Viktor Bakillari, reportazh: Në Frashër, në vendlindjen e vëllezërve të mëdhenj, Betlehemin e historisë dhe kulturës shqiptare

Viktor Bakillari, reportazh: Në Frashër, në vendlindjen e vëllezërve të mëdhenj, Betlehemin e historisë dhe kulturës shqiptare

 

Viktor Bakillari

 

Këto ditë, bashkë me prof. dr. Zyhdi Dervishin; sociologun e ri, Sherif Dervishi (një nga nipat danoç të tij) dhe me poetin, pedagogun dhe studiuesin e letërsisë, prof. Sadik Bejkon morëm udhën për pelegrinazh në… Frashër të Përmetit.

 

 

Shumë shqiptarë, ditët e fundit të qershorit, shkuan për haxhillëk në Mekë, katërshja jonë, për në Betlehemin shqiptar, Frashër.

 

 

Me një daimler të mirë u nisëm drejt vendlindjes së Trinisë Sami – Abdyl – Naim Frashëri. Nuk kishim shkuar ndonjëherë. Shkojmë e ku nuk shkojmë, por janë disa vende që, cilido që e ndien veten shqiptar, duhet të shkojë.

 

 

Nuk ishte shkaktare vapa verore, as hallet dhe të gjenim prehje te dyvargëshi i Naim Shqipërisë, shkëputur nga “Bagëti e bujqësi”:

 

“Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,

Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.”

 

 

Thjesht mbrujtja me vetëdije të dëlirë kombëtare.

Po të ishte për dyvargëshin, do të kishim shkuar, ndoshta buzë detit a në ndonjë lokal. Po deshëm të mbushnim më mirë mendjen e zemrën.

Ne donim të vizitonim vendlindjen e vëllezërve Frashëri.

 

 

Nisemi në mëngjes rreth orës 6.30. Makina ecën… Makina nxiton… Karrexhata është në gjendje të mirë.

 

Peizazhi shqiptar majtas-djathtas është i bukur, por njerëz fare pak nëpër ara. Do të dëshironim si në kohët që të shikonim njerëz në tokat mban udhës a barinj nëpër kullota e t’i përshëndesnim me dorë e nën zë “Tungjatjeta e puna e mbarë!”, por më kot. Nuk na zuri syri njerëz nëpër ara.

 

 

Në rrugën nacionale në një tabelë që shënonte Levan, rruga merrte në të mëngjër dhe vazhdonte për në Memaliaj, Tepelenë. Fshatrat që lidheshin me rrugë automobilistike kishin tabelë orientuese. Rreth orës 9.30 mbërrijmë tek Uji i Ftohtë – Tepelenë. Ndalojmë për një pushimth; marrim nga një kafe. Ujë i kristaltë përfundonte rreth 20 m poshtë në ujërat e bukura të Drinosit. Përballë nesh, në pjesën perëndimore të Tepelenës ngrihej mali pamjegjelbër i Golikut (1520 m i lartë).

 

 

Pastaj, marrim rrugën për në Përmet. Për të shkuar në Përmet, kalohet nëpër grykën e Këlcyrës, një pamje mbresëlënëse me bukuri biblike. Në të djathtën tonë lëshohej shtatderdhur, shtatdredhur e ojna-ojna Vjosa ujëkaltëroshe e qetë. Kishte një ngjyrë të atillë sa të grishte të krijoje një mbiemër enkas: ngjyrë e vjostë; e kaltër e vjostë. Vjosa, e bukur, e egër lëshohet dimër-verë tatëpjetë si ujkonjë në ndjekje të ndonjë gjahu që mund ta kërcenojë.

 

 

 

Në Këlcyrë, në të majtë, shikojmë rrënojat e bejlerëve të mëdhenj të Këlcyrës, të cilat dukeshin që ishin lënë në mëshirë të erozionit. Këlcyra kishte pamjen e një qyteze të bukur, të pastër, por gjatë kohës që kaluam nëpër të, nuk na zuri syri asnjë banor mbanë rrugës, me përjashtim në dalje, kur na del një gjyshe e moshuar me bastun që kushedi se sa vite e halle mbante mbi shpinën e kërrusur. Vozitësi i daimler benzit, shoferi ynë shumë i shkathët e i kujdesshëm, ngadalëson me vërtik shpejtësinë. Gjyshja kaloi rrugën duke na shpërfillur. As sytë nuk na hodhi. Kushedi, ndoshta ishte kredhur në hallet e veta.

