
Ujaniku nën Tomorr: bekim Zoti, histori dhe bukuri
Dule Kalemi u lind në Mëlovë të Skraparit në vitin 1929 dhe është ndarë nga jeta më 17 maj 2022. Kishte qenë partizan (për shkak të moshës fare të re, bënte rolin e korrierit). Pas çlirimit, punoi disa vjet me Rininë në rrethin e Skraparit.
Pastaj oficer në Ministrinë Mbrojtjes. Më pas mbaroi studimet e larta për agronom dhe punoni në ndërmarrjen Komunale të Tiranës, në fidanishten e luleve dhe prej andej në ekonomitë ndihmëse të Ministrisë së Brendshme. Pas daljes në pension u mor me krijimtari artistike, me pikturë dhe letërsi.
Ka botuar disa libra me poezi, monografitë “Mëlova, ballkoni i i Tomorricës”, “Mestan Ujaniku, legjenda e maleve të Skraparit” etj.
Shkrimi i mëposhtëm është shkëputur nga libri “Mestan Ujaniku, legjenda e maleve të Skraparit”.
Le të shërbejë ky shkrim si një homazh kujtimi për të…
Ujaniku nën Tomorr, bekim Zoti, histori dhe bukuri
Dule Kalemi
Fshati i Ujanikut mbështet në shpatin lindor të malit të Tomorrit. Ai qëndron më lart se fshatrat e tjerë, gjë që krijon dhe kushte klimaterike më të freskëta dhe më të veçanta, që kushtëzon zhvillimin e disa bimëve alpine. Ky fshat, kufizohet nga Veriu me Treblën dhe Gradecin; në Lindje dhe Jug me Kufizon me Gjerbësin dhe Luginën e Kulmakut në Lindje. Në Lindje kufizon në një pjesë me Gradecin dhe Gjerbësin, në Perëndim ndan me malin e Tomorrit dhe fshatrat mbas tij si Novaj, Bargullasi dhe Kapinova e Beratit.
Në territorin e fshatit alternohen shumëllojshmëri pyjesh. Në shpatin e malit qëndrojnë si roje borigat e vjetra të pishave, ato të tregojnë lashtësinë e këtij vendi. Pyjet me drurë dhe shkurre që e rrethojnë këtë fshat i japin atij një pamje të bukur, ato e kanë futur Ujanikun në një rrethore që ta ka ënda ta shikosh.
Fauna është e larmishme, e shumëllojshme me kafshë të egra si derri i egër, dhelpëra, kunadhja, lepuri, ujku dhe në zonën alpine ariu, kaprolli dhe dhia e egër. Nga shpendët, mbretëresha e tyre, shqiponja, kali i qyqes dhe vetë qyqja. Një shpend tjetër me bukuri të rrallë është edhe thëllëza.
Para dy-tre shekujsh, tokat dhe pyjet ku ndodhet Ujaniku zotëroheshin nga vllehët (çobanët), të cilët më pas u larguan në zonën e ulët, në Myzeqe. Blerësi i këtyre pronave ishte Musabelli nga fshati Grëmsh. Fillimisht, kur ishin gjallë dy vëllezërit, Musai dhe Çarçani, pasardhës të Musabellit, u vendosën në Zaloshnje. Meqënëse këtu ishin ngushtë, ata blenë nga vllehët Ujanikun.
Fshati u nda më dysh, pra, në dy lagje. Në të djathtë të përroit u vendos lagjia A (Salikot) me familjet e Saliut, Veselit, Hysenit, Hasanit dhe Maksutit. Ndërsa lagjja B (Vrenozët), Zyba me Mahmutin, Rakipin, Hatemin, Bektashin, vëllezërit Heke e Ramiz, Hekja i Pashës dhe Laska – Xhaferri. Në lagjen e malit: Kahremani, Idrizi e Ganiu. Më vonë aty erdhën edhe Bektashi e Sabriu i Sherifit me fëmijët, si dhe Hyseni me fëmijët dhe Islami.
Edhe sot banorët e këtij fshati ruajnë lidhjet fisnore dhe nuk bëjnë krushqi me njëri-tjetrin.
Meqë i pari fshatit ishte Musai, vendosën që të mbanin mbiemrin Musabelli, që e gëzojnë të gjithë pasardhësit e kësaj familjeje edhe në ditët tona. Musai titullin Bej e ka pasur që në ushtrinë e kohës osmane.
Për Musa Beun janë ngritur shumë këngë, që këndohen jo vetëm në Ujanik e gjithë Tomoricën, po edhe në Sulovë. Ja një ndër to:
Vate Musa Be vate
Në Mësllovë të shkretë
Në Mësllovë të shkretë
Me treqind e ca vetë
Bir o bir, o Musa Be
Shtatë muaj muhasere (rrethim)
N’ata male Grebene
Pa tain, pa xhepane
Po kjo dasmë shumë e madhe
Tunden fusha, tunden male
Musa Be, mor me ngadale…
Siç thamë më lartë, klima këtu eshtë e shëndetshme, me dimër të ashpër dhe verë të freskët. Bora është e pranishme që nga fillimi i nëntorit deri në prill e më vonë. Këtu ajri, natyra, çdo fije bari e gjethi, çdo gllënjkë uji burimi të zgjasin jetën.
