“Udhëtimet e mia nëpër Shqipëri”, shënime të një gazetari

“Udhëtimet e mia nëpër Shqipëri”, shënime të një gazetari

 

 

 Libri “Udhëtime nëpër Shqipëri, guidë kulturore dhe historike”, i autorit Zylyftr Hoxha është një libër që i përket gjinisë së publicistikës letrare, shkruar në formën e reportazheve, udhëpërshkrimeve dhe guidave turistike gjatë një harku kohor prej 15 vjetësh (2005-2020).

 

 

Libri përshkruan 84 krahina, zona dhe fshatra në qarqe të ndryshme të Shqipërisë.

Ka 622 faqe, për çdo shkrim ka edhe një përmbledhje prezantuese (somario) në anglisht dhe një foto ilustruese.

 

 

Të gjitha vendet që përshkruhen në libër janë vende të shkelura nga autori gjatë shërbimeve në terren për disa gazeta të kohës, ku ai ka punuar në ato vite, si” “Express”, “ABC, “Tirana Observer”, “Telegraf”, “DITA” etj.

 

 

Libri është botuar për herë të parë në vitin 2020 me sponsorizim të Fondacionit “Fan Noli”.

Për shkak të tirazhit të vogël, u mbarua shpejt dhe nuk ka më në treg.  Autori është në pritje të një projekti për një botim të dytë, por, sa të arrihet kjo, ai ka menduar që, për ndjekësit dhe lexuesit e “Orakujve të Tomorrit” ta publikojë librin pjesë – pjesë në versionin elektronik.

 

 

Këtë radhë do të paraqesim parathënien e librit, shkruar nga poeti Mihal Gjergji.

 

Lexim të këndshëm!

 

 

Redaksia “Orakujt e Tomorrit”

 

 

 

P a r a t h ë n i a

 

 

Ky libër është si një dorë e kujdesshme që të shtrihet për ta ndjekur pas dhe për të shpënë atje ku mbërrin vetëm imagjinata

 

 

Mihal Gjergji

 

 

Jemi në trojet e Ilirisë, në atë pjesë të mbetur, që tashmë quhet Shqipëri. Ëndrra, zhgënjimi dhe realiteti i lënë vendin njeri-tjetrit, kohë pas kohe. Urrejtja, kjo epidemi vrastare, gjithmonë ka ardhur nga larg, përtej sinoreve tona. Dhe ka lënë gjurmë. Kujtesën e të vdekurve e trashëgojnë të gjallët, bashkëbiseduesit e autorit. Dijen dhe urtësinë e tyre e ka qëmtuar me kujdes, për ta sjellë tek ne, lexuesit kureshtarë. Ka trokitur në thellësi të shekujve, për të zgjuar zërat e baladave, atje ku flenë të vdekurit e gjallë. Dhe këto i përcjell me fjalët e kadifenjta, si qëndisma me fije të ndritshme ibërshimi, me shumë dashuri.

 

 

“Dashuria shpalos dhe zbulon. Për dashuri ne jetojmë dhe vdesim. Dashuria është Zoti dhe Zoti është dashuria”. Janë fjalët e Ajnshtajnit të madh, të cilat, autori i këtij libri i ka mishëruar brenda qenies së tij, si parime të larta morale.

 

 

Shqipëria, mrekullia ballkanike e lënë në harresë, gdhendur e vendosur nga dora e natyrës buzë deteve ngarkuar shtrëngata, me male që puthin kaltërsinë e qiellit, me fusha të begata, lugina përrallore, pyje të pafundme, një nëntokë të florinjtë dhe njerëz krenarë, që e ndajnë shtëpinë me mikun.

 

 

Edhe bukën e kursyer. Provojeni bujarinë shqiptare! Vizitojeni Sazanin, ishullin e thesareve, Llogaranë dhe bregdetin jonian, çlodhni gjymtyrët dhe mbushni shpirtin me aromën e kësaj parajse tokësore, prekeni Semanin dhe Darëzezën, Shirokën, bukurinë e çdo stine, Dardhën e Korçës, Poliçanin e Skraparit, tashmë nën ndryshk, Mirditënvirgjëreshën malore, Kelmendin, Thethin dhe Valbonën, Sarandën, Ksamilin dhe Syrin e Kaltër-“bukuria nën qerpikët e pyllit”, Linin buzë liqenit të Pogradecit, ndaloni në Frashër të Përmetit, në “Mekën e kulturës shqiptare”, ngjituni në lartësitë e Kurveleshit kryengritës, në vendin e jataganëve dhe besëlidhjeve të mëdha, zbrisni pastaj në luginën e Lumit të Vlorës, rrëmoni në kujtesën e qytetit hijerëndë të Durrësit dhe shijoni bukurinë e këtyre brigjeve, aq shumë të lakmuara historikisht…

 

 

Shqipërinë e kanë kafshuar pa mëshirë, e kanë veshur me rroba të zeza, të arnuara, e kanë përgjakur e gjymtuar, e kanë plakur, por s’është e tillë. Këtë dëshmon edhe autori i këtij libri. Shqipëria është nuse e re. Dhe shumë e bukur. Me gjak vital që ka ushqyer mbretëri të tëra, princër dhe perandorë. Andaj s’mund të zhbëhet, të tretet e të humbas.

 

 

Universin e ka krijuar një dorë e vetme arkitekti. E që të bindeni për këtë, vizitojeni, qoftë edhe një herë të vetme në jetën tuaj, Tomorrin hyjnor, djepin e perëndive!…

 

 

I shkruar në një kohë kur Shqipëria, ndryshe nga e kaluara e saj e hidhur, është hapur për turistët vendas dhe të huaj, kur vendi ynë po punon për të arritur në një stad me vendet e tjera të zhvilluara të Evropës, libri i shërben këtij qëllimi: si mësim, si informacion, si udhërrëfyes i një harte më të gjerë turistike se sa ajo që është reklamuar deri më sot.

 

 

Guidë turistike, histori dhe kulturë. Njihni pra, ato që s’i keni prekur kurrë, s’keni mundur t’i shikoni dhe shijoni kurrë, mrekulli të natyrës dhe histori jetësh njerëzore që nuk i keni ndeshur në asnjë vend tjetër të globit, si në trojet shqiptare.