
Viktor Bakillari: Rakia në Skrapar
Për rakinë, se rakia në Skrapar nuk është thjesht vetëm një pije burrash, por pjesë e qenësishme e një institucioni më vete siç është dollia.
Rakia në Skrapar nuk konsiderohet thjesht pije alkoolike, por ilaç (me masë), nuk është drogë, por eliksir dhe, kur bën zap veten, është katalizator muhabeti.
Skrapari, në dijeninë time, nuk ka piranikë, nuk ka pirashë, pijanecë jo e jo; ai ka pijetarë. Mos ia hiqni këtë epitet dhe punoni fort me veten për të qenë vetëm të tillë!
Mbajeni dhe mbrojeni me dinjitet termin-virtyt “pijetar”, se nuk ka ulje e përçmim më të madhe për një burrë, nëse fyhet e poshtërohet me cilësorin/epitetin pijanec.
Pra: Pijetar, po! Pijanec?, – ia piftë dreqi në bark!
Po ku kanë fund historitë e ndodhitë e Skraparasve me rakinë!?
Mësa ka shtëpi pa çati, aq ka Skraparli pa raki në shtëpi a që s’di të ngrejë dolli me fjalët: Hajde, gëzuar! Ju paça e më paçi! – urojmë kudo.
Rakia e Skraparit, bashkë me konjak “Skënderbeun” kanë pasur pasaportë për jashtë shtetit më herët se pjesa dërrmuese e Shqiptarëve, hiq ndonjë rast të veçantë si puna e ambasador Çlirim Çepanit.
Ambasador Çlirim Çepani, një ndër më seriozët, më të aftët dhe më të devotshmit që ka nxjerrë Shqipëria, i ka çuar kubanit Fidel Kastro, i cili drejtoi për 50 vjet “Shqipërinë e Karaibeve” (pra, Kubën) raki Skrapari, bakllava, gjithashtu.
Edhe bakllavanë e qajnë amvisat duararta e pastërtore skraparase.
Në vitin 2017, një djalë Skrapari, Lukas Shehu quhet, u përzgjodh nga juria djali më simpatik dhe me kostumin popullor më të bukur, në një konkurs ndërkombëtar. Pas shpalljes fitues, Skraparasi i ofron rakinë tonë jurisë, e cila befasohet dhe e vlerëson së tepërmi.
Tani unë do t’ju tregoj për një imtësi, se përse cakëllojmë gotat e rakisë.
Fjala cakëlloj ka kuptimin çokas, trokas gotat e rakisë.
Nuk ka lezet të mos e dijë një Skraparas këtë.
Është shumë domethënëse.
Kur na vjen miku në shtëpi, tek ne i nxirret kafe, llokume, duhan, raki. Dhe normalisht i zoti i shtëpisë cakëllon gotën me mikun. Përse, pra, e bën një veprim të tillë- do të pyesni ju?
Përgjigje: Është thjesht drejtësi për organet e shqisave të njeriut.
Ç’do të thotë kjo?
Njeriu ka 5 shqisa:
– Të parët: Zakonisht miku ose i zoti i shtëpisë mbyll shishen dhe e tund që të duken rruazat, zinxhiri.
– Të nuhaturit: Kur pimë raki, domosdo përhapet amësim, pra aroma e rakisë.
Kemi shqisën e tretë: Të prekurit: Sigurisht, e prekim gotën, e marrim në dorë.
Kemi shqisën e katërt: Të shijuarit. Menjëherë sa e rrëkëllejmë jemi në gjendje të japim mendimin, opinionin për cilësinë e rakisë.
Na mbetet pra vetëm një shqisë jashtë. Kjo është të dëgjuarit.
E pra, për kënaqësinë e veshëve, që kjo shqisë të marrë pjesë si të tjerat, jemi të detyruar, ose e kemi zgjidhur këtë “problem” duke cakëlluar gotat dhe veshët kënaqen nga çokitja e tyre.
________________
Shënim:
Nëse tregoni ndonjë hollësi të këtij shkrimi gjetkë, nëpër muhabete, denjoni të ruani autorësinë.
E them këtë, sepse kam konstatuar që shumë gjëra më vjedhin e i tregojnë, a më keq, i publikojnë pa autorësi a me autorësinë e tyre dhe unë rri i heshtur si buall, dersa të mbushet kupa e të shpërthej ndonjëherë ndaj plagjiatëve (vjedhësve të pronësisë intelektuale) e t’u jap ndonjë shurup të mirë, që t’u dridhen gjishtat që mbajnë penën a që shypin tastat e tastierës…(V. B)