
Amanetet e Duçkë Çepanit!…
Ilmi S.Qazimi
Abdurrahman Ferhat Metaj është i vetmi plak i Çepanit që ka lënë më shkrim dore duke ia diktuar vajzës së tij porosi e amanete për pasardhësit, të cilat i ka pas quajtur “kujtime”.
Ja se çfarë thuhet në këtë dokument:
Nga 1878 deri në vitin 1913 shtëpia jonë ka qenë e mbyllur. Më 1913 jam kthyer nga jashtë dhe u hap prapë shtëpia. Më 1927 ka ardhur Merjema në Çepan, më ka gjetur me gjashtë fëmijë. Ka qenë shumë e zonja, shumë e fortë, ka punuar me mua krah për krah, unë jashtë e ajo brenda.
Më 1935 kemi bërë shtëpitë;duke punuar e luftuar arritëm në Shqipërinë socialiste dhe u bëmë më mirë nga shokët.
Vuajtjet e Merjemës kanë qenë më të mëdha se sa të miat. Nuset kanë ardhur këtu dhe i kanë gjetur hazër. Djem, nuse, nipër, çupa, vuajtjet e Merjemës mos i harroni!
Çupat e mia dhe mbesa ju përshëndes që jetën tuaj ta kaloni mirë, me burra dhe fëmijë ta kaloni me shëndet!
Unë kam më tepër se 15 vjet, më kini shikuar pleqërinë. Sëndyqi im nuk ka ngelur bosh asnjëherë; ka qenë plot me lekë, ushqime, çokollata, llokume, biskota, karamele. Unë nga juve kam ngelur shumë i kënaqur, por mua po më mbarohet afati, unë po shkoj atje, te shokët.
Tek po jua them çupa, mbesa, shami të zeza të mos ketë. Unë rrojta sa më desh qejfi. Unë po shkoj i gëzuar. Shtëpinë dhe njerëzinë po e lë plot. Fatin tim dhe shëndetin tim po jua lë Gramozit dhe Ilirit. Jetën e tyre ta kalojnë me shëndet. Gjithë miqësisë po iu lë të fala. Mua kur më vdiq babai më ka lënë pesë dylymë tokë. Unë ia arrita kohës që po u lë me dhjetra dylymë tokë. Dhe Duçkë në Çepan nuk vjen më…”
Kështu mbyllet amaneti i tij që flet më shumë se gjithçka.
Po kush ishte Abdurrahaman Metaj?
Qysh në moshën 13 vjeç, dajua i vet, Isak Jaho Basho e dërgoi emigrant në Stamboll. Ai qëndroi e punoi në Stamboll me ndërprerje, rreth 40 vjet, duke bërë lloj-lloj punësh për të siguruar bukën e gojës dhe të ardhura për familjen.
Herë pas here vinte në Çepan, kur u martua, kur i vdiq gruaja e parë, kur u martua për së dyti dhe kur lindnin fëmijët.
Në Stamboll prej punëve të rënda iu aksidentua njëra këmbë. Edhi në fshat në vitin 1934, e pastaj nuk do të largohej kurrë prej Çepanit, ndërtoi shtëpinë dykatëshe dhe punoi për të krijuar vreshtën komplekse në tokën që quhet Zgrabovë (edhe sot e kësaj dite), të cilën e bleu tek Maliqi i Begove.
Begatinë e jetës e shihte te puna
Me Zgrabovën, Abdurrahmani u bë i njohur në të gjithë nahijen. Veglat e punës dhe farërat i solli nga Turqia. Ujin e mori nga një vijë e gjatë prej përroit të Polenës, hapur përmes shkëmbit dhe pyllit me dinamitin, kapsollat, fitilat dhe qysqitë që kishte sjellë nga kurbeti. Tokën e punoi siç dinte ai derisa ajo bëhej “bukëvale”. Aty mbolli, e ç’nuk mbolli!