 

 

Vazhdojmë më tej. Tek-tuk, majtas e djathtas udhës, shikonim ndonjë ngastër toke të mbjellë me paulonia (lloj druri) a ndonjë vresht, tek-tuk ara të korrura. Pamje e sheshtë, e bukur, fushë në të dy anët e rrugës. Gjithnjë në të djathtë, një trini malesh deri në Përmet e më tej: Trebeshinë (1922 m) – Dhëmbel (2050 m) – Nemërçkë (2485 m).

 

 

Më në fund mbërrijmë në Përmet, qytet lulesh, qytet i trëndafilave, qytet i Vjosës, qytet i luftës heroike, i kulturës, i punës, i mikpritjes, i këngëve dhe i sazeve, qytet i hapësirave të gjelbra e i maleve. Gjetja e reklamës së madhe në hyrje të qytetit: “Përveç detit, kemi gjithçka tjetër”, është shumë e goditur.

 

 

Na pret krahëhapur një mik, Kastriot Bezati quhet, përmetar i kulluar, babaxhan; një historian mjaft i kualifikuar, një atdhetar i vërtetë (fjala “atdhetar” mund të tingëllojë pak si e fryrë, donkishoteske, a si e kaluar kohe, por, së pari, kush e njeh jetën dhe veprimtarinë e këtij burri, e kupton se po shkruajmë thjesht të vërtetën dhe, së dyti, unë nuk jam nga ata që, kur shkruaj, të hiperbolizoj a të tragjedizoj gjërat a ngjarjet. Gjithnjë kam si parim: Shikoj, vështroj, këqyr, njoh, abstragoj, shkruaj!

 

 

Pasi u çlodhëm duke pirë një kafe siç ishim, lëmë makinën tonë, pasi rruga që na priste për në Frashër kërkon makinë 4×4; rruga për të shkuar në Frashër është e paasfaltuar. Kështu, në pamundësi për të vijuar rrugën me makinën tonë, marrim një shofer vendës me furgonin e vet.

 

 

Furgoni lëshohet si ari së përpjetës për në Frashër. Rruga prej Përmetit në Frashër është rreth 31 km, veç për ta përshkuar duhen rreth një ore e gjysmë. Shpejtësia e automjetit nuk është më e madhe se 15 – 20 km/orë. Furgoni, duke ecur përpjetë si një kalë i ushqyer mirë me tagji, që edhe pse e ngjit të përpjetën dredha-dredha, çan përpara, nuk lodhet, nuk dorëzohet.

 

Duke vazhduar udhëtimin, mbërrijmë në një vend të bukur të quajtur “Kanioni i Kamenckës”. Një pamje mbresëlënëse, një vëlla i vogël i thellinave të Osumit të Skraparit. Më pas lexojmë një tabelë parku kombëtar “Bredhi i Hotovës”. Një park gjigant me bredha, me sipërfaqe prej 1.200 ha, pjesë e qenësishme e mushkërisë së Toskërisë; kështu kam lexuar diku që është metaforizuar. Mbanë udhës, ndalojmë për t’u freskuar në një burim me ujë brisk.

 

 

Rinisemi… Më në fund mbaron e përpjeta dhe turiri i furgonit merr tatëpjetë. Pastaj, nga sipër na shfaqet Frashëri, na shfaqet një shtëpi dominuese, sytërheqëse, dykatëshe.

 

 

Ja edhe shtëpia e Frashërllinjve, – na thotë shoferi…

 

 

Mbërrijmë përballë saj. Zbresim ngadalë, gati të mpirë nga rruga jo në gjendje të mirë. Përpijmë me sy gjithçka, por… pësojmë njëfarë goditjeje, një çomage, një grusht zhgënjyes. Një fshat apatik, pa cicërima zogjsh, pa gumëzhitje fëmijësh, pa jetë, pa gjallëri. Tek-tuk ndonjë çift zhuzhingash mbi shpendrat lulebardha rrinin të heshtur. Tek-tuk lulëkuqe kryeulëta nga vapa. Prisnim befasi pozitive, por jo.

 

 

Mjedisi përreth vërtet ishte i bukur, me gjelbërim, me pemë frutore; një liqen ujëkthjellët i shtonte bukurinë, por një vend gërmadhë, një vend pa njerëz duket gjithnjë i trishtë. Na u desh të prisnim rreth ndonjë orë për ta parë shtëpinë, pasi çelësambajtësi nuk ndodhej aty. Ndërkaq, shkuam te një shtëpi e re – bujtinë rreth nja 300 m nëntë shtëpisë së Frashërllinjve për të pirë ndonjë kafe.