Ujaniku dallohet për prodhime blegtorale të njohura si djathi i bardhë i deles, kaçkavalli dhe salca. Ujërat e ftohta e të kristalta të Ujanikut kanë veçori të mëdha kurative. Kohët e fundit është ngritur fabrika e ujit të pijshëm “Bora”.
Rruga automobilistike Poliçan – Novaj, Kulmaku që për 40 minuta mbërrin në Teqenë e Kulmakut e cila është afër Çukës së Tomorit ku ndodhet Tyrbja e Abaz Aliut në një lartësi 2417 metra mbi nivelin e detit.
Dervish Iliazi, i cili ngriti Teqenë në Kulmak më 1916, shkruan për mrekullitë klimaterike të Ujanikut. Ai mendonte që në Qafën e Qershisë të ngrihej një spital të mushkërive, tip sanatoriumi.
Ujanikasit në përgjithësi shtëpitë i ndërtonin dykatëshe, ku kati i parë quhej katua dhe aty strehoheshin kafshët e punës si: lopë, qe, kuaj, kafshë të tjeta ngarkese, por nuk përjashtohej që të futnin edhe bagëtitë e imta. Në katin e dytë ndërtoheshin dhoma banimi, si dhoma e ndënjes, dhoma e gjumit, kuzhina si dhe një dhomë që quhej oda e miqve dhe përpara godinës krijohej një hapësirë e rrethuar me gardh apo me mur guri. Kjo hapësirë quhej avlli (oborr). Këtu grumbulloheshin bagëtitë e sidomos dhentë e dhitë.
Jo larg godinës në një vend të ngritur ndërtohej lëmi për shirjen e të lashtave, por dhe kasollet për të mbrojtur zahirenë për kafshën për periudhën e dimrit.
Një godinë e përkryer dhe madhështore ishte ajo e Zybës, shtëpi kjo dhe më e pasura në Ujanik, pse jo edhe në tërë kazanë e Tomoricës, përjashto këtu disa shtëpi si të Mahmut Zaloshnjes, Hasan Zhitit në Mëlovë, mundet edhe ndonjë tjetër.
Jeta ekonomike në tërë zonën e Tomoricës është e përafërt midis fshatrave, por Ujaniku ka një specifikë të veçantë nga të tjerët, pasi këtu klima është më e ashpër dhe e ftohtë. Në lartësinë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit jo të gjitha kulturat bujqësore gjejnë kushte të përshtatshme për kultivim.
Megjithatë dy janë degët kryesore në ekonominë e tyre: Bujqësia, por sidomos blegtoria. Kullotat verore në këtë fshat janë të bollshme dhe të ëmbla. Si rezultat këtu fshatarët mbajnë të gjithë dhen dhe pak familje mbajnë nga pak dhi. Në vjeshtë kur bora zbardh kreshtat e maleve që i ngjajnë tërë zonës së Tomoricës si një vello e bardhë, fillojnë dhe shtegtojnë kopetë për Myzeqe. Më përpara largohen kopetë e Ujanikut, pasi këtu vjen dimri më shpejt.
Kushtet klimaterike me dimër të ftohtë dhe verë të freskët bëjnë të domosdoshëm përdorimin e leshit. Si burrat edhe gratë në pjesën më të madhe, veshjet i bëjnë nga leshi i bagëtive të tyre. Barinjtë qoftë dimër, qoftë verë gunën apo larën e kanë të leshtë dhe të pandashme.
Ujanikasit e bëjnë disa herë në vit pazarin, si, në Korçë e Berat, ku shesin në fillim të verës qengja e keca. Nga mezi i verës shesin: djathë, gjalpë, gjizë dhe lesh. Ndërsa në vjeshtë shesin bagëti që mendojnë që s’janë produktive ose dhe që janë plakur.
Gratë e Ujanikut janë të afta si askush tjetër në Shqipëri për punimin e bulmetit dhe të leshit. Në këtë fshat deri në vitet 1950, as që njihej vaji, ato vazhdimisht përdornin gjalpin për gatim. Por edhe pastërmaja në vjeshtë dhe dimër ishte e pranishme në sofrën e familjes. Të imponuar nga klima malore dhe që në dimër rrugët janë të zëna, ujanikasit rumbullojnë ushqime të thata që gjatë verës si: djathë, gjizë, gjalpë, fasule, patate, tërhana, petë, roshnica, etj.
Ujanikasit ndonëse janë shumë lartë në nivelin e detit dhe shumë larg nga fshatra e tjerë, marrëdhëniet miqësore mira i kishin në fshatra dhe zonat më të mira të kahinës.
