Xheladin Cërri, majori që këndon “vënçe”

Xheladin Cërri, majori që këndon “vënçe”

Jeta e tij është ndarë mes dy pasioneve, mes dy dashurive, uniformës ushtarake dhe këngës. Mban gradën major i Ushtrisë Shqiptare, një major i çuditshëm që, sa linte punën në repart, e gjeje në veprimtari artistike, në skena festivalesh.

 

 

Është një këngëtar me zë të veçantë, timbrik dhe kumbues, një nga shtyllat kryesore që mban në këmbë grupin folklorik të këngës së Skraparit në Tiranë, një grup tashmë i njohur me një numur të madh veprimtarish kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

***

 

Dëshira e të atit të tij, Ferrikut, një njeri i njohur dhe me emër në zonën e Potomit, në zonën e Vakëfeve të Korçës dhe në të gjithë Skraparin si një njeri punëtor, luftëtar, “esnaf” e mikpritës, ishte që djali i tij i vogël, i dhjeti në radhë, Xheladini të bëhej oficer.

 

Po kjo dëshirë ishte edhe e nënës së tij, Nasipes, e cila kur e zgjonte në mëngjes për në shkollë, i thoshte: “Mëso se nëna do të bëjë oficer si Ganiun”!…Ganiu ishte burri i motrës së tij.

 

Karriera ushtarake e Xheladinit nis që në vitin 1978, kur filloi shkollën e mesme “Skëndërbej” në Tiranë dhe më pas Shkollën e Bashkuar.

 

 

Në vitin 1985 titullohet oficer. Duke parë aftësitë e tij fizike dhe profesionale e emërojnë në Shkollën e Mesme Ushtarake Skënderbej me detyrën e komandantit të togës ku punoi deri në vitin 1990.

 

 

Në vitin 1990 u emërua komandant kompanie me studentët e ndërlidhjes në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerave. Në vitin 2001 emërohet zvëndëskomandant Batalioni të Policisë Ushtarake në Sauk, ku punoi dy vjet.  Në vitin 2003 emërovhet zëvëndëskomandant i Batalionit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në zonën e Tufinës, ku punoi deri në mbyllje të karrierës si oficer.

 

Doli në rezervë në mars të vitit 2008 me gradën major. Rreth 30 vjet me uniformë, i dekoruar dy herë, e para që student  në vitin 1984 me Medaljen e Shërbimit Ushtarak dhe e dyta Medalja e Karrierës në vitin 2007.

 

 

Kjo është në një farë mënyre CV – ja e tij ushtarake, e detyrave sublime, e pushkës, ndërsa ajo e këngës është ende e pa mbyllur, por më e pasur dhe më e larmishme.

 

***

 

E nisi këngën që fëmijë.

 

“Kam kënduar! Ja kam shkrepur kur vija me kecërr mbi Gurin e Gjatë të Cërrasit!… Kam kënduar që në fillore me shokët e klasës, sepse ne ishim “shtëpi kënge”,  shtëpi muhabeti e lezeti, shtëpi bukëdhënëse në anë të rrugës që shkelej çdo ditë nga miq dhe udhëtarë.

Babai, Ferriku këndonte dhe këndoi gjer në fund të jetës së tij. Kur ai këndonte me Jonuz Gorçen “thyeshin trarët e shtëpisë”, thoshin ata që i dëgjonin.

Edhe nëna ime, Nasipja këndonte mirë. I kam rregjistruar të dy prindërit duke kënduar bashkë. Por edhe vëllezërit, Hekurani, Petriti dhe motrat këndonin – thotë ai.

 

Kur ishte 13 vjeç ra në sy në fshat dhe e morën në festival folklorik në Çorovodë. Ishte korriku i vitit 1978. Aty këndoi për herë të parë në publik me Ylli Omerin, djalë Potomi, gjashtë vjeç më i madh, këngën “Një mëngjes dola pa gdhirë”.

 

“Veç turpit dhe emocioneve, si një djalë fshati i pa dalë, më ngatërroi punën edhe koka ime e qethur rrukull. Megjithatë, si duket iu pëlqeva dhe ata të komisionit më thanë se mund të më merrnin në Festivalin e Gjirokastrës. Ato ditë mua më doli e drejta e studimit për në shkollën “Skënderbej”, kështu që u ndava me këngën – tregon Xheladini.

 

 

Duke vazhduar rrëfimin, ai tregon edhe një tjetër episod emocionues të asaj dite. Duke ulur shkallët e podiumit, një dorë e ngrohtë dhe e dashur i fërkoi kokën e qethur. “E këndove bukur, të keqen xhaxhai, do të bëhesh këngëtar i mirë!…”.

 

Ishte i famshmi, i madhi, Artisti i Popullit, Nderi i Kombit, Demir Zyko.

 

***

 

E kisha harruar këngën ose e këndoja atë nën zë, me veten time, kur një ditë,  kur isha në vit të parë në shkollën “Skënderbej”, një metodist muzike, Met Kuleku e quanin, që na mësonte këngë rreshtore, më thotë:

“Ti djalë qëndro një çikë”! Më pyeti nga isha dhe se ku punonin prindërit. I thashë se isha nga Potomi i Skraparit dhe se prinderit punonin në kooperativë. “Mirë më tha, ik”! Nga që nuk guxova vet t’i thosha pse më pyeti, futa një bashkëfshatarin tim begs, të ndjerin Kasëm Hysenbelliu. “Pse e pyete atë shokun tim” – i tha Kasëmi profesorit.