 

 

E zonja e shtëpisë na nxori (sipas dëshirës) kafe, çaj, raki; na nxori nga ana e saj edhe mjaltë të kulluar shumë të shijshëm. Dinë, dinë ta tregojnë mikpritjen përmetarët!

 

 

Na njoftojnë se ishte hapur shtëpia e Frashërllinjëve. Ndahemi duke u ngjatjetuar me zonjën mikpritëse dhe ngjitemi për të vizituar shtëpinë.

 

 

Ishte një shtëpi dykatëshe gjatoshe me dy bredha anash te porta e jashtme, me oborr të bukur para, me bustet e tre vëllezërve në të majtë, me pllakatin “ Shtëpia muze e vëllezërve Frashëri” në të majtë të derës hyrëse dhe, në të djathtë, me një tabelë mermeri, në të cilën ishin gdhendur emrat e 16 dëshmorëve të zonës së Dangëllisë; ishte një shtëpi me disa dhoma (ndonjë e mbyllur), ishte një shtëpi me dysheme druri dhe me tavan po druri.

 

 

Në të vërtet, lidhur me brendinë e shtëpisë, kujtonim se do të shikonim ndonjë muze klasiko-modern, të mirëmbajtur dhe të mbushur me shënime, me fotografi, me relikte, me dokumente të pafundme, me një bibliotekë me të paktën të gjitha dorëshkrimet (e fotokopjuara) e me librat e tre vëllezërve Frashëri në gjuhët që jepnin e merrnin, por vajmedet, jo.

 

 

Ndikimi psikologjik pozitiv i një biblioteke të vëllezërve te vizitorët do të ishte shumë i madh dhe tejet pozitiv, se sot, të paktën brezi i mesëm dhe i ri, nuk dinë gati asgjë për jetën e veprimtarinë e tyre, por jo; në shtëpinë e tyre nuk ka libra.

 

 

Ishin disa fotografi, disa portrete e disa fotokopje dokumentesh ku të përthyera nga drita e diellit, ku të venitura. Në mos gaboj, fikëse zjarri, nuk më zuri syri, as ndriçim (por për këtë, më mirë, se do të shikonim a dëgjonim nesër, larg qoftë, ndonjë ndodhi me shkëndija elektrike).

 

 

Në katin përdhes (katin e parë), djathtas ishin disa enë të vjetra të vendosura në rresht, pa të dhëna. Në një dritare mbrapa derës ishte një koloni e tejmadhe mizash të cilat kishin mbuluar krejt parmakun dhe perdet e dritares. Kishte aq shumë miza sa numrin e tyre do ta kishin zili edhe kolonitë e mizave të lisit.

 

Pasi mbarojmë vizitën brenda, dalim jashtë dhe shikojmë edhe njëherë me vëmendje në oborrin e bukur me bar bustet e korifenjve të Rilindjes sonë Kombëtare, me fytyra nga lindja e diellit, por vërejmë se busteve u mungojnë të dhënat për secilin; mungonte gjithashtu edhe emri i skulptorit që i ka punuar. (Sa për dijeni, këto tri buste janë punuar e derdhur në bronz nga skulptori i madh shqiptar Odise Paskali).

 

 

Gjendja e përgjithshme e shtëpisë nga jashtë dukej e rregullt, brenda ishte e mëshirueshme. Nuk e meritojnë Frashërllinjtë që të lihej në atë gjendje shtëpia e tyre nga pushteti vendor, nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore a nga Ministria e Kulturës.

 

 

Shtrimi i rrugës me asfalt, ringritja e muzeut do të bënte që nesër të mos themi se këtu ka qenë vendi i atyre që “bënë Shqipëri”, por që pasardhës plëngprishës të tyre e lanë në mëshirë të fatit…

 

 

Ndoshta, mungesa e një rruge të shtruar me asfalt ka çuar në rrëgjimin e shpopullimin e gjithë atij Frashëri, si edhe në degradimin e shtëpisë-muze të Vëllezërve… Nëse kjo rrugë këto 33 vjet është lënë e pashtruar për mungesë fondesh, kjo është e përvajshme; nëse është anashkaluar e lënë qëllimisht, kjo është kriminale!

