Vërzhezha, jo vetëm e simbolikave të vazhdimësisë, por edhe e një realiteti optimist se aty jetohet mrekullisht
Para disa ditësh “Orakujt e Tomorrit” botuan lajmin e bukur të një iniciative të një grupi të rinjsh nga fshati i Vërzhezhës për zëvendësimin e një rrapi shumëshekullor në qendër të fshatit, i cili ishte tharë.
Nga rrjetet sociale mësojmë se kjo iniciativë, për zbukurimin e fshatit dhe kthimin e tij në identitet, vazhdon.
Vërzhezha ka qenë, është dhe do të jetë Vërzhezhë, thonë banorët e saj.
Kot nuk u propozua para mëse 100 vjetës që ajo të ishte kryeqendër e Skraparit, por që e la jashtë një kapriçio e rëndomtë historike e dy-tre vetave me influencë.
Vërzhezha ka qenë gjithmonë dhe është e historisë, është e shkollës dhe e kulturës, është e punës dhe zhvillimit.
Ajo, veç këtyre, është vendlindja e më të madhit, e më të mirit të bektashinjve të rreth e qark Tomorrit, Dervish Iljazit, dhe ka bekimin e tij.
Në kohën e socializmit ajo ka qenë gjithmonë “Oda e miqve” të Skraparit. Kush rrinte më shumë se një ditë në Çorovodë, të nesërmen do të bujtte patjetër në Vërzhezhë.
Ndaj dhe tani bëhen përpjekje të ruhet ky status.
Nga rrjetet sociale mësojmë se këto ditë vazhdon puna në bujqësi, veçanërisht në mbjelljet pranverore.
Natyrisht që ndjehesh mirë dhe të bëhet qejfi kur merr vesh këto lajme optimiste.