Marrëdhëniet martesore i kishin afërsisht të orientuara sidomos në fshatrat Trebël, Mëlovë, Përrenjas, Kuç, Vishanj, Grevë, Postenë, Dobrenj, Shëmbërdhenj dhe Ermenj. Ndërsa jashtë Tomoricës jepnin e merrnin me Dobrushën, Vërzhezhën, Mollasin, Radëshin, Koprënckën dhe me të dyja Kapinovat, me Novajin e Nishovën; në zonën Oparit, me Dusharin, Mazërreken, Zerecin etj.
Ky orientim ish si një trashëgimi, sepse në këto fshatra kishte shumë familje me origjinë nga Gremshi, pra, andej nga kishin dhe prejardhjen e tyre. Në ato kohe martesat bëheshin me ndërmjetësi, nëpërmjet njohjeve dhe vlerësimeve që ju bëheshin vajzës apo djalit. Sigurisht dhe sërës që të përputhej ndërmjet miqve.
Si shumë zona të tjera edhe këtu e kaluara e largët flet për kristianizmin. Kjo duket fare qartë në shumë toponime, që njihen edhe sot, si: Kisha, Bregu i Shëndellisë Shkëmbi i Xhufos, Ara e Stimos, Gropa e Dinokut, Uji i Gurijes, Burimi i Çobankave, Gropa e Priftit.
Mbas shekullit të XVI aty vendoset besimin Bektashian. Madje vendi i parë dhe i vetëm ku u vendosën institicionet e para bektashiane ishte Tomorri. Që prej atëhere Tyrbeja e Abaz Aliut lartësohet dhe ndrin në Çukën e Tomorit. Besimin Bektashian e ka ruajtur në shekuj jo vetëm Ujanikasit, por gjithë Tomorica dhe Skrapari.
Tomorricarët dhe ujanikasit kanë qenë të parët që kanë ndihmuar Dervish Iljazin kur ngriti teqenë më vitin 1916 në Kulmakn dhe që u bë e famshme deri më sot. Është kjo arësyea që populli i këndon me zemër Dervish Iljazit:
“E mërkurë mos ardhsh kurrë!
Dervish Iljazi sëmurë
Ditën që hyri Marsi
Gjeshtisi Dervish Iljazi”…
Në malin e Tomorrit, mbi Ujanik, për çdo vit bëhet pelegrinazh më 20 -25 të muajit gusht. Ky rit është shekullor, aty vinë pelegrinë nga mbarë krahinat e Jugut, por edhe nga rrethe të Veriut e sidomos nga Kruja. Nuk mungojnë edhe të huajt. Pelegrinët vijnë me kurban, kryesisht të leshta. Ato theren në Çukën e Tomorit nga dervishët e Teqesë. Mishrat piqen në shpatin e malit dhe konsumohet nga vetë pelegrinët.
Shumë vite më parë nga ky mish nuk duhej të çohej në shtëpi, por duhej shpërndarë rrugës. Këto viteve të fundit kanë ndryshuar, duke çuar dhe pjesëtareve të familjes.
Pelegrinët që guxojn të ngjiten tek Tyrbja e Abas Aliut, kanë fatin të sodisin hapësira të pafundme, në lindje Malin e Thatë të Pogradecit, Lenien, Moravën e Korçës, Ostrovicën; në perëndim gjithë Myzeqenë deri në detin Adriatik, madje deri në brigjet e Italisë Jugore. Nga maja e Tomorit nga veriu duken Alpet, mali i Dajtit si dhe vargmalet Skënderbe mbi Krujë.
Ujanikasit, si malësorë, kanë qenë më të ndjeshëm përsa i përketë atdhedashurisë. Ata ushqenin ndjenjat më të zjarrta të lirisë, të trashëgimisë kulturore dhe asaj kombëtare. Asnjëherë në periudha të ndryshme historike ata nuk e kanë lëshuar pushkën nga dora. Një shembull bindës është pjesëmarrja në çetat patriotike si në atë të Servet Zaloshnjes, Mahmut Zaloshnjes, Sali Butkës etj., por të pa ndarë ata kanë qenë edhe më pas në Luftën e Vlorës më 1920, Lëvizjen Antizogiste të Nolit më 1924, Kryengritjen e Fierit më 1935. Janë dalluar në këto ngjarje Sabri Musabelliu, Kamber Musabelliu etj.
Një nga familjet e lidhura me ngjarjet dhe fatet historike të Shqipërisë në Ujanik, ka qenë edhe ajo e Zybë Ujanikut, prej nga një ditë do te lindte dhe rritej një djalë i ri, i shëndetshëm dhe sy shqiponjë, i cili premtonte se në kohën dhe në moshën e vet të pjekurisë do të ishte një prijës i këtyre anëve. Ky do të ishte nipi i Xha Zybës, Mestan Hetem Musabelliu.