
Ura e Blezënckës, një tjetër befasi e Kanioneve të Osumit
Ura panoramike e Blezënckës është në pjesën ku kanionet e Osumit kanë një farë shkëputje të vogël prej mëse 1 km – 1.5 km dhe pastaj bashkohen përsëri me Mullirin e Babait dhe urën tjetër panoramike pasarelë të Zabërzanit.
Është në pikën më të lartë të kanioneve të Osumit, të paktën 100 – 120 metra mbi lumë.
Pozicioni i saj është në një vend panoramik dhe spektakular natyror, që në 360 gradë, ngado që të kthehesh, sheh pamje mahnitëse:
Nga jugu:
Vazhdimin e Osumit përmes një harlisje bimësie makjesh mesdhetare në të dy anët, ndërsa në mes të lumit, shkëmbinj shekullorë, që lumi nuk i ka bërë zap asnjëherë dhe qëndrojnë aty prej shekujsh.
Nga lindja:
Masivet pyjore të Koprënckës dhe Dhoresit me Pigazin “historik” në mes, ku kanë qenë depot me kapacitetet më të mëdha të armatimeve dhe municioneve ushtarake në Shqipëri.
Aty ka qenë edhe një qytezë me dy pallate për familjet e ushtarakëve që shërbenin në atë zonë të ndaluar.
Nga jugu:
Shfaqet panorama më tërheqës e Kanioneve të Osumit, që nga e famshmja , Vrima e Nuses dhe Ujvara me e bukur dhe më spektakulare e Kanioneve të Osumit, ku xhirohen dokumentarë dhe filma, e Pigazit.
Nga perëndimi:
Shfaqet Blezënca, një nga fshatrat më të bukur dhe më panoramikë të luginës së Osumit, i zgjedhur në “100 fshatrat turistikë”, por që nuk është i tillë, se nuk është bërë asgjë.
Më tej shfaqet pak e gryka dhe përroi i Prishtës, që në pamje të parë nuk të japin ndonjë ndijesi kushedi, por, po hyre brenda, mendohu mirë dhe shiko mire, pasi është zona më karakteristike dhe më tipike e Skraparit në të gjitha aspektet.