Xhafer Sali Qazimi, gjurmë kujtese për një patriot me zemër, siç ishin oficerët e kufirit

Xhafer Sali Qazimi, gjurmë kujtese për një patriot me zemër, siç ishin oficerët e kufirit

 

 Ka vite që Xhafer Sali Qazimi është ndarë nga jeta, por qytetarët e Çorovodës nuk e harrojnë lehtë. Nuk e harrojnë se ai ka lënë shumë pas, ka lënë kujtimin e një njeriu të mirë, patriot, të ndershëm dhe të respektuar.

 

 

Xhaferi lindi më 15 tetor 1930 në Çepan të Skraparit në një familje atdhetare, në një derë të njohur në të gjithë krahinën për virtytet e larta të burrërisë, trimërisë dhe mikpritjes. Shumë mga këto cilësi të marra që në fëmijëri, ai i shpalosi në të tërë jetën ku atij i ra rasti të jetojë dhe të punojë.

 

 

Megjithëse i vogël, në vitet ë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, 1943 – 1944 kreu detyrën e korrierit pranë Këshillit Krahinor dhe Komandës partizane së Vendit.

 

 

Shkollën fillore e nisi në Çepan në vitet 1945 – 1947, ku bëri një pjesë të saj, ndërsa klasat e tjera të mbetyra dhe të mesmen e bëri në ushtri.

 

 

Në vitin 1947 u caktua nga organet e pushtetit popullor të kohës për të shkuar në hekurudhë në Rrogozhinë, ku punoi tre vjet rresht nga tre muaj në vit.  Në këto vite ai u zgjodh edhe sekretar Këshilli në Çepan.

 

 

Në vitin 1950 shkon ushtar, në fillim në Kavajë dhe më pas në Qafë-Prush, në Tropojë, në kufi. Pas një kursi 6 –mujor u titullua nënoficer me shërbim në Librazhd.

Në vitin 1953 kreu shkollën e oficerëve në Tiranë dhe pas kësaj u transferua komandant i postës kufitare të Ledhnicës në Sarandë, ku punoi 8 vjet dhe 12 vjet të tjerë i bëri në Llongo.

 

 

Në vitin 1966 e caktuan komandant të katër postave kufitare, Stugarë, Koshovicë, Sotirë dhe Llongo.

Më pas u emërua shef i Stërvitjes së Kufirit në Gjirokastër dhe së fundmi, derisa doli në pension, punoi si komandant i ruajtjes së Objekteve të Rendësisë së Veçantë në Çorovodë.

 

 

Në 35 vjetët e tij aktive si ushtarak, kryesisht në vijën e parë, në kufi, pavarësisht vështirësive dhe privacioneve që të jepte kjo lloj pune, ai e ndjeu gjithmonë veten krenar.

 

 

 

Xhaferi ishte një njeri i dashur dhe i shoqërueshëm. Atë e respektonin të gjithë, sepse ai dinte t’i respektonte të tjerët, si në fshatrat e minoritetit në kufi, me kolegë dhe ushtarët, ashtu edhe me bashkëqytetarët e tij të Çorovodës.

 

 

Ai kishte humor të shëndetshëm dhe miqësor, dhe në momente të vështira gjente zgjidhje origjinale të çdo karakteri, sepse ishte gatuar ashtu, i ndershëm, i drejtë, dhe i përkushtuar ndaj detyrës, ndaj shoqërisë dhe ndaj familjes.

 

 

Në jetën bashkëshortore më Forien, e cila e ndoqi pas kudo, lindi dhe rriti pesë fëmijë, Zeniun, oficer me një karrierë të suksesshme ushtarake; Pëllumbin, që arriti deri në detyrën më të lartë ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, atë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm; Astriti, si dhe dy vajzat, Donika dhe Aksinja, që me fëmijët e tyre kanë ndërtauar një jetë të begatë.