpër qytete të ndyshëm të Shqipërisë.

 

 

 

 

Prof. asoc. dr. Hysen Binjaku

 

Fshati Çerricë, një ndër dyzetë fshatrat e Tomorricës, në dijeninë time, por edhe të të tjerëve në fshat dhe më gjerë, nuk është i dëgjuar për bëmat e “Burrave të fort e të motshëm” apo “Heronjëve”.

 

Ajo, në rrjedhën e viteve, ka qënë dhe është një fshat ku jeta ka vazhduarë “pa bujë”. Kam përshtypjen se, në këtë “Anonimat të Çerricës”, ka ndikuarë në masë të madhe edhe “mungesa e bejlerëve të fshatit”.

Është e çuditshëme , por edhe e vërtetë,  në këtë fshat asnjëherë nuk është dalluar ndonjë familje apo fis që të dominonte ekonomikisht dhe me pushtet tek të tjerët, ashtu siç rëndom ka ndodhur në të tjera fshatra.

 

Fshati numëron 11 (njëmbëdhjetë) fise “ në fakt ato janë “llagape” sipas fjalorit të fshatit ose “mbiemra” sipas gjuhës zyrtare të sotme. Nisur nga pozoicioni gjeografik i lagjeve dhe shtëpive të tyre, fshati përbëhet nga tri pjesë apo njësi.

 

Në njësinë e parë bëjnë pjesë: Spahillarët, Binjakët, Lamkollarët, Minët, Bollobanët dhe Vlashët (renditja është bërë jo sipas “madhësisë” së fisit, por sipas pozicionit gjeografik nga lindja në perëndim).

 

Këto fise formojnë një njësi më vete, është pjesa më e madhe e fshatit dhe, nga banorët e pjesëve të tjerë të vetë Çerricës, quhet “Fshati”.  Shpesh, banorët e dy pjesëve të tjera përdorin shprehjet “do të shkoj nga fshati” ose “erdhën ata të fshatit”.

Në njësinë  e dytë bëjnë pjesë: Gjinët, Mersinasit dhe Breshanët. Ata formojnë një njësi më vete dhe, nga banorët e ashtuquajtur “fshati”, thirret (quhet) “Përtej”. Kështu, banorët e fshatit thonë: “Do të shkoj përtej” ose “Erdhën të përtemët”.

 

Pjesa e tretë përbëhet nga Godunët dhe Fushët (kanë qënë dy familje të ardhura nga fshati Grëmsh i Tomorricës), nga dy pjesët e tjera dhe gjithë zona e Tomorricës thirret “Konak”.

Njësitë “fshat” dhe “përtej” ndahen nga një përrua (jo i vogël, sidomos në dimër) që quhet “Përroi i Pades”.

Pjesa “fshati” është në hyrje të Çerricës kur vjen nga Çorovoda – Gjerbësi (jugu), ndërsa pjesa “përtej” është në hyrje kur vjen nga Grëmshi – Kërpica (veriu). Nëse e përshkruan në këmbë rrugën nga shtëpia e parë në hyrje nga jugu deri në shtëpinë e fundit në veri dhe anasjelltas (rruga është e mirë, aq sa mund të jetë e tillë një rrugë fshati në Tomorricë), me ecje normale, duhen mbi 30 minuta (nuk është pakë…).

Pra, Çerrica ka një shtrirje të konsiderueshme, po të kemi parasysh fshatrat e Skraparit në përgjithësi. Konaku ndodhet në perëndim të Çerricës, mjaft i shkëputur nga fshatit, ndodhet në buzë të lumit Tomorricë, vendosur në një fushë të bukur dhe relativisht e madhe për krahinën e Tomorricës, që siç edhe dihet, fushat i ka të pakta. Nëse nisesh nga shtëpia e parë në lindje të fshatit dhe shkon në Konak, duhen mbi 45 minuta, ndërsa në kthim duhet më shumë, është pakë e përpjetë.