Profesorit, si duket i kishte rënë në sy zëri im, thotë se ai djalë nuk është për këtë shkollë. “Por unë që t’i hyj kësaj, kam frikë se mos prish ndonjë punë . Pastaj ju vdisni për një çikë oficerllëk”.

 

Kështu u mbyll kjo histori, nga e cila mësova se zëri im kishte një farë vlere, aq më tepër që e thoshte një specialist muzike” –  vazhdon të tregojë udhëtimin e tij artistik, Xheladin Cerri.

 

 

Xheladini tregon edhe një episod tjetër nga shkolla e mesme ushtarake, kur në orën e folklorit i kërkoi mësueses së letërsisë, Fortunata Mullait, që një nga ato vjershat e librit për kurbetin, ta këndonte me zë me Izet Musain nga Vëndresha e Skraparit.

 

Ishte kënga “Mbeçë, more shokë, mbeçë”, që ishte bërë shumë e njohur nga Artisti i Popullit Demir Zyko.

 

Në fillim mësuesja hezitoi, por, kur e dëgjoi, u mahnit. Jo vetëm më vuri 10, por bëri çmos që kënga ime të vihej në repertorin grupit artistik të shkollës.

 

 

Pasi doli në punë, kënga fjeti për një kohë të gjatë brenda tij, deri sa një ditë, një këngëtar dhe organizator i këngës popullore të Skraparit, Fatmir Greva, që e kishte dëgjuar rastësisht në një dasëm, e thirri në grupin e tij.

 

Ishte viti 2001. Që atëhere dhe deri tani nuk iu është ndarë grupeve folklorike të Skraparit.

 

 

Në vitin 2009 mori pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës ku këndoi këngën “Gjuha jonë” me mjeshtrin e këngës Dule Malindi.

 

Ka marrë pjesë në festivale të ndryshme, si ai Bylisit, Beratit, si dhe dhjetëra veprimtari artistike brenda dhe jashtë vendit, në Kroaci, Maqedoninë e Veriut etj. Janë me dhjetra disqet ku është regjistruar zëri i tij karakteristik.

 

Duke e ditur  dhe e ndjerë se kënga s’është asnjëherë kontribut individual, ai u është mirënjohës të gjithë shokëve të grupit për suksesin dhe shkallët e ngjitjes në skenë, si: Ylli Gorçe, Ylli Omeri, Hekuran Cërri, Fatmir Greva (Ajasllari), Pëllumb Gjata, Sulo Pipero, Bilbil Ibro, Nesim Mëno, Kastriot Alihoxha etj.

 

***

 

Këto ditë Xheladini ka festur 60-vjetorin e lindjes, me një rastësi të bukur dhe surprizuese, në Teqenë e Backës. Një rrugë e dy punë, bënë aty një videoklipt me grupin, por edhe gëzuan të gjithë bashkë, këngëtarë dhe familjarë.

 

 

Miqtë e tij kënduan aty këngën e krijuar enkas për të nga Arben Tërpollari, këngëtar dhe pedagog në Universitetin Bujqësor të Tiranës, e cila ndër të tjera thotë:

 

 

Festja e zezë përmbi ballë,

Sa lezet dhe ç’të ka hije,

Këngës vënçe i dhe udhë,

Në skena e djep fëmije.

 

Kur e dredh atë zë aq bukur,

Mi mahnit vashat në krua,

Qan bilbili në degë të arrës,

Këndoka më mirë se mua.

 

Ti këndon, unë mallëngjehem,

Nëpër mend më sjell rininë,

Ulur tutje nën një hije,

Të dëgjoj dhe gjej qetësinë.

 

Kush të njohu edhe nuk foli,

Që nga plaku e tek i riu,

Babaxhan e burrë zakoni,

Xhelo Cërri, Duralliu.

 

Mund të thur vargje pa fund,

Por këngës si vë dot emër,

Bukurija e zërit tënd,

Del nga shpirti, hyn në zemër.

 

 

Një njeri artist në shpirt, korrekt, shëmbullor në gjithçka, s’ka si të mos jetë i tillë edhe për familjen e tij, të cilën ai e quan të shenjtë dhe të shtrenjë.

 

Baza e kësaj familjeje është hedhur në korrik të vitit 1991, kur Xheloja martohet me një vajzë nga Pendavinji i Korçës, me Brunilda Thimon, me arsim të lartë për Veterinari.

Martesa u kurorëzua me lindjen e dy vajzave, Evës dhe Xhenit, të cilat të dyja kanë mbaruar studimet e larta për financë dhe shkencat sociale.

 

 

Hë tani, më thuaj, a ka më bukur, a ka më lumtur, pse të mos më gufojë dhe këndojë zemra!?… “ – më drejtohet Xheloja, si për të më ndihmuar mua në mbylljen e këtij rrëfimi për të. (Zylyftar Hoxha)