“Xhaxhi im i shtrenjë, mirë për vete, po për ne si nuk pate një fotografi të çmalleshim me ty”!?…

 “Xhaxhi im i shtrenjë, mirë për vete, po për ne si nuk pate një fotografi të çmalleshim me ty”!?…

 

 DHURATA MEHMETI

Mbesa e dëshmorit Ali Mehmeti

Nga Visocka e Skraparit

 

 

Gjithmonë më vijnë si homazh, kujtim brezash, bisedat dhe kujtimet e shkuara.

 

 

Nuk dua të mburrem se u linda dhe u rrita në një familje që e lau me gjak lirinë e Shqipërisë, por kam plotësisht të drejtë të krenohem dhe ta mbaj kokën lart, sa të jem, sepse edhe Visocka ime e vogël dhe tërë Kolli i Sipërm me njëzet fshatra, bënë dhe lanë emër të ndritur për lirinë e Shqipërisë.

 

 

Nuk di të them e të shkruaj çfarë lanë pa bërë për lirinë dhe kush bëri më shumë a më pak, Vlusha, Leshnja, Helmësi, Backa, Nikollara, Staravecka, Koprënca, Visocka, Osoja apo Faqekuqi me Krushovën e të tjerë.

 

 

Po Qafa e Kalibarit, Qafa e Beçit, Qafa e Martës, me tërë ato burra e djem të rrallë, si 23 dëshmorët e Vlushës, ata të Krushovës, Hajrija e Faqekuqit, Riza Kodheli, Nesim Osoja e deri te xhaxhai im Ali Hysni Mehmeti, a mund të harrohen vallë?

 

 

Nga shtatë spitalet partizane që pati Skrapari gjatë Luftës Antifashiste Nacionaleçlirimtare, tre ishin në Koll të Sipërm, në Nikollarë, Vlushë e Torrovë dhe në Visockën time të vogël.

 

 

Batalioni i Qafës së Kalibarit, Batalioni i “Riza Cerovës”, i Qafës së Martës, Brigada e shtatë, Divizioni i parë, Arma e Xhenjos etj, u krijuan në gjirin e maleve të Kollit të Sipërm.

 

 

Brigada e shtatë, ku bënin pjesë shumë skrapallinj, mes tyre edhe xhaxhai im Ali Hysni Mehmeti, pas një viti luftërash në atdhe, në dhjetor të vitit 1944, kaloi kufirin shtetëror dhe luftoi në viset e Kosovës deri në dhjetor 1945. Trimat e brigadës, djemtë e nënave u kthyen në atdhe duke lënë në Kosovë e Jugosllavi rreth 122 luftëtarë, dëshmitarë të lirisë.

 

 

I ndrituri xhaxhai im ra në moshën 24-vjeçare në lule të rinisë, në prag të martesës, në Vishegrad më 5 shkurt 1945. Tridhjet vjet pas luftës në vitin 1975, komisioni shtetëror shqiptar shkoi në Jugosllavi dhe ngriti Dëshmorët e Lirisë për t’i nderuar në vendlindje. Mes tyre u rikthye edhe xhaxhai im.

 

 

U rivarros në Çorovodë, atje ku ai fle përjetësisht në panteonin e lavdisë. Kam çuar lule! Nuk e kam parë kurrë. As foto nuk kemi. S’kemi prej tij asgjë. Na la vetëm emrin dhe krenarinë-relike për familjen, krahinën dhe Shqipërinë.

 

 

Mua personalisht herë-herë më shfaqet në ëndërr me pushkë në dorë nëpër shtigje. Operacioni i Dimrit…Operacioni i Qershorit… dhe më pushton trishtimi.

 

 

Rrëfimet e gjyshes, xhaxhait të madh e të babait tim jehojnë në mendjen time sot dhe sa  të jemi gjallë!…