 

 

Pozicioni gjeografik

 

 

Çerrica në veri kufizohet me tokat e Çorrotatit (i ndan përroi i Çorrotatit, burimet e të cilit janë në malin e Koshnicës) si dhe me tokat e Dobrenjit (i ndan përroi i Dobrenjit, vazhdim i atij të Çorrotatit, i cili derdhet në lumin e Tomorricës tek vendi i quajtur Mulliri i Dobrenjit).

 

Në Jug kufizohet me tokat e Gjerbësit (një arë e madhe përballë punishtes së famshme buzë lumit) dhe me tokat e Grevës (Xheletina e Grevës). Në këtë pjesë të territorit të Çerricës është e famshme Fusha e Çobanit dhe Thanëza, dy ara buzë lumit.

Ato, së bashku me përroin e Leskovës, janë prezantimi me Çerricën kur vjen nga rruga Çorrovodë – Gjerbës. Përroi i Leskovës (disa i thonë edhe Përroi i Thanzës ose Çerricës), me burime nga mali i këtij fshati dhe derdhje në lumin e Tomorricës, është i rëndësishëm për banorët e Çerricës po aq sa dhe vetë lumi i Tomorricës, pasi këtu  zbresin bagëtitë e fshatit për ujë dhe për pushim në vapën e beharit.

 

Në lindje fshati kufizohet me tokat e Leskovës (një pjesë fare e vogël, aty ku përroi i Leskovës hyn në territorin e Çerricës) dhe, pothuaj në të gjithë territorin në lindje, me arat e Zhepës, fshat me të cilin, mund të themi, Çerrica ka bashkëpunimin më të madh ekonomik dhe shpirtëror. Janë të shumta miqësitë (martesat) midis këtyre dy fshatrave.

 

Në Perëndim (në fund të arave dhe pyllit) është lumi i Tomorricës, që lag gjithë pjesën perëndimore të Çerricës që nga Fusha e Çobanit, Thanëza dhe përroi i Leskovës në jug deri tek Mulliri i Dobrenjit në veri.

Për gjatë lumit të Tomorricës, nga ana perëndimore e tij, Çerrica kufizohet me arat e Gjerbësit, Gradecit (i Tomorricës), Shpatanjit dhe Treblës, që janë kullota shumë të mira dhe shfrytëzohen nga barinjtë e Çerricës, vetë fshatrat që i kanë nuk i shfrytëzojnë, kanë boll të tilla në Malin e Tomorrit.

 

Është rasti të them se madhështia dhe bukuria e malit të shenjtë, të Tomorrit, zbulohet dhe shijohet, në të gjithë përmasat, vetëm nëse ai vështrohet nga Çerrica.

 

Çerrica shtrihet mbi një pllajë me pjerrësi nga Lindja (kreu i fshatit)  për në erëndim (fundi i fshatit) duke u zbutur pak nga pak deri sa zbret në bregun lindor të lumit të Tomorricës. Në qendër të fshatit lartësia mbi nivelin e detit është, afërsisht, 730 metra.

Në gjithë gjatësinë e sajë jug – veri (rreth 4 km për gjat lumit të Tomorricës), pllaja ku vendoset fshati, me drejtim lindje – perëndim, ndërpritet nga disa përrenj:

Përroi i Sallavinës, buzë të cilit janë dy burime kryesore uji i pijshëm: Çezma e Sallavinës  dhe Çezma e Sydenecit, të cilat shërbejnë për lagjet Spahiu dhe Binjaku. Përroi i Pades, ka një burim të quajtur Çezma e Petlicës dhe disa burime të vegjël por jo shumë të qëndrueshëm. Përroi i Veshtmadhit, ka dy burime që shërbejnë për lagjet Gjini dhe Mersinasi. Lagja Breshani ka një burim të bollshëm në rrugën kryesore hyrëse të lagjes njihet si Çezma e Axhemit dhe një tjetër në mes të lagjes, buzë një përroi të vogël.

