Velo Metani: Nuk do ta lë vetëm në errësirë nënën

Velo Metani: Nuk do ta lë vetëm në errësirë nënën

 

Kemi shkruar edhe më parë për Velo Metanin nga Barçi i Skraparit, me punë dhe banim në një nga qyetet më të bukur dhe më të veçantë të Italisë dhe të botës, në Venecia.

 

Kemi shkruar se Veloja është një njeri me vlera dhe interesant në shumë pikpamje:

 

punëtor i madh; njeri me botë dhe me interesa të gjera; “aventurier” udhëtimesh që nuk kishte lënë vend të botës pa shkuar;

 

artist – poet fin, patriot i flaktë, që nuk lë vit pa vajtur në fshatin e tij, në Barçin e Sipërm edhe pse atje nuk e pret njeri, se fshati është braktisur i gjithi;

 

familjar që, edhe pse e ka një çap larg vajzën, studente në Universitetin e Padovës, i mbushen sytë me lot kur e zë në gojë; besimtar i thekur, që, sa po të sheh ëndërr në darkë, në mengjes e ke te Abas Aliu në majë të Tomorrit;

 

i këndshëm, i qeshur dhe gjestikulativ në bisedë, me një humor të hollë që ia zbukuron edhe më tej akcenti tomorricar i të folurit si i 30 e ca viteve më parë, akcent që sot e kanë harruar edhe vetë tomorricarët që banojnë atje.

 

 

Siç thamë më sipër, Veloja është edhe poet dhe një poet i mirë, i ndjeshëm. Poezinë e mëposhtme ai e ka krijuar këto ditë që ishte në fshatin e tij të lindjes për të bërë homazhe në varret e prindërve të tij.

 

 

 

Nuk do ta lë vetëm në errësirë nënën

 

 

 

 

E gjeta duke dremitur nënën,

 

Ajo vetëm po dremiste; jo, nëna nuk po flinte,

 

Dorën e brishtë e paska akoma tek çelsat,

 

e paska lodhur e shkreta pritje.

 

 

Nuk dua ta zgjoj nënën këtë herë,

 

vetëm do t’i thosha se drurët e çatisë kanë rënë,

 

vetëm themelet mbahen akoma, o nënë.

 

Doja t’i thosha se ferrat që ti pastroje,

 

rrugët m’i kane zënë.

 

 Doja të thosha se nuk ka më gërrindje pleqsh,

 

qarje fëmije, lehje qensh.

 

 

Burrat ua kanë lënë vendin lisave,

 

roje nuk ka,

 

Kryeplak ësht një pish e tharë.

 

 

Nuk do ta zgjoj nënën këtë herë,

 

vetëm do ta çoj në dhomën tjetër,

 

derën nuk do t’ia mbyll që të ndjej erën e saj.

 

 

Nuk do ta lë vetëm në errësirë nënën,

 

do pres yllin e mengjesit të dalë,

 

Do t’i marr vetëm çelsat nga dora,

 

Që rrahjet e zemrës t’a ndiej më pranë…