Ai jetonte atje në Zgrabovë për gjatë nëntë muajve të vitit. Gdhihej dhe ngrysej në arë. Ndaj merrte gjithnjë me bollëk zarzavate, perime, grurë, misër, rrush dhe fruta shumllojëshe.Ishte ai që solli dhe mbolli për herë të parë në Çepan, bamjen, zerdelinë, erëzat. Tepricat nga konsumi i familjes i tregtonte në Këlcyrë e deri në Tepelenë. Fshati dhe tërë ata që e njihnin, qysh kur erdhi nga kurbeti e thërrisnin “Xha Duçka”.
Martesa e parë e tij me Fatime Qafokun, një nga mbesat e të famshmit në trevën bektashiane shqiptare Dervish Iljazit, ai që vuri themelet e Teqesë së Kulmakut(1916), i dhuroi katër fëmijë, por ajo u shua nga një sëmundje e pashërueshme.
Nga martesa e dytë me Merjemën, lindur në familjen e Nonajve të Muzhënckës, Skrapar, lindën gjashtë fëmijë. Por Merjema burrëreshë e rrallë, rriti dhe u përkujdes njëlloj për dymbëdhjetë fëmijë: gjashtë të saj, katër të gjetur dhe dy të kunatit, vëllait të burrit, Tahirit, të cilin e rrëmbyen ushtritë pushtuese dhe gruaja i vdiq.
Xha Duçka ishte njeri i drejtë. Në vitin 1963, kur pësova një aksident dhe mora raport për rreth një muaj, pata fatin që të bisedoja gjatë me të. Isha i privilegjaur të shikoja e të luaja domino me të tek për tek dhe dyshe. Ai nuk i duronte dot hiletë që mundohej t’i bënte ndonjëri në lojë. Bënte humor të hollë dhe fuste në muhabet herë – herë ndonjë fjalë turçe.
Atdhetar i flaktë
Një episod i fuqishëm ka mbetur në kujtesë të të gjithë çepanllinjve. Në mbarim të Luftës Italo-greke, në dimrin e vitit 1941, në shtëpinë e Duçkës kërkoi të kalonte natën koloneli grek, që, me sa mbahet mend, quhej Athanasios, me shoqëruesit e vet.
Plaku i shtëpisë, atë kohë tek të gjashtëdhjetat, e priti sipas traditës shqiptare të mikpritjes. Biseduan greqisht. Xha Duçka e kishte mësuar gjuhën greke në Stamboll kur punonte bashkë me refugjatët grekë, krahas turqishtes që e zotëronte në të folur.
Koloneli i habitur e me ton qortues e pyeti: “Puu, puu, ç’paske bërë!? Paske qënë në Stamboll, në perlën e Azisë, dhe ike? E ke lënë atë jetë qyteti, e paske ardhur këtu në këto gërxhe e gurë?”
Plaku çepanlli me nënqeshje përbuzëse iu përgjegj: “Guri peshon rëndë vetëm në vendin e tij, “qirjes Athanasios”! Nuk ka si vendi ku ke lindur dhe ku ke varret e atyre që të kanë bërë kokën!”
Koloneli i penduar tha: “Edhe unë mezi po pres të shkoj në Greqi, më lodhi kjo luftë e kotë…”
Xha Duçka në vitin 1943, për pak kohë, ka qënë i zgjedhur kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të fshatit dhe një vit më pas në shtëpinë e tij ka qënë i vendosur një pjesë e spitalit partizan për disa muaj.
Ai ishte i gjezdisur, dinte shumë por fliste pak.Të gjithë djemtë e vajzat dhe shumica dërmuese e nipërve dhe mbesave kanë ecur në gjurmët e tij të punës dhe atdhetarisë.
Kishte lindur, siç thuhej, në vitin 1881 dhe u shua duke punuar pranë një hereke me rrush, në 19 korrik 1981, në fshatin ku kishte parë diellin para një shekulli.
Le të shërbejë ky shkrim si respekt dhe mirënjohje për Abdurrahman Ferat Metaj, plakun e paharruar atdhetar e punëtor si rrallëkush në krahinën e Çepanit, fëmijët, nipërit dhe mbesat e tij.