 

Përgjithësisht, në Çerricë nuk ka burime të bollshme me ujë të pijshëm, për këtë arsye shumë vite më parë janë hapur disa puse. Puset janë hapur me krahë dhe arrijnë deri 18 pash (njësi matëse) ose mbi 20 metra thellësi dhe diametër 1.2 – 1.5 metër. Puse të mira, për sasinë dhe sidomos cilësinë e ujit, janë pusi i Hakiut, Kudretit, Kamberit dhe Jasharit. Këto puse janë, pothuajse, në vijë të drejtë nga Lindja në Perëndim në distancë 200 – 250 metra nga njëri tjetri. Në vijim të këtyre puseve, në fund të njësisë së quajtur “fshati” , në një pjesë shkëmbore është një burim shumë i bollshëm dhe ujë shumë i mirë (ujë si ai i puseve), Burimi i Kalipotit.

Nevojat për ujë të pijshëm, në fund të viteve 80 – të të shekullit të 20 – të dhe në vijim, plotësohen nga një ujësjellës që vjen nga burimet e pasura të Zhepës.

Fshatin e përshkojnë, nga jugu në veri, dy rrugë këmbësore mjaft të gjata dhe mjaftueshëm të gjera për një fshat jo të madh (ndër vite ka patur 30 deri në 90 shtëpi).

 

Të dyja rrugët fillojnë në të njëjtin vend, në Dërgurës (për çudi, aty janë dy shkëmbenj të mëdhenj, të vetmit në gjithë territorin e fshatit, arave dhe pyllit) ose, siç thuhet shpesh, tek shtëpija e Jasharit.

 

Rruga e Sipërme kalon nëpër këto pika të dallueshme: Dërgurës, Përroi i Sallavinës, Guri i Zhajgut në hyrje të Lagjes Binjaku (edhe këtu një gur i vetmuarë jo shumë i madh), mbi Shtëpinë e Kudretit (shpesh këtu, tek lëmi, pushonin udhëtarët për të pirë pak ujë të ftohtë nga pusi i mrekullueshëm), mbi Shtëpinë e Muratit ose tek Shkolla (më herët, tek Xhamia, por pa xhami(!), Përroi i Pades, Veshtmadh (kështu shqiptohet nga vendësit por është fjala për Vreshti i Madh), përmes Lagjes Mersinasi, në Dolje dhe vazhdon për në fshatin Çorrotat (ose në Qafën e Polës vazhdon rruga në drejtim të Mulliri i Dobrenjit, Kërpicë, Grëmsh).

Rruga e Poshtme kalon nëpër këto pika të dallueshme: Dërgurës, Veshtsalo, mbi Shtëpinë e Kamberit, mbi Shtëpinë e Bedriut, tek Bollobanët, Përroi i Pades, Luadhe, tek Çesma e Axhemit (në hyrje të lagjes Breshanë), në Qafën e Polës (vazhdon rruga në drejtim të Mulliri i Dobrenjit, Kërpicë, Grëmsh).

 

Rruga e Madhe, një rrugë mjaft e rëndësishme këmbësore që lidh Çerricën me pjesë të tjera të krahinës, është ajo që nis nga lumi i Tomorricës në dy Pika Hyrëse të rëndësishme, Thanzë në Jug – Perëndim dhe Konak në Perëndim, të cilat bashkohen në  Qafa e Bërdos, në Dërgurës, tek Teqeja, në Kolekë (varrezat e vjetra të fshatit), në Kreshje, Qafa e Vidhit, Zhepë , Gurrazes, Guri i Prerë dhe më tej vijon për në zonën e Moglicës.

 

 

Axhem Breshani, njënga burrat e njohur të fshatit

 

Kjo rrugë shërben edhe për pelegrinët, që vinë nga fshatrat e Oparit të Korçës, për në Teqenë e Kulmakut në Malin e Tomorrit apo edhe në Teqenë e Çerricës, një ndër teqetë e mëdha dhe të dëgjuara të Tomorricës. Teqeja ka shërbyerë për fshatin, sidomos para prishjes së madhe dhe absurde të vitit 1967, si një institucion jo vetëm fetar, por edhe si një ambjent – shtëpi ku banorët gjenin modelin e organizimit të punës dhe jetesës, modelin e rregullit dhe pastërtisë.

