Vetëtim Bejko / Skrapari: Pse lihet në harresë ky vend liridashës, punëtor, fisnik dhe arsimdashës?!…
Vetëtim Bejko
Ka vite që përflitet e venitet, shkruhet dhe shuhet, fillohet dhe pushohet, si në legjendën e Rozafës për lidhjen e Skraparit me Përmetin me rrugë automobilistike, si vende fqinje që janë me një perimetër të gjerë.
Kjo është kthyer në një mesele, që e tjerrin pleqtë rreth vatrës. Këto dy rrethe si t’i ketë “futur në hasmëri” idiotësia shqiptare. Këtë moskomunikim si e justifikonte Diktatura? Në rast lufte armiku nuk duhej të penetronte aq kollaj nga Përmeti kufitar në Skrapar, sepse ky rreth do të bëhej kryeqytet i vendit, ku do të vendosej Qeveria, Komiteti Qendror, do botohej “Zëri i Popullit” etj. për tëcilat ish përgatitur infrastruktura, si tunelet etj.
Po këta modernët e sotmë progresistë si e justifikojnë? Fare qartë ! Në vend gjenden dy kampe kundërshtare, ose më shkoqur armike, që mend t’i hanë mish njeri-tjetrit, të majtët dhe të djathtët;
madje dhe brenda kampit, ka luftë brenda llojit…
Kur një skraparas merr funksione të larta në Qeveri, gjer dhe kryeministër, e planifikon këtë rrugë dhe fillohet, por të dy kryeministrat e majtë që pasuan, e hodhën në kosh, sepse hahen si macja me miun.
Kujt i bëjnë dëm? Jo liderit skraparas, po popullit që i ka votuar, ekonomisë së vendit. E vetmja kërthizë që e lidh Skraparin me botën shqiptare, është ajo me Beratin, po dhe kjo rrugë nuk është me standardet e kërkuara.
Për të shkuar nga Skrapari në Përmet duhet kthyer sëprapthi nga Berati, Fieri, Tepelena, me dhjetra kilometra.
O udhëheqës të praptë, lini grindjet, smirat, kapni arsyen për interesin e vendit!
Skrapari një vend, gati i izoluar, nuk lidhet me rrugë të tilla as me fqinjët e tjerë: Gramshin dhe Korçën, madje dhe mes krahinave të tij malore.
Skrapari një vend me potencial ekonomik; pika turistike Kanionet e famshme të Osumit, Bogova, mali i Tomorit etj. Këtu kultivohen: rrushi, molla, arra, kumbulla, qershia etj. e përshtatshme dhe për gështenja…në luginën e Osumit rritet dhe ulliri.
Është i pasur në bimë medicinale, ka stane për verimin e bagëtive.
Pse lihet në harresë ky vend liridashës, mikpritës që s’i gjendet shoku, punëtor, fisnik dhe arsimdashës?