Vetëtim Bejko / “Dua të bëhesh poet! Po jo poet dosido, dua të bëhesh poet i vërtetë! Dhe ai u bë!…  

Vetëtim Bejko / “Dua të bëhesh poet! Po jo poet dosido, dua të bëhesh poet i vërtetë! Dhe ai u bë!…  

 

Iliaz Bobaj

 

 

 

 

 

Kur Vetëtim Bejko kishte marrë udhën e dijes dhe talenti i tij kishte filluar të buiste sythet e parë poetikë, i ati i tij, një njeri dijedashës, që bëri gjithçka për ta arsimuar, kulturuar dhe për ta bërë të ditur të birin e vet, e thirri dhe i tha:
-Dua të bëhesh poet! Poetët janë njerëz të ndritur, që i japin njerëzimit të gjithë bukurinë e shpirtit të tyre dhe mbeten të përjetshëm. Ja, shih Naim Frashërin tonë, majën e poezisë shqipe…

 

Shkurt, dua të bëhesh poet…!
Po jo poet dosido. Dua të bëhesh poet i vërtetë!

 

 

* * *

 

Ishte një dëshirë e madhe, nga ato dëshirat e fuqishme, forca e të cilave arrin në kufijtë e një urdhëri atëror…
Kësisoj poeti i ardhshëm kishte marrë kumtin atëror.
Të tjerat i takonin atij.
Dhe ai filloi të shkruajë:

 

‘’Pas natës vjen agimi i brishtë,
Nguroni për në tempull?
Po ndoshta rruga ka pak baltë
Dhe hëna është një vetull…’’.

 


Ishte hedhur hapi i parë poetik. I brishtë, i ndrojtur, i freskët, i ndjeshëm. Si hapat e parë në mëngjes herët, mbi dëborën e saporënë. Për të përvijuar rrugëtimin e tij të ardhshëm poetik.
…Po ndoshta rruga ka pak baltë…

 

Për poetët e vërtetë, rrugëtimi i tyre poetik është përherë i vështirë, plot pengesa. Nuk ka rrugëtim të lehtë për ta. Dhe kjo për arsyen se ata janë të vërtetë dhe dinë ta thonë të vërtetën në sy, drejt, saktë, me art, duke e kthyer zërin e tyre në një dritë, për ndriçimin e mendjes së popullit të vet.

 

Por edhe më tej. Poetët janë misionarë të popujve, janë misionarë të dritës. Ata mbijnë në fidanishten e njerëzve të ditur, për të kumtuar mesazhet e ardhmërisë.
Por jo vetëm kaq.

 

Nëse në jetë poetët janë të zakonshëm, në libra ata duhet të jenë perandorë.
Poetët kanë në dorë çelësin e Planetit të Fjalës.

 

Në kohën që jetoi dhe jeton, që krijoi dhe vazhdon të krijojë, pa e lëshuar penën nga dora, poeti Vetëtim Bejko, ishte i detyruar të përballej seriozisht me këto pengesa dhe vështirësi, të cilat shumë poetë nuk i kapërcyen dot. Për shumë arsye. Disa u kthyen në shërbëtorë të pushteteve. Sepse nuk e kishin as talentin, as karakterin dhe personalitetin e tyre njerëzor dhe krijues, në atë masë, sa të përballonin trysninë e fuqishme deri në mbytje dhe mënjanimin deri në harrim, që ushtrohej dhe ushtrohet nga ana e pushteteve, me çfarëdo emër fasade qofshin ata, ndaj poetëve dhe artistëve, që nuk kthehen në puthadorë të tyre.

 

Dhe për këtë nuk të bindin fjalët dhe justifikimet. Të bind vetëm vepra e poetit. Hapësira e saj, pesha e saj krijuese. Bërthama e lëndës krijuese të poetit, nuk duhet ta humbasë asnjëherë peshën e saj të rëndë.

 

Si një poet me një personalitet të formuar në një hapësirë të gjerë poetike, përherë në kërkim të lirisë krijuese, poezia e Vetëtim Bejkos ka një rrezatim poetik dritor tek lexuesi, ka një komunikim të çiltër, të drejtpërdrejtë me të dhe përcjell mesazhe të fuqishme, pa ekuivok.

 

Sa i brishtë është ky poet, kur përvijon peizazhe poetikë, ku vargu i tij duket sikur rrëshqet lehtë mbi telat e një violine:

 

‘’Blunë qiellit kush ia dha,
Detit, valës kaltëroshe?
Sytë e tu mëngjes i qeshur,
Si kristal, moj vogëloshe…’’

 


Sa i prerë është ky poet, kur u britmon deri në shkundje poetëve mjeranë dhe jo vetëm atyre, kur ai krijon trandjen e fuqishme, me fjalën e tij si kumbimi i kambanës:

‘’Ju mbetët pas një çetë e verbër,
Unë çaja nëpër terr,
Ju ngrohnit vezë në kolltuqe,
Unë prapsja retë me tmerr…’’.

 

Në hapësirën e tij krijuese, poeti Vetëtim Bejko, ka një vepër ku poezia jo vetëm rri në vendin e saj dinjitoz, por ndjehet edhe tepër komode, pasi ka një nivel poetik që sjell vlera të vërteta, të cilat nuk janë gjë tjetër, veçse vlerat më të spikatura të vetë poetit. Ajo ka një tematikë të gjerë, të larmishme dhe një trajtesë prej një poeti të formuar mirë, me një përvojë të gjatë poetike, ku rebelimi ndaj padrejtësive shoqërore, është një gjë krejt e zakonshme për të.

 

 

Madje, shpesh të krijon përshtypjen, se poezia e tij nuk rron dot pa këtë rebelim. Por gjithsesi, lirikat e tij për vendlindjen, kujtimet e vegjëlisë, ato për natyrën e bukur përmetare, mjedisin ku u rrit, poezitë erotike dhe kushtimet, mbeten si ato vajzat e brishta dhe plot finesë, që nuk pranojnë asnjë prekje mbi brishtësinë e tyre…

* * *

…Kur Vetëtim Bejko kishte marrë udhën e dijes dhe talenti i tij kishte filluar të buiste sythet e parë poetikë, i ati i tij, një njeri dijedashës, që bëri gjithçka për ta arsimuar, kulturuar dhe për ta bërë të ditur të birin e vet, e thirri dhe i tha:
-Dua të bëhesh poet! Poetët janë njerëz të ditur, që i japin njerëzimit të gjithë bukurinë e shpirtit të tyre dhe mbeten të përjetshëm. Ja, shih Naim Frashërin tonë, majën e poezisë shqipe…

 

Shkurt, dua të bëhesh poet…!
Po jo poet dosido. Dua të bëhesh poet i vërtetë!

 

…Dhe ai u bë. U bë një poet i vërtetë, një poet që sjell vlerat e tij më të mira për lexuesin e tij. Këtë e vërteton vepra e tij e nderuar dhe e respektuar, e shkruar ndër vite.
E vërteton edhe kjo antologji poetike, me rreth 250 poezi, e përzgjedhur me dhembshuri dhe kujdes të veçantë, deri në dhimbje.

 

Lexojeni dhe do të bindeni…

 

Titulli: ANTOLOGJI POETIKE

250 poeztë e mia në vite
(poezi të botuara e të pabotuara)

Autor: VETËTIM BEJKO
Redaktor: ILIAZ BOBAJ

Botimi i parë: 2022
Formati : 14x20cm

Përgatiti për botim: Roland Lushi

Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Rr. Mihal Grameno Pall.32 Ap. 7
www. botimetada.com