Veç Teqesë, e cila ka patur mjaft ndikim (pozitiv do të thosha) në jetën sociale të banorëve të fshatit, një tjetër institucion shoqëror ka qënë dhe është Shkolla Fillore e ndërtuarë në vendin e quajtur Xhamia (askush nuk di të thotë se kur është ndërtuar në atë vend ndonjë xhami).

Karakteristikë e ndërtimit në fshatin Çerricë është se lagjet,  meqënëse ka hapësirë të bollshme,  janë goxha larg njëra tjetrës. Po kështu, shtëpitë brenda një lagje nuk janë ngjitur apo nën të njëjtën çati. Shtëpitë, kryesisht, janë njëkatëshe me Binxë (një hapësirë posht dyshemesë që përdoret për të mbajtur zahiretë e sende të tjera) ose edhe dykatëshe, të ndërtuara të gjitha me mur guri (për hir të së vërtetës, duhet thënë që në Çerricë guri është i pakët, për mos thënë që mungon) prandaj shpesh siguruhet nga Lumi i Tomorricës.

 

Kudret Binjaku (Babai)

 

Shtëpitë janë të mbuluara me Rrasa Guri, të cilat gjithashtu nuk gjenden në fshat, ato i kanë sjellë nga fshatrat e tjera rreth e rrotull si Kovaçanj, Trebël, Shpatanj etj. Mungesën e gurit e ka kompesuarë mjaft mirë lënda drusore, sidomos dërrasat e drurit që ne i quajmë Dhoga. Dhogat përftohen nga druri i Pishës, në fshatin tonë ka pyje të tëra me pishë, dhe përdoren për dyer, dritare, shtrim dyshemeje, por edhe tavane shtëpish.

 

Dituria (Nëna)

 

Çerrica dallohet për bimësi të shumtë dhe të shumëllojshme. Bimësia, për shkak të  pozicionit gjeografik (buzë lumit, kodrinor, pa mal) është mjaft e ndryshme nga ajo e mjaft fshatrave të tjerë të Tomorricës. Ka hapsira të tëra të mbuluara me Pishë, Mare, Dëllinj, Cermëndel, Lejthatë (gjendet rrallë ose hiç në fshatrat e tjera) ndërsa është e paktë Shkoza, Mëlleza, Dushku, Frashëri (që gjenden me shumicë në disa fshatra të tjera).

 

Në Çerricë rriten në mënyrë natyrore ose kultivohen mjaft drurë frutorë. Dallohet, mbi të gjitha, për: Fiq, Dardhë, Kumblla, Thanë, Bajame, Mëna, Qershi, Pjeshkë, Zerdeli, Shegë, Gorrica,  Rrush etj. Janë të pakta, në rritje natyrore,  dru frutorë si Molla dhe Arra, por ka, të kultivuara, edhe Ullinj, Portokalle etj.

 

Te shtëpitë e vjetra

 

Kultivohen (me rendimente të kënaqëshme) të gjitha llojet  e drithërave: Grurë, Misër, Thekër, Elb, Okërr, Tërshërë, Urof etj. Rriten (dhe bëhen shumë të mira) të gjitha llojet e e perimeve dhe zarzavateve, por Çerrica dallohet sidomos për Fasule, Qiqër, Koçkull.

 

Me bashkëshorte, Hajrijen, te shtëpitë e vjetra

 

Blegtoria dhe kafshët e punës janë po ato që kanë edhe fshatrat e tjera të krahinës, por më i përshtatshëm dhe më i lehtë  është mbarështrimi i Dhisë dhe Lopës.

 

Në fund fare, nëse do të ketë rrugë të mirëmbajtura, jo si rrugët e dikurshme të traktorëve, lidhje me rrugët nacionale, nëse bëhen investime për ujitjen dhe në mekanikë bujqësore, Çerrica është “Myzeqe e Tomorricës”, është një vend ku, me punë, mund të jetohet mirë.