 

 

Marrim udhën e kthimit. (Themi udhën se ende nuk mund të quhet rrugë!) Furgoni ngjitet si ari drejt udhës gjarpërushe. Pranë Bredhit të Hotovës, disa qen stani i lëshohen furgonit ku nga pas e ku anash për shumë metra duke lehur e cafkëlluar, a thua sikur “ariu” ynë kishte rënë në kopenë e tyre…

 

 

Mbërrijmë te burimi ujë borë i ftohtë. Ndalojmë shkurt. Prof. Sadiku (rreth 80 vjeç), tepër i këndshëm në muhabet e në rrëfime, nis e reciton përballë burimit, në mes të gjelbërimit, gjithë patos vargje të bukura të Naimit…

 

 

Pimë edhe njëherë ujë dhe rinisemi…Kur filluam zbritjen në largësi të ndryshme ndeshëm nja tri makina të fuqishme me targa gjermane dhe nja dy me targa franceze. Makinë shqiptare, pra me targa shqiptare, në drejtim të Frashërit, për be asnjë, as në vajtje, as në kthim. Teksa këmbeheshin makinat targahuaja me furgonin tonë, shoferët ngrinin duart në shenjë përshëndetjeje. Se ku shkonin, se në Frashër, se gjetkë, nuk e dimë…

 

 

Mbërrijmë në vendin ku kishim lënë makinën tonë. Hipim dhe daimleri ynë turret rrugës, a thua se ishte në garë me Vjosën që e kishim në të majtë. Kalojmë Këlcyrën dhe ndalojmë në një restorant buzë Vjosës për t’u çlodhur e për të ngrënë. Njerëz, ujë, (ujë të gjelbër lumi, ujë pa ngjyrë akull i ftohtë nga Trebeshina që derdhej në lumë) gurgullimë uji, lumë, ujë, ujë, mal… Atë gjallëri, ata njerëz që prisnim ta shikonim në Frashër e në shtëpinë e Frashërllinjve, po e shikonim në restorant…

 

 

Rimarrim rrugën të çlodhur e pa përtim për kthim. Makina vazhdon me shpejtësi…

 

Sa kalojmë Rrogozhinën, xërr telefoni i prof. Bejkos.

 

– Urdho, – përgjigjet poeti. (Ishte e shoqja që ishte merakosur për të.)

 

– Hë, moj lanete se u bënë 50 vjet që s’më je ndarë! (Sivjet në gusht, prof. Bejkoja feston përvjetorin e arit, kështu quhet 50-vjetori i martesës.)

 

– Ku je, i kërkon “xhevap” e shoqja.

 

– Po vij, grua, – ia kthen qetë profesori- , po vij. Po vij me shpejtësinë e makinës, me 120 km/orë…

 

Sakaq mbyll telefonin dhe vazhdon të na rrëfejë këndshëm lloj-lloj historish e thagma letrare.

 

 

Në mbrëmje, mbas perëndimit të diellit, pas rreth 550 km, mbërrijmë në shtëpi…

Mbërrijmë me mendje se kishim përmbushur një ëndërr, një betim, një pelegrinazh për në vendin e tre buRRave që lindën, u rritën, shkruan e punuan për Shqipërinë, por që kjo e këtyre 33 vjetëve nuk ka bërë aq sa duhet për ta.

 

Atë që heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti ka bërë me shpatë, vëllezërit Frashëri e bënë me penë.

 

 

Pushtetarë lokalë e qendrorë,

Ktheni, ju lutemi, sytë nga Frashëri ende pa u bërë ngjarje që të nisë ashtu siç nisin përrallat: “Na ishte njëherë…”

 

Ktheni sytë nga Frashëri që të kemi mundësinë legjitime të themi: Ti Shqipëri më jep nder!

 

 

Miq të ndershëm që ndodheni pranë instancave vendimmarrëse,

 

Vezë a bojë a domate të tejpjekur, jo; por se të mbushni ndonjë sapllak me ujë të ftohtë Përmeti a Selite (Tirane) dhe pa ju dridhur dora, t’ua hidhuani titullarëve – rrogëtarë të organeve kompetente, që të zgjohen nga gjumi letargjik e të kthejnë sytë nga Frashëri, e të bëjnë njërën për të që t’i japin vendin, nderin dhe dinjitetin e merituar edhe shtëpisë-muze të tre vëllezërve Frashëri me origjinë nga Grëmshi i Tomorricës sime (në fakt jam unë i saji, jo ajo imja), nuk do të ishte aspak e qortueshme.

 

 

Nëse përsëri nuk zgjohen, atëherë, domate, patate, pjeshkë, ujë Lane-Tirane, me ç’të mundeni, mbetet mundësi e hapur!…