Vëllezërit Abdulla dhe Dalip Koprëncka, rilindësit më në zë të Skraparit, lënë në harresë

Vëllezërit Abdulla dhe Dalip Koprëncka, rilindësit më në zë të Skraparit, lënë në harresë

Dera e madhe e Mançellarëve të Koprënckës ka qenë një nga më të shquarat dhe më aktivet në Skrapar në periudhën e Rilindjes Kombëtare, të kryengritjeve të viteve 1905 – 1908.

 

 

Janë përmendur nga kjo derë, firmëtari i dokumentit të Shapallje së Pavarsisë, Xhelal Koprëncka, kushëriri i tij, Ali Koprëncka, si një nga deputetët e parë të parlamentit të parë shqiptar, por, fatkeqësisht, janë lënë disi në hije dy figura të tjera të kësaj familjeje, me një kontribut të jashtëzakonshëm në atë kohë në Revolucionin Xhonturk, krijimin e çetave kryengritëse të viteve 1905 -1912 dhe përhapjen e gjuhës dhe të shkollave shqipe në Skrapar, që janë vëllezërit e Xhelalit (ose Xhelali është vëllai i tyre), Abdulla dhe Hasan Koprëncka.

 

 

Si më parë, aq më keq tani, për ta është gërmuar fare pak nëpër arkiva dhe si rrjedhojë edhe është shkruajtur pak dhe përciptas, duke u përmendur shkaras emrin si patriotë të një rangu të thjeshtë.

 

 

E vërteta është se ata kanë hisenë (pjesën) e tyre jo të vogël si patriotë dhe figura rilindase, por është për të ardhur keq që, edhe pse dihet e njihet veprimtaria e tyre patriotike, nuk ka një emër rruge, institucioni kulturor apo shkollor të mbajë emrin e tyre, ose, në mos këto, të jetë organizuar ndonjë veprimtari jubilare a përkujtimore për jetën dhe veprën e tyre.

 

 

Le të jenë këta rreshta jetëshkrimi si një homazh nderimi për ta.

 

 

 

 

Abdulla Dalip

 

Lindur në Koprënckë të Skraparit. Arsimin e lartë e ka mbaruar në Stamboll.

 

Bashkë me vëllezërit Hasan e Xhelal Koprënckën është përfshirë në Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare dhe shpalljen e Pavarësisë.

 

Është autori kryesor i hapjes, financimit dhe drejtimit të shkollave shqipe më 1908 në Çorovodë, Koprënckë dhe Gostënckë. Është marrë drejt për drejt me ngritjen dhe funksionimin e klubit patriotik “Pellazg”.

 

Më 1909 ka qenë delegat i Sanxhakut të Beratit në Kongresin e Arsimit në Elbasan. Ka kontribuar financiarisht për ngritjen e Normales së Elbasanit.

 

Ka organizuar në Koprënckë më 1909 një miting për gjuhën dhe arsimin shqip, ku merrnin pjesë mbi 1000 vetë nga të gjitha trevat e Jugut.

 

U angazhua në mbarëvajtjen e punëve të Qeverisë së Vlorës dhe kreu detyra të ndryshme.

 

Më 1918-1919 ka qenë nënprefekt i Skraparit.

 

Vdiq në Zvicër, ku kish shkuar për t’u kuruar më 1920.

 

 

 

 

Hasan Dalip

 

 

Lindur në Koprënckë. Arsimin e lartë e ka mbaruar në Stamboll.

 

Bashkë me vëllezërit ka kontribuar në Lëvizjen Kombëtare, në ngritjen e shkollave në Çorovodë, Koprënckë dhe Gostënckë dhe klubit patriotik “Pellazg”.

 

Në vitin 1911 vendoset në krye të kryengritjes anti-osmane në Skrapar.

 

Ka qenë kryetar i Komitetit për Shpalljen e Pavarësisë në Skrapar.

 

Duke udhëtuar me forcat kryengritëse në Dërrasën e Kajcës, më 1911, vritet nga një shkarkim

atmosferik.

 

Është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljen Për Veprimtari